Veton Surroi shpjegon pazarin e ndryshimit të kufinjve nga Thaçi-Vuçiç

Analizë brilante e Veton Surroit.

Ky shkrim i Veton Surroit është botuar në Koha Ditore për katër ditë me radhë. Ai mëton të zbardhë të gjitha anët e debatit që ka filluar për rishikimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë: Si nisi? Cilët janë faktorët ndërkombëtarë në lojë? Ç’kërkojnë Thaçi dhe Vuçiç? Si mund të përfundojë?

Pjesa e parë: Injoranca e Thaçit

1.

Hashim Thaçi ka krijuar një pasion për korrigjime; ka një vit e ca që merret me to intensivisht. Para një viti filloi me korrigjimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës, Doli një ditë para kamerave, tha se kishte në duar ligjin me të cilin e shndërronte FSK-në në ushtri, që ai e quajti FAK (Forcat e Armatosura të Kosovës) dhe premtoi se nuk kishte bir nane që do ta ndalte këtë transformim. Po, ç’është e vërteta, shtoi se këtë veprim, s’do mend e s’do dyshuar, po e bënte në koordinim të plotë me SHBA-në. Doli të ishte një aventurë.

Nuk u pritën as disa ditë për t’i thënë nga SHBA-ja dhe NATO-ja, Thaçit e Kosovës, se ky “korrigjim” nuk kishte gjasa të kalonte; duheshin ndryshime kushtetuese dhe një ecje e mëtejme reformuese. Për më tepër, ligji të cilin e prezantoi Thaçi ka gjasa të shndërrohet në objekt leximi komik në akademitë e mbrojtjes në botë: është i vetmi ligj për ushtri, prej se ka ligj për ushtri, ku përcaktohet se roja e një objekti ushtarak obligohet të bërtasë “Ndal!” dhe nëse urdhri i tij nuk përfillet ka të drejtë për të shtënë në ajër. Ky ligj ka seriozitetin e njëjtë sikur Kushtetuta e Amerikës të përcaktojë se hamburgeri me kaçkavall do të quhet cheeseburger. Pas përpjekjes pranverore për korrigjim të ushtrisë erdhi ajo dimërore për korrigjim të Dhomave të Veçanta (apo Gjykatës Speciale, Gjykatës Marty, sido që të quhet). Me të shpejtë, ndërsa diplomatët perëndimorë niseshin të zinin aeroplanët për në pushimet e Kërshëndellave, Thaçi u përpoq të kalojë me një “korrigjim” të Ligjit të Gjykatës Speciale, në mënyrë që ajo të mos bëhej Gjykatë Speciale, por një më shumë në listën e gjykatave të Kosovës në të cilat Thaçi mund të ushtrojë njëkohësisht rolin e prokurorit dhe të trupit gjykues. Edhe kjo doli të jetë aventurë.

Tha ai dhe thanë të tjerët me të, se ky korrigjim nuk ishte kundër “miqve ndërkombëtarë”- përkundrazi, ishte dakorduar me ta – dhe se nuk kishte bir nane që të pengonte deputetët e Kuvendit të Kosovës që me vullnet të vetin të bëjnë çfarëdo korrigjimi që të duan. Në fund, pas shumë vizitave të diplomatëve perëndimorë që harruan Kërshëndellat e Vitin e Ri, besa edhe Kërshëndellat ortodokse serbe, doli se Kosova nuk ka nevojë ta korrigjojë ligjin. Diplomatët perëndimorë morën një leksion të shpejtë të domethënies së nofkës Gjarpër.

2.

Tash, në të filluar pushimet verore, Hashim Thaçi i ka hyrë korrigjimit të kufijve të Kosovës. Çdo ditë del në ekrane televizive për ta shpjeguar bindjen e tij se është lider, se si lider ka qenë gjithnjë në konsultim me SHBA-në, dhe se si lider që është në konsultim të përhershëm me Amerikën dhe me evropianët është aty për të marrë vendime të dhimbshme kompromisi, por ato nuk kanë nevojë të jenë të dhimbshme, sepse në fakt janë të padhimbshme, meqë nuk bëhet fjalë për ndarjen e territorit të Kosovës, por për korrigjime që do ta zgjerojnë territorin e Kosovës me Luginën e Preshevës në të.

