Statusi i Pandi Gjatës/Kur gazetaria ishte pasion, profesionalizëm dhe nuk njihej LEKU!

Rastësisht sot lexova një status të Pandi Gjatës, dikur gazetar në gazetën “KOHA JONE”.

Rrëfimi i tij ishte interesant, i sinqertë dhe në thelb një mesazh për gazetarinë e sotme.

Kur ta lexoni historinë e treguar të Pandi Gjatës me Ismail Kadarenë, do të kuptoni se në çfarë çorbe rrjetesh sociale ka rënë sot media.

Natyrisht që zhvillimi teknologjik ka rritur shumëllojshmerinë e informacionit, i cili në pak raste verifikohet, mjafton copy paste dhe pothuaj të gjithë e marrin një lajm edhe nëse është fake news, e ribotojnë dhe rrotullohet “lajmi” nga moria  e portaleve, aqsa kur e shikon ai portal që e ka krijuar mashtrimin, i duket lajm i vertetë dhe e boton prapë, natyrisht pasi është përpunuar e stërholluar nga “redaktorët” online.

Për të qenë korrekt, ka mjaft gazetarë profesionistë, edhe sot, të cilët sakrifikojnë për gjetjen e lajmit të fshehur në skutat e pushtetit, por në masë dërmuese, fatkeqisht, mashtrimi kthehet në lajm.

Pandi Gjata e ka shkruar bukur, siç ka ndodhur. Mbaj mend se fjala vjen njëherë kur ishte në grevë urie kryesia e PS në vitet e pushtetit të Berishës së I-rë, Arian Çani që ishte gazetar në sektorin e politikës në “KOHA JONE” ka qëndruar mbi 6 orë në shi për të kapur një lajm nga kjo grevë urie. Apo që Frrok Çupi dhe Martin Leka udhëtuan në kushtet e luftës civile (vitit 1997), kur i ndiqte SHIK dhe policia, duke ndërruar makina dhe udhëtuar nëpër kodrat e Fierit që të shkonin në Vlorë për të bërë një shkrim për gazetën. Apo kur i famshi Zamir Dule që ndejti dy ditë duke ndjekur një lajm derisa e botoi kur e verifikoi. Apo kur Anila Basha ndejti dy ditë duke mos iu ndarë Bashkim Finos kur ishte kryeministër, derisa e mori intervistën.

Apo shumë raste të tjera, të cilat nuk po i përmend për të mos vonuar lexuesin të lexojë statusin e Pandi Gjatës./Nikoll Lesi/

Ja statusi i Pandi Gjatës:

Ishte fundviti i 1998-ës. Atë botë isha gazetar i Kulturës tek “Koha Jonë”. Isha 20 vjeç. Nuk kishim celularë, as internet, as rrjete sociale!

Nuk mbaj mend nga kush e mësova që Ismail Kadare do të vinte në Shqipëri atë ditë.

Atë periudhë ardhja e Kadaresë nga Parisi ishte lajm.

Shtëpinë ia dija. Qysh prej paradites u ula para pallatit të tij. Nuk i tregova akujt, as kolegëve në redaksi.

U përshëndeta madje edhe me Dritëroin dhe Sadijen disa herë. Ata ishin komshinjtë e një kati më poshtë.

Sadija e kuptoi pse po qëndroja aq gjatë.

“Po orën ia di” më tha.

Në fakt nuk e dija kur mbërrinte. Nuk e dija as me çfarë avioni.

Por kur ra mbrëmja, një makinë qëndroi para pallatit.

Isha duke përfunduar paketën e dytë të cigareve.

Zbriti Ismaili dhe Helena. Aty i priste mikja e shtëpisë, Meri Lalaj.

Iu prezantova kush isha.

“Kush të tregoi që unë vija sot”, mu drejtua Kadare

Pa pritur përgjigjen time më tha se ishte i lodhur nga rruga dhe nuk mundej të më jepte një intervistë.

Ngjiti shkallët. Ashtu edhe unë.

Nuk ika.

Teksa u hap dera e shtëpisë, Helena dhe Meri nisën të hiqnin mbulesat e mobilieve dhe kolltukëve.

Meri Lalaj, që unë e njihja edhe më herët, më shkeli syrin si duke më thënë: “Prit”.

Unë nga ana ime nuk kisha mend të largohesha pa e intervistuar.

Qëndrova disa minuta pas porte. Dera u hap sërish.

“Çfarë pyetje do më bësh”, më tha.

I thashë për Kosovën, situatën e trazuar politike në Shqipëri pas 14 shtatorit…

Më ftoi brenda.

Nxora bllokun dhe një stilolaps. Nisa ta pyesja dhe të mbaja shënime.

“Kujdes më cito çdo të them”, më tha.

E pyeta për Kosovën, UÇK-në, Tiranën e trazuar politike, çfarë po shkruante, sa do të qëndronte në Shqipëri, a do ta vizitonte Gjirokastrën…

Përgjigjet ishin të shkurtra.

Ia nisa vrapit për në redaksinë e “Koha Jonë”.

Ora 16.00 ishte koha kur bënim mbledhjen. Mbërrita diku nga ora 20.00.

Mes romuzeve të shefave se ku kisha humbur dhe pse nuk kisha njoftuar për vonesën (që mund të merrja edhe gjobë), u tregoj se kisha takuar Kadarenë.

Shkrimtari kishte mbërritur në Tiranë.

Me thanë që ishte lajm për të hapur gazetën. Nuk mund të ishte vetëm një shkrim për faqen e Kulturës.

Për herë të parë mu dha faqja 32, Specialja e “Koha Jonë”.

Ata që e kanë jetuar atë kohë e dinë se në atë faqe shkruante vetëm Rudina Xhunga, e tek tuk ndonjë prej nesh të tjerëve herë pas here.

Por kjo ishte e rrallë.

Me përgjigjet që më dha Kadare unë shkrova një faqe gazetë atë natë.

Të nesërmen në mëngjes i shkoj sërish te dera. Trokita. Doli Ismaili.

“Prapë ti”, më tha.

I thashë, të kam sjellë gazetën.

Shtangu. Ti e ke botuar?

Po, i thashë.

Sa duket, një natë më parë kur mu përgjigj, kishim pasur një keqkuptim. Kishte dashur ta lexonte para se shkrimi të botohej.

E mori gazetën. Mbylli derën. Dhe e lexoi pa u ulur, aty në korridor.

Kjo ishte pritja më e vështirë se ajo e një dite më parë ku qëndrova për orë e orë.

Doli pas disa minutash.

“Përgjigjet e mia janë korrekte, nuk mi ke shtrembëruar. Kisha merak që nuk më regjistrove me diktofon”, më tha.

Aty mora frymë.

Kur nisa të zbrisja shkallët, më ftoi për kafe. Na u bashkua atë mëngjes edhe Meri Lalaj, e cila një ditë më parë më ndihmoi që Ismaili të më përgjigjej.

“Vetëm më ke prishur punë”, më tha Kadare.

Pse? E pyeta

“E morën vesh të gjithë që jam në Tiranë dhe kjo ishte vizitë private këtë herë”.

“Por një ardhje e Kadaresë, – i thashë, – në çdo rrethanë nuk mund të jetë private”

Ky ishte takimi i parë me Kadarenë.

Vite më pas, takimet me të nuk ishin kaq të vështira.

SHKARKO APP