Turizmi europian merr frymë, në Romë hapet Colosseu dhe muzeu i Vatikanit
Pas izolimit tremujor europianët po kthehen nëpër qendra historike, muze dhe restorante. Një pjesë e kufijve të Europës janë ende të mbyllur kështu që janë vetëm vendasit që po shijojnë veprat e muzeut të Vatikanit apo Koloseun në Romë. Ndërsa në Francë, shumë vetë pritën mesnatën për të ngrënë darkën e parë në restorant.
Nga Parisi në Romë, turizmi po fillon të marrë frymë dhe njerëzit po kthehen në muze apo nëpër kafenetë e qendrave historike. Muzeu i Vatikanit hapi dyert madhështore të hënën, pas lehtësimit të masave kufizuese.
Para pandemisë këtu radhët e turistëve ishin të gjata për të para disa prej kryeveprave të Rilindjes apo artefakte romake dhe egjiptiane.
Por me kufijtë e Italisë ende të mbyllur, ishin vetëm romanët që shijuan muzeun, të paktën për tani. Në mënyrë që të kontrollohet distancimi fizik, vizitorët duhet ta rezervojnë përmes internetin biletën, ndërkohë në hyrje atyre iu matet temperatura.
“Muzeu i Vatikanit është vështirë që të arrihet nga ne vendasit, për shkak të numrit të madh turistëve të huaj…tani ndjehem e lumtur që mund ta shikoj nga afër këtë bukuri,” thotë kjo qytetare.
Brenda në kryeqytetin italian hapi dyert për vizitorët edhe Colosseu. Për t’iu përshtatur rregullave të reja, autoritetet lejojnë brenda amfiteatrit romak një numër të kufizuar vizitorësh 200 deri 300.
“Është shumë emocionuese për ne vendasit që të kemi mundësi ta shijojmë për vete Colosseum, ashtu si në kohërat antike,” thotë Silvia, një qytetare nga Roma.
Përveç muzeve dhe rrënojave arkeologjike, europianët po kthehen edhe nëpër kafene. Jean-Pierre Le Bot pronari i një restoranti në qytetin Nantes të Francës nuk mund të priste më gjatë për të hapur dyert e biznesit.
Kur akrepat e orës kaluan mesnatën e së hënës, ai hapi restorantin “Prison de Bouffay” dhe mirëpriti aty rreth 100 vetë që po prisnin për të ngrënë darkën e parë jashtë pas izolimit.
“Është kënaqësi e madhe për ne që të ritakojmë klientët tanë,” thotë Le Bot.
Në Francë baret dhe restorante janë mbyllur që prej 16 marsit.