Kështu, Hashim Thaçi është nisur në rrugën e lavdishme të korrigjimeve të mëtejme. Pasi korrigjoi Ushtrinë dhe pastaj Gjykatën Speciale, tash i ka hyrë një sfide të dyfishtë: si ta korrigjojë hartën e Kosovës ashtu që të jetë më e madhe sesa që ishte, dhe si ta shndërrojë dhimbjen në gëzim diçka që dinë lehonat, por që tash do ta mësojë edhe historia politike, krahas leksionit për përfshirjen e cheeseburgerit në Kushtetutën amerikane.

3.

Hashim Thaçi, i njohur si Gjarpri, korrigjimeve të reja – të hartës së Kosovës në më të madhe dhe të dhimbjes në gëzim – i ka hyrë me besim të thellë në dy faktorë që e kanë përkrahur deri tani. Njëri është memoria e shkurtër e një shoqërie që nuk njeh llogaridhënien. Brenda një viti Hashim Thaçi ka ndërhyrë thellë në funksionimin institucional të vendit me “korrigjimet” e Ushtrisë dhe të Gjykatës Speciale e pastaj me përfshirjen personale në rrëmbimin e gjashtë qytetarëve turq dhe dorëzimin e tyre Shërbimit sekret turk, veprime këto kundërkushtetuese.

Nëse i ka kaluar të gjitha ato pa ferrë në këmbë, kush do ta pengojë në aventurën e re, atë të korrigjimit të kufijve, të cilën, siç po shihet po e zhvillon pa përkrahje të shumicës shqiptare? Tjetri është besimi se ndonëse Hashim Thaçi tregon mosdije (eufemizëm për atë që në Shqipëri quhet një copë injoranti), dikush, diku, do të bëjë që të mos gabohet. Besimi mbështetet tanimë në instinktin e adoleshentit kosovar të krijuar në protektorat, se dikush më i rritur, më i pjekur, do të jetë gjithnjë aty për të korrigjuar çapkënëritë dhe budallallëqet e drejtuesve të shtetit, me arsyetimin se bëhet fjalë për shtetin e ri. Që të dy faktorët vazhdojnë ta përkrahin, deri më sot në aventurën e radhës.

Hashim Thaçi i ka hyrë korrigjimit të kufijve me të njëjtën aftësi, njohuri dhe përkrahje siç kishte bërë edhe me korrigjimin e Ushtrisë dhe të Gjykatës Speciale. Por, për dallim prej aventurave paraprake, kjo ka më shumë ambicie dhe kapacitet shkatërrues se cilado prej aventurave të deritanishme të Hashim Thaçit- barazi apo edhe më shumë se me mbajtjen e titullit “kryeministër i Qeverisë së Përkohshme”, më 1999, në kohën kur vriteshin mesatarisht çdo ditë tre serbë pse ishin serbë, dy shqiptarë, sepse nuk mendonin njëjtë, dhe një rom pse qëlloi të kishte ngjyrën më të zezë të lëkurës.

4.

Aventura e re korrigjuese filloi me një karrem të thjeshtë dhe një kurth. Karremi ishte oferta, që pas gjashtë vjetësh negociatash të kota për normalizim, Hashim Thaçit t’i ofrohet një karrem më i madh se deri atëherë. Thaçi pranoi së pari karremin për të hyrë në negociata të ndërmjetësuara nga Ashton në këmbim për asgjë, pastaj hëngri të dytin, me të cilin nënshkroi krijimin e Bashkësisë së komunave serbe në këmbim për asgjë, dhe tash iu ofrua karremi i tretë: të bisedohet për këmbim territoresh. Sikur edhe dy herët e mëparshme, oferta lidhet me një premtim “normalizimi”, që në efektin juridik quhet asgjë.

Juridikisht, fakti që presidenti i Serbisë është ulur me Hashim Thaçin mbi harta, për të parë se çka mund të këmbehet me çka tjetër, nuk e ka ndryshuar realitetin, që për Vuçiqin Thaçi është kryetar i “institucioneve të përkohshme të Kosova e Metohisë”, rrjedhimisht që çfarëdo që ata të merren vesh nuk e ndryshon natyrën juridike të marrëdhënies mes Kosovës e Serbisë. Juridikisht, “korrigjimi” territorial mund të ndodhte mes dy shteteve që njohin njëri-tjetrin, siç është rasti sot mes Kosovës e Malit të Zi. Por, juridikisht, atë që po bën Thaçi me Vuçiqin është përpjekje për krijim të realiteteve të reja në terren pa krijim paraprak të marrëdhënieve të rregullta ndërshtetërore.

