Sot fillojnë gjobat nëpër rrugë ndaj qytetarëve. Duhet mbushur Buxheti i Shtetit!
Nga sot Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake do të gjobisin çdo qytetar që nuk mban maska. Akti normativ i miratuar dje nga qeveria “Rama” parashikon ndëshkimin me 30 mijë lekë të vjetra për qytetarët që shkelin këtë rregull dhe 50 mijë lekë në rastet përsëritëse. “Mospërdorimi i barrierës mbrojtëse (maskës) nga individët jashtë shtëpisë dënohet me gjobë në masën 3 000 (tre mijë) lekë dhe, në rast përsëritjeje, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë. Të drejtën e dhënies së masës administrative për mospërdorimin e barrierës mbrojtëse (maskës) e ka Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, sipas modelit të gjobës të miratuar prej tyre. Ekzekutimi i masës administrative do të kryhet nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike OSHEE)”,- thuhet në aktin normativ.
Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake kanë hartuar dhe planin sesi do të aplikohen gjobat. Ndryshe nga periudha e marsit me tanke dhe autoblinda në postoblloqe, këtë herë forcat e policisë do të lëviznin në grupe në zona të ndryshme të qytetëve. Postoblloqe do të ketë vetëm për Policinë Rrugore, e cila do të verifikojë mbajtjen e maskave në automjetet. Sipas aktit normativ në makinë mund të mos mbash maskë vetëm kur udhëton me familjarë ose je vetëm. Policia do të shoqërojë në komisariat përsonat që nuk pranojnë të japin kartën e identitetit për prerjen e gjobës, ose nuk e kanë me vete atë.
Vendimi i qeverisë lejon disa përjashtime, si për personat që mjeku ua ndalon mbajtjen e maskës apo atë që merren me aktivitete sportive dhe qarkullojnë në zona jo të populluara. Megjithatë, karakteri i aktit normativ është ndëshkues dhe nuk lë vend për interpretime nga ana e punonjësve të policisë. Sipas vendimit, kushdo që del nga shtëpia pa maskë dhe kapet në rrugë do të ndëshkohet.
Realisht vendime të ngjashme janë marrë dhe nga vendet e tjera në Europë. Por në rastin e Shqipërisë ka një kontradiktë të fortë mes vendosjes së gjobave dhe masave të tjera paralele nga qeveria. Dje, teksa lajmi i gjobave ishte temë kryesore e ditës dhe qytetarëve u kujtohen të bënin kujdes, qeveria miratoi një tjetër vendim që lejonte hapjen e kinemave dhe teatrove. Nuk themi se bizneset duhen mbyllur, por ka diçka që nuk shkon në mënyrën sesi qeveria mundohet të përballojë pandeminë. Vendimet janë kontradiktore dhe tregojnë se më shumë sesa ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë, kryeministri po dëgjon teknikët e propagandës qeveritare për qëllime elektorale. Mbajtja e maskave është një masë e dobishme dhe parandaluese, por e pamjaftueshme për përballimin e pandemisë. Vende si Franca e kanë vendosur mbajtjen e maskës të detyrueshme prej kohësh, por sërish kanë njohur rritje të infektimeve. Në rastin e Shqipërisë duket se qeveria është më shumë e interesuar të vjelja e gjobave sesa efektet që do të sjellë mbajtja e maskave në uljen e numrave.
Mënyra sesi kryeministri Edi Rama po menaxhon pandeminë, pa pyetur ekspertët e shëndetësisë, ka rezultuar jo produktive. Në muajin mars, kur Shqipëria u fut në izolim në gjithë vendin kishte 20-50 raste të reja në ditë më koronavirus. Gati shtatë muaj pas izolimit, vendimet e pa menduara të kryeministrit kanë bërë që të numërohen mesatarisht nga 5 viktima në ditë dhe dje shifra e infektimeve arriti nivelin më të lartë, 203. Praktikisht strategjia që Edi Rama deklaroi se po funksiononte rezulton se del se nuk ka qenë fare strategji, por model i tipit “të dalë ku të dalë”. Shpresojmë që pas urdhrit për maskat, kryeministrit të mos çojë dhe njëherë vendin drejt izolimit.
Një izolim i dytë do jetë vdekje e ekonomisë shqiptare./Mili Xhani/
KOHA JONË SONDAZH

