Sot fillon moti i keq në Shqiperi

Nga sot e në vazhdim pritet përkeqësimi i motit, që do të shoqërohet me ulje temperaturash dhe reshje intensive shiu dhe bore.

Njoftimi bëhet publik nga Ministria e Punëve të Brendshme, referuar buletinit të Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, i cili parashikon se moti në të gjithë territorin e vendit, pritet të jetë me reshje shiu dhe bore, të cilat do të shoqërohen me ulje të theksuara temperature. Për pasojë të gjitha akset rrugore kombëtare dhe rurale në lartësinë mbi 200 m mbi nivelin e detit do të preken nga bora dhe ngricat.

Sipas parashikimeve, akset rrugore që mund të preken janë: “Shkodër-Koplik-Hani i Hotit; Shkodër-Kelmend; Shkodër-Lezhë-Milot; Vau i Dejës-Pukë; Pukë-Fushë Arrëz; Fushë Arrëz-Qafë Mali; Qafë Mali-Bajram Curri-Valbonë; Qafë Mali-Kukës-Morinë; Bajram Curri- Helçan-Krumë; Krumë-Kukës-Morinë; Rruga e Kombit Milot-Rrëshen-Morinë; Milot-Burrel- Qafë Buall- Bulqizë- Peshkopi-Maqellarë; Peshkopi-Kukës; Peshkopi-Steblevë-Librazhd; Librazhd-Përrenjas-Qafë Thanë; Pogradec- Korçë-Kapshticë; Korçë-Qafë Qarri-Ersekë-Leskovik-Tre Urat; Korçë-Voskopojë; Korçë-Dardhë; Korçë-Lozhan-Moglicë-Gramsh; Gramsh-Cërrik-Elbasan; Berat-Poliçan- Çorovodë; Memaliaj-Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë; Gjirokastër- Qafë Gjashtë- Sarandë; Vlorë-Llogara-Himarë -Sarandë si dhe të gjitha akset rurale që komunikojnë me këto akse rrugore”.

Reshjet e borës do të nisin mëngjesin e sotëm, por në lartësi mbi 700 m, ndërsa nesër pritet të bjerë sasia më e madhe në Qendër dhe në Jug mbi 300 m, ndërsa në Veri deri në 200 m. Sipas buletinit të Institutit të Gjeoshkencës, rrethet që pritet të preken nga dëbora deri në fund të ditës së shtunë janë kryesisht në rajonet lindore të vendit, nga veriu në jug. “Ndërkaq reshjet e shiut pritet të jenë në sasinë më të lartë në Qarkun e Shkodrës ku mund të shkojnë deri në 90 mm.

Njëherësh në disa rrethe të tjera si Tirana, Elbasani, Lezha, Kukësi, Dibra mund të shkojnë deri në 45 mm gjatë 24 orëshit. Për t’u paraprirë situatave të vështira e problematike, MPB ka udhëzuar prefektët dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal që të marrin masat e duhura, sidomos në drejtim të mirëmbajtjes së akseve rrugore duke inspektuar gatishmërinë e mjeteve, forcave, si dhe depozitimin e granileve dhe kripës në segmentet problematikë”, theksohet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme, ku shtohet se janë porositur edhe autoritetet vendore që të mbikëqyrin punën e subjekteve të kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve dhe të koordinojnë veprimet me grupet e ngritura nga prefekti.

SHKARKO APP