Kokëdhima: Nuk kandidoj për Sekretar i Përgjithshëm. Me Ruçin kam debate

Deputeti i Partisë Socialiste Koço Kokëdhima deklaroi sot se nuk do të kandidoj për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të selisë rozë. Kokëdhima u shpreh se ambiciet e tij janë për një post tjetër në PS, por pa e specifikuar se përse bëhej fjalë.

Në një prononcim për “News 24”, Kokëdhima ka pranuar se mes tij dhe Gramoz Ruçit ka pasur debate. Sipas Kokëdhimës, këto debate nuk kanë qenë për shkak të postit, apo për çështje personale, por për çështje parimore.

“Jam në dijeni të shumë spekulimeve që janë bërë në këtë fushë. Është e vërtetë që ka pasur një debat mes meje dhe Ruçit, nuk ka qenë debat personal as për postin e tij, nuk kam qenë asnjëherë interesuar për të kandiduar për këtë post, nuk jam e nuk do të jemi interesuar për këtë. Unë kam respekt dhe punoj në mënyrë bashkëpunuese edhe me Ruçin. Por them se është pjesë e punës tonë që të shprehim pikëpamjet tona. Nuk ka gjëra që na ndajnë, kur ka debate shprehim pikëpamjet tona, por nuk kemi asnjë problem”,- tha Koço Kokëdhima.

Lidhur me detyrën e re që do të marrë këtë të shtunë, Kokëdhima tha se do t’a bënte publike në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. “Nuk do të jem as këtë të shtunë e as më vonë ndonjëherë, si sfidant për postin e sekretarit të përgjithshëm të PS. Do të kandidoj për një detyrë tjetër, do e shpalos në Asamble”, tha deputeti Kokëdhima.

Deklarata për të mos kandiduar për Sekretar i Përgjithshëm shihet edhe si një tërheqje taktike e Koço Kokëdhimës. Duke parë qëndrimet kundër tij të një grupi deputetësh që drejtohet nga Gramoz Ruçi, Kokëdhima ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të pasur ndikim në PS.

Burime nga Partia Socialiste thonë se Kokëdhima po planifikon të marrë një tjetër detyrë të rëndësishme në PS, atë të Sekretarit Organizativ të Partisë, post i cili mbahet aktualisht nga Blendi Klosi. Pavarësisht se posti i Sekretarit Organizativ në hierarki është më poshtë se Sekretari i Përgjithshëm, ndikimi politik në struktura nuk është mjaft i rëndësishëm. Sekretari Organizativ kontrollon gjithë strukturat e PS-së dhe pavarësisht se Kokëdhima nuk zuri vendin e Ruçit, do të marrë në dorë gjithë strukturat e partisë.

SHKARKO APP