Tritan Shehu: Sot Europa feston “D-Day”, Shqipëria “trajsën bosh” të Ramës
Nga Tritan Shehu:
Sot Europa feston “D-Day”- Shqipëria “trajsën bosh” të Ramës!
E gjithë Europa fillon Vaksinimin Covid, një nga inisiativat më të mëdha e të rëndësishme prej D-Day të vitit 1944, prandaj e quajnë të tillë.
Mbas sigurimit të vaksinave, një përgatitjeje infrastrukture, axhendash, sot kjo ngjarje e madhe është realitet shpëtimtar jetësh, shëndeti dhe ekonomie.
Ndërsa Shqipëria është i vetmi vend në Europë i mbetur në “det të hapur”, ku Kryeministri në ikje për të fshehur dështimin sajon në 3 D transformim të stadiumit në “Qendër të bukur e të hapur vaksinimi” për të gjithë Shqipërinë!
Dikush nga ata kolegët duhej t’i thoshte se vaksinimi nuk është futboll, nuk ka nevojë as për fushë të gjelbër e as për godina “të bukura e të hapura”, por ka nevojë për ambjente të sofistikuara e funksionale jo vetëm në Tiranë, për “zinxhir të ftohtë”, për laboratore, specialistë etj.
Të tilla mund të krijohen kudo nga profesionistë, pa improvizime teatrale.
Por mbi të gjitha ka nevojë për kontrata, vaksina të sigurta, sasi, afate kohore, etj, që duheshin programuar dhe jo për “trajsë lypsari”.
Fatkeqësisht dhe në këtë “D-Day” Qeveria nuk ka asnjë traktativë serioze me Brukselin, vende të BE e as me kompanitë, që i certifikon EMA ose FDA.
Kështu ngelin pak mundësi për momentin, ndoshta ajo e përfitimit nga BE të diçkaje prej atyre 65 M dozave për ndihma, a diçka tjetër e ngjashme; sa për Covax duhet pritur gjatë, për shumë pak dhe pa e ditur se për çfarë!
Pra ndërsa në Europë po vaksinohen, Rama shpalos “për të shtyrë kohën” projekte “stadiumesh vaksinimi”, por ndërkaq njerëzit vdesin, vuajnë e ekonomia shkatërrohet.