Venecia fundos Ramën: Qeveri ANTIDEMOKRATIKE!

Komisioni i Venecias ka dërguar dje në Tiranë opinionin ligjor mbi ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor nga Partia Socialiste dhe opozita false në Kuvend. Dokumenti është cilësohet “draft parapark” dhe u është dorëzuar opozitës, qeverisë dhe Presidentit të Republikës për t’i njohur me përfundimet zyrtare që do të publikohen nga Venecias pas pak ditësh. Pavarësisht termit “paraprak”, opinioni i Komisionit të Venecias ka nota asgjësuese për votimin e njëanshëm nga PS të reformës zgjedhore dhe prekjes së Kushtetutës. Ekspertët e Venecias, që janë nga radhët e juristëve më të mirë ndërkombëtarë, pasi janë njohur me aktet e PS arrijnë në përfundimin se “ndryshimet kushtetuese shkuan kundër rregullave më themelore demokratike të hartimit të ligjit”. Gjithashtu, juristët ndërkombëtarë thonë se “ndryshimet u bënë pa konsultime të duhura dhe jo në një proces gjithëpërfshirës”. Një tjetër pikë serioze që vërehet në opinionin e komisionit është se “ndryshimet ligjore u bënë pasi procesi për zgjedhjet kishte nisur”. Ndërkohë në një tjetër konkluzion të ekspertëve të Venecias theksohet se “rregullat ligjore të imponuara njëanshmërisht nga njëra palë (qeveria) nuk mund garantojnë as barazi në zgjedhje, e as standarde demokratike”. Dokumenti i ekspertëve ka dhe mjaft kritika të tjera që i adresohen qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, si institucione që kanë shkelur rregullat bazë të ligjeve dhe të një vendi demokratik. Në thelb, opinioni i Komisionit të Venecias rrëzon gjithë vendimin e marrë nga Kuvendit për prekjen e Kodit Zgjedhor si dhe aktet që shkatërruan marrëveshjen politike të 5 qershorit, mes qeverisë dhe opozitës.

Nëse Venecia do të kishte funksionet e një gjykate dhe jo thjesht dhënie ekspertizë, sot deputetët e PS që votuan prekjen e Kushtetutës dhe gjithë të rilindasit që ndoqën marrëzinë e Edi Ramës, do të ishin në burg si të akuzuar për shkelje flagrante ligjore. Megjithatë, opinioni i Venecias tregon me gisht se kush janë abuzuesit me pushtetin dhe cilët janë ata që masakruan ligjet e vendit në mënyrën më flagrante. Ekspertët e huaj që nuk janë të opozitës dhe as qeverisë, me argumentet ligjore që kanë dhënë për prekjen e Kushtetutës dhe Kodit, praktikisht kanë fundosur varkën e Rilindjes. Fjalia që thotë se “ndryshimet kushtetuese shkuan kundër rregullave më themelore demokratike”, nuk përdoret për qeveri dhe Parlamente të ligjshëm. Kjo gjuhë juridike zakonisht përdoret për Bjellorusinë apo vende që njihen nga BE dhe SHBA zyrtarisht si regjime. Pra, Edi Rama dhe PS nuk kanë prekur thjesht Kushtetutën në mënyrë të njëanshme, por kanë rrëzuar bazat që mbajnë në këmbë themelet e një demokracie dhe një shteti modern. Kur një qeveri dhe parlament cilësohen me fjalët e regjimeve antidemokratike, legjitimiteti i tyre dhe aktet e kësaj mazhorancë janë të gjitha sjellje të një pushteti që është kundër qytetarëve.

Opinioni i Venecias i jep fund debatit mbi ligjshmërinë e akteve të kësaj qeverie dhe gjithashtu vë në pikëpyetje mënyrën sesi do të administrohen zgjedhjet e 25 prillit. Në qeveri kemi një grup njerëzish që kanë shpallur qëllimin për të mbajtur me çdo kusht pushtetin. Venecia e thotë zyrtarisht se kur rregullat e zgjedhjeve bëhen vetëm nga njëra palë ato nuk garantojnë standarde demokratike. Që sot, me këtë dokument të Venecias, qeveria është kapur duke futur duart në zgjedhje dhe duke manipuluar rezultatin. Ky është raporti i katërt i Venecias që rrëzon qeverinë “Rama” duke shënuar rekord për paligjshmëritë që janë bërë në pak muaj nga një qeveri. Goditja e Venecias vjen pak ditë pasi vendet e BE kanë rrëzuar qeverinë “Rama” për hapjen e negociatave. Janë dy goditje brenda pak ditësh që tregojnë se kjo qeveri ka marrë fund dhe të vetmen shpresë ka vjedhjen e zgjedhjeve. Ndërkombëtarët ia kanë hequr me kohë vizën kësaj qeverie duke mos i hapur negociatat. Ndërsa dje Venecia e mbyti dhe fundosi ligjërisht. Opozita ka detyrën që më 25 prill të nxjerrë masivisht qytetarët në votime për të larguar kufomën politike të Rilindjes.

Mili Xhani

SHKARKO APP