Sizmologët: Tërmeti i mbrëmshëm jo i lidhur me zonën historike të bregdetit tonë
Shqipëria futet në zonat e tërmeteve. Kujtime të hidhura kemi nga tërmetet, ndonëse sizmologët thonë se këto janë aktivitete normale.
Një tërmet me forcë nga 4 deri 5 ballë, goditi vendin tonë, pak pas mesnatës së të shtunës, me epiqendër në zonën ndërmjet Cërrikut dhe Belshit, në një thellësi prej 20 km.
Tërmeti është ndier shumë, pothuajse në të gjithë Shqipërinë e mesme. Edhe në Tiranë dridhjet u ndjenë jo të lehta. Ka qenë ora 12 e 27 minuta e mesnatës kur ra tërmeti.
“Ishte tërmet me magnitudë 4.3 e shkallës rihter, klasifikohet te tërmetet e moderuar. Është pragu që fillon të ndihet efekti sizmik. Më shumë është ndier në Lushnjë, Fier, Kavajë Durrës dhe Tiranë. Tërmeti është relativisht i cekët dhe ka patur efektin në sipërfaqe. Zona ku ka rënë tërmeti është një zonë që njihet për aktivitetin sizmik”, tha sizmologu Edmond Dushi.
Gjatë ditës së diel nuk është shoqëruar me pasgoditje të tjera. Ky tërmet konsiderohet i rëndësishëm nga sizmologët, për shkak se lëkundjet janë ndierë gjatë dhe në një rreze të gjerë.
Ata qetësojnë se ky tërmet është i shkëputur nga zona problematike perëndimore e vendit, ku ndër shekuj kanë rënë shumë tërmete të rrezikshme. I fundit ishte i vitit 2019.