Ky proces u përngjet më shumë takimeve mes presidentit serb Milosheviq dhe atij kroat Tugjman,gjatë zhbërjes së Jugosllavisë, të cilët të ulur mbi harta përpiqeshin të krijonin realitetin e ri që duhej t’i paraprinte një ardhmërie, të relacioneve mes dy shteteve të pavarura. Tmerri që pasoi këto biseda “korrigjuese” ende ndihet. Në momentin kur e gëlltiti edhe karremin e tretë, Hashim Thaçi hyri në kurthin që për territore e për harta të bisedojë me parimin e luftës së papërfunduar.

Pjesa e dytë: Fusha e shahut të Vuçiçit

1.

Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiçi deri më tani kanë arritur të përafrojnë qëndrimet. Pas fazës së parë, që mori kohën e vet, të të pajtuarit në parim për këmbim territoresh (që tash quhet korrigjim), gjatë këtij viti janë duke u dakorduar vijat ndarëse.

Edhe këtu është krijuar një pajtim: Serbia nuk synon tërë veriun e Kosovës dhe Kosova nuk synon tërë Luginën e Preshevës. Mund të thuhet edhe ndryshe, se Serbia nuk e jep tërë Luginën apo Kosova tërë veriun, por në thelb, marrëveshja është duke shkuar në drejtim të vizatimit të kufijve të rinj brenda veriut të Kosovës dhe brenda Luginës së Preshevës.

Kjo është çka ndodh kur Thaçi flet për ‘korrigjim’. Fjala nuk është e rastësishme, është e përzgjedhur nga njëri prej këshilltarëve të huaj, ish-diplomat evropian, i përfshirë në përpjekjen për arritjen e marrëveshjes së fshehtë mes Thaçit dhe Vuçiçit.

Dhe, Thaçi dhe Vuçiçi mund të dalin e të flasin me të njëjtën gjuhë- pra ‘korrigjim’, madje edhe të dakordohen tërësisht mbi rindarjen gjeografike, por Thaçi dhe Vuçiçi kanë kundrime të ndryshme të zhvillimit të mëtejmë dhe epilogut të këtij procesi.

Për Hashim Thaçin, ekziston një lëvizje lineare që çon prej marrëveshjes së ndarjes në njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, për të dhe këshilltarët e tij, që nga momenti kur bëhet marrëveshja për ‘korrigjim’ duhet të kalojnë disa muaj negociatash të papërcaktuara që duhet të prodhojnë njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Por, kjo nuk është në letrat e presidentit të Serbisë. I pasionuar pas shahut, Vuçiçi e sheh këmbimin territorial vetëm si hapje-këmbim e piunit me piun – në një lojë më të gjatë, më të gjerë e më të thellë gjeopolitike.

2.

Për presidentin e Serbisë, çfarëdo marrëveshjeje për ‘korrigjim’ quhet ligjshmërisht e mundshme brenda Kushtetutës së Serbisë; pra është korrigjim i ‘vijës administrative’ mes Republikës së Serbisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë. Kjo i jep hapësirë Vuçiçit që të thotë se nuk është arritur ende marrëveshja për statusin e Kosovës, pra se duhet një proces tjetër negociator për të arritur marrëveshja me Kosovën.

Procesi i Brukselit mund të ishte një opsion, por ai tashmë ka treguar se është proces i ngathët, me profil tejet të ulët ndërmjetësues. Për më tepër, Serbia nga ky proces ka nxjerrë maksimumin-statusin e kandidatit dhe fillimin e negociatave për anëtarësim.

Nga zyra e Mogherinit nuk kanë më çka të japin. Në tabelën e shahut të Vuçiçit tashmë shihet një proces tjetër, propozimi për një konferencë ndërkombëtare të fuqive të mëdha (të stilit Dayton e Rambouillet).

Nga parapërgatitja që është bërë nga Republika e Serbisë, arsyetimi për konferencë të këtillë është tashmë i pranishëm në disa kancelari të rëndësishme perëndimore. Sipas Serbisë, BE-ja nuk ka forcë implementimi të marrëveshjeve të veta (siç shihet me Bashkësinë e komunave serbe, obligim i nënshkruar nga Thaçi, por i pazbatuar ende).

Në mungesë të një procesi të mirëfilltë, Vuçiçi dhe Thaçi kanë arritur pajtimin në parim për korrigjimin e kufijve, por ky pajtim duhet të jetë pjesë e një kornize më të gjerë, ku definohet statusi i Kosovës (e Metohisë). Dhe , sipas këtij shpjegimi, konferenca është e nevojshme, sepse gjendja në Kosovë po tensionohet, posaçërisht në veri.

Skenari është fare i prekshëm këto ditë në Kosovë. Sapo u arrit pajtimi për qasjen e re që nuk quhet më ndarje etnike e as këmbim, por korrigjim (jo krejt veriu, jo krejt Lugina), në mediat e afërta me pushtetin në Beograd filluan shkrimet mbi ofensivën ushtarako-policore që po përgatit Prishtina për ta marrë veriun.

Njëkohësisht, me sinkronizim teatral, në Prishtinë është ngritur gjendja e gatishmërisë së policisë, formalisht si parapërgatitje për shpalljen e autonomisë serbe në veri. Në ditët që vijnë mund të jetë lehtë e parashikueshme të mbahet a të rritet tensioni në pjesën veriore të vendit dhe është lehtë e parashikueshme që në këtë tension të kërkohet një ekses –pa adresë të qartë të shkaktarit – ndoshta edhe me viktimë njerëzore, në mënyrë që të arsyetohet nevoja për shpejtim të negociatave. Natyrisht, në një konferencë ndërkombëtare.

3.

Nëse arrin objektivin e konferencës ndërkombëtare, të iniciuar me marrëveshje të fshehtë për ‘korrigjim’ e të shtyrë nga ‘rritja e tensionit në veriun e Kosovës’, Serbia ka gjasa të krijojë depërtime strategjike deri tani të paimagjinueshme. Ja një listë e shkurtër: -Konferenca ndërkombëtare do të vazhdonte formatin e mëparshëm (Dayton, Rambouillet), pra do të ishte në përbërje BE, SHBA dhe Federata Ruse.

Në një gjendje ku politika e jashtme amerikane përpiqet ende t’i përshtatet presidentit Trump dhe ku BE-ja është më e dobët dhe e çekuilibruar më vete e ndaj Kosovës se ç’ka qenë ndonjëherë, Federata ruse e rishfaqur në skenë mund të jetë faktori më konsistent me politikën e vet të jashtme. -Konferenca ndërkombëtare e organizuar si vijim i parimit të ‘korrigjimit’ do të pranonte po ashtu logjikën e etapave.

Pra, nëse Thaçi dhe Vuçiçi janë pajtuar që të bëjnë ‘korrigjim’ territorial pa njohje të ndërsjellë, atëherë në parim është e mundur që konferenca të trajtojë edhe çështje të tjera të mbetura, pa njohje të ndërsjellë. Pika numër një do të ishte autonomia territoriale-politike e serbëve në Kosovë, me emrin Bashkësia e Komunave Serbe.

-Meqë parimi fillestar është korrigjimi, në këtë konferencë ndërkombëtare do të mundë të kandidohej edhe çështja e Republikës serbe të Bosnjë-Hercegovinës, si çështje e mbetur nga zhbërja e ish- Jugosllavisë. Kjo do të bëhej me kërkesën e kryetarit Dodik se çfarëdo që të ndodhë me Kosovën, të ndodhë edhe me Republikën Serbe.

Apo, duke ‘rritur tensionin në marrëdhëniet mes Republikës Serbe dhe autoriteteve qendrore të Sarajevës’. -Serbia do të kishte pozicionin qendror të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Vuçiçi do të hynte në negociata si presidenti i një vendi që, po t’i zgjidhë këto probleme të mbetura nga zhbërja e ish-Jugosllavisë, do të ishte i gatshëm për anëtarësim në BE – më 2025. Për më tepër, këtë do ta bënte duke mos hequr dorë nga lidhja e ngushtë me Rusinë, siç i kërkohet nga BE-ja, sepse marrëveshja në konferencën ndërkombëtare nuk do të ishte e mundshme pa bekimin e Rusisë. -Kosova në rastin më të mirë do të ishte vendi, presidenti i të cilit shpëtoi nga ndjekja e Gjykatës Speciale, falë konferencës dhe marrëveshjes së arritur në të.

4.

Tabela e shahut e Aleksandër Vuçiçit synon të prodhojë rezultatet në vijim: Të rihapë statusin e Kosovës dhe Bosnjë – Hercegovinës në kondita të reja; Duke fituar në hapjen e sërishme të statusit të Kosovës, të arrijë marrëveshje me Kosovën që do të zhvillojë në etapa relacionin, si në njohjen e Kosovës nga Serbia në një të ardhme, ashtu edhe në përcaktimin përfundimtar të territorit të shtetit që njihet; Të krijojë analogji të njëjtë, me proces të përcaktuar shkëputje të Republikës serbe brenda një afati jo të gjatë; Të dalë nga kriza e zhbërjes së ish- Jugosllavisë si lider regjional, me hapa të shpejtuar integrues në BE. Dhe, fare në fund, por jo për nga rëndësia, që të tregojë se e mban fjalën, se tabela e shahut nuk është vizatuar vetëm në Beograd, por edhe në Moskë.

Pjesa e tretë: Dera që po i hapet Rusisë

1.

Në shikimin nga Moska “korrigjimi” i Hashim Thaçit mund të shihet me buzëqeshjen e madhe të një rasti të mirë gjeopolitik. Rusisë i hapen dy depërtime të mëdha strategjike: i pari si vazhdim i dëmtimit të demokracisë liberale dhe institucioneve të saj në hapësirën ish-komuniste dhe i dyti faktorizimi në politikën e sigurisë në Evropë, dhe kudo që Rusia konsideron se ka pika fërkimi me Perëndimin (si p.sh. në Siri). Në Kosovë këtë rast mund t’ia japë skenari që është në zhvillim e sipër për konferencë ndërkombëtare që do të “gjejë zgjidhje kompromisi për Kosovën”, e në të cilën Kosova do të insistonte të marrë pjesë SHBA-ja, e Serbia do të kërkonte praninë e Rusisë (me arsyetimin plotësues se çfarëdo marrëveshjeje për Kosovën duhet edhe ashtu të kalojë nëpër Këshill të Sigurimit të OKB-së, me bekimin e Rusisë).

Ky do të ishte depërtim natyral strategjik në faktorizim. Por, krahas tij, Rusia mund ta fitojë gratis testin e parë në vazhdën e politikës së vet të pengimit të konsolidimit perëndimor dhe atë, paradoksalisht, me ndihmë të drejtpërdrejtë të shqiptarëve. Ndonëse Rusia kishte bërë përpjekje për pengimin e një marrëveshjeje mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin e kësaj të fundit, ajo u arrit dhe si fryt i saj Republika e Maqedonisë së Veriut mund të bëhet së shpejti vend anëtar i NATO-s. Por kusht për këtë është referendumi në këtë shtet që, duke pyetur për emrin e ri , tash shndërrohet në pyetje për anëtarësim në NATO apo jo.

Dhe, kusht që të fitojë referendumi është që të gjithë shqiptarët e Maqedonisë të votojnë për të- meqë elektorati maqedonas mund të jetë i ndarë. Dhe, meqë referendumi mbahet në shtator, nuk ka moment më të keq për mobilizim të shqiptarëve të Maqedonisë sesa t’u thuhet se ka filluar një proces i rivizatimit të kufijve (“korrigjimit”) në baza etnike mes shqiptarëve dhe serbëve.

Pyetja logjike që vijon është: nëse mund të bëhet mes shqiptarëve e serbëve, pse nuk mund të bëhet mes shqiptarëve e maqedonasve? Nëse mundet Presheva, pse nuk mundet Tetova? Shpjegimi për këto pyetje është i gjatë, dhe në fund del se nuk bën as Presheva e as Tetova- por koha kritike e parareferendumit nuk është e përshtatshme për shpjegime të gjata. Koha e parareferendumit do të ishte, në kushte normale, ajo kur të gjithë shqiptarët e regjionit të jepnin një mesazh unik, se duhet votuar referendumin, meqë ai shpie në NATO dhe e përcakton Maqedoninë në Perëndim, ndërsa nga Rusia dhe satelitët e saj të vinin porositë kundër referendumit, meqë ende nuk ka përfunduar procesi i ndarjeve etnike. Në kushte abnormale, porosinë e Rusisë e jep kryetari i Kosovës.

2.

Testi i Maqedonisë është imediat, dhe nëse në javët në vijim vazhdon porosia nga Hashim Thaçi për tregtinë e “korrigjimit”, faktori shqiptar në Maqedoni, i cilësdo përkatësie partiake do të jetë në gjendje të vështirë mobilizimi. Në konditat ku Rusia ka një avantazh në politikën e vet dezinformuese mediatike, hamendësimet brenda trupit shqiptar mund të kenë një rezultat tejet diskutabil në referendumin e Maqedonisë. Dhe nëse nuk kalon referendumi, Rusia do ta shënojë fitoren e vet të parë në këtë cikël, të pengimit të konsolidimit të institucioneve perëndimore në Ballkanin Perëndimor. Atëherë i mbeten edhe dy që nuk janë të vështira për të shënuar.

E para është krijimi i simetrisë mes Republikës Serbe dhe Kosovës. Meqë tashmë po hyn në funksion “korrigjimi” i kufijve, ai bëhet parