Të gjithë shqiptarët kundër projektit Rama-Vuçiç për “mini-shengenin ballkanik”

Projekti i Mini-shengenit i nënshkruar nga Shqipëri, Serbia dhe Maqedonia e Veriut ka trazuar gjithë faktorin shqiptar në rajon. Marrëveshja jo vetëm është e paqartë për përfitimet ekonomike që do t’i sjellë Shqipërisë, jo vetëm krijon një varësi të Tiranës nga Beogradi, por çfarë është dhe më e rëndë, lë në hije dhe dëmton shtetin e Kosovës. Tre takimet për ketë marrëveshje të Edi Ramës janë bërë pa praninë e Kosovës dhe në vend që qeveria e Tiranës të lobojë për Prishtinën, befas është kthyer në një akuzuese dhe sulmuese e lidershipit shqiptar në Kosovë. Një qëndrim i tillë, që bie ndesh me interesat kombëtare të shqiptarëve dhe që dëmton direkt Kosovën, ka sjellë reagime të forta në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Luginën e Preshevës.

Në Tiranë dhe Prishtinë qëndrimet kanë qenë kundërshtuese që ditën e parë që u prezantua marrëveshja e çuditshme e vëllazërimit rajonal me serbët, kur këta të fundit ende nuk pranojnë Kosovën si shtet. Opozita zyrtare në Shqipëri, e ka cilësuar si një projekt të dëmshëm dhe që do të ketë pasoja të rëndë nëse vijohet më tej nga kryeministri Edi Rama. Në Prishtinë kritikat dhe reagimi ka qenë më i fortë ndaj qeverisë së Tiranës duke folur hapur për “tradhti kombëtare” nga ana e qeverisë “Rama”. Shteti i dytë i shqiptarëve në rajon akuzon për pabesi qeverinë “Rama” me projektin që ulë në tavolinë Serbinë dhe anashkalon Prishtinën zyrtare. Argumenti i kryeministrit Edi Rama se unë i ftova, por ata nuk erdhën është vetëm lojë fjalësh. Nuk mund t’i kërkohet Kosovës të jetë në një tavolinë me Serbinë, kur ajo mohon krimet e luftës dhe nuk pranon që emri i Kosovës si shtet të trajtohet në mënyrë të barabartë, njëlloj si gjithë vendet e tjera në rajon.

Pas Tiranës dhe Prishtinës, partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut e kanë kundërshtuar një nismë të tillë. Ali Ahmeti, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, njëherazi dhe partia më e madhe në Maqedoninë e Veriut, dje ka folur hapur kundër këtij projekti. Sipas tij, “projekti i integrimit të rajonit në BE nuk mund të zëvendësohet me asnjë projekt tjetër”. Në këtë mënyrë, Ahmeti godet thelbin e Mini-shengenit, i cili më shumë se projekt i mbështetur nga BE është një skenar për të justifikuar mos hapjen e negociatave. Zijadin Sela, kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe një figurë me ndikim politik mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut thotë se “çdo nismë rajonale pa Kosovën dhe me Serbinë brenda rrezikon të rrisë ndikimin rus në rajon”.  Shqiptarët që dikur ishin pjesë e ish-Jugosllavisë dhe që njohim më mirë mentalitetin rajonal të Serbisë, e kuptojnë se pas termave modern Mini-shengen fshihen qëllime që nuk janë në favor të shqiptarëve.

Ideja e Mini-shengenit, që sipas Edi Ramës dhe Vuçiç u shërben popujve të rajonit është e paqartë dhe për shqiptarët që janë pjesë e Serbisë dhe jetojnë në Luginën e Preshevës. Ragmi Mustafa,  kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës thotë se shqiptarët që jetojnë ende në Serbi duhet të jenë temë e bisedimeve Tiranë-Beograd dhe çështja e bashkëpunimit të mos shihet vetëm në kontekstin rajonal. Në takimet dypalëshe Rama-Vuçiç, tema e shqiptarëve të Preshevës është diskutuar disa herë, por edhe pas 6 vitesh shqiptarët e Luginës ende nuk i kanë marrë as nga Tirana dhe as nga Beogradi investimet e kërkuara.

Në Mal të Zi, qeveria e këtij vendi edhe pse mori pjesë në takimin e Tiranës, e sheh me dyshim projektin e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç. Kur qytetarë të ish-republikës Jugosllave që mezi u shkëputën nga Serbia në vitin 2007 dhe ende ankohen për ndërhyrje të Beogradit në politikën e Brendshme janë kundër, shqiptarët e Malit të Zi normalisht e shohin me shqetësim një projekt të ri ku Serbia është qendra e rajonit.

Reagimet që kanë ardhur këto ditë nga trevat shqiptare kundër projektit të Mini-shengenit, janë një mesazh që duhet kuptuar qartë dhe nga mbështetësit e kësaj ideje në Tiranë. Nuk mund ta kenë gabim gjithë shqiptarët në Tiranë, Shkup, Prishtinë, Podgoricë dhe Luginën e Preshevës dhe vetëm disa koka të kenë të drejtë në qeverinë e Shqipërisë. Askush nuk është kundër bashkëpunimit me vendet e rajonit, përfshirë dhe Serbinë. Por para se të vendosim të hapim tregjet, ekonominë dhe territorin për Serbinë duhet që më parë të Beogradi të njohë Kosovëns, si shtet i pavarur./Mili Xhani/

 

SHKARKO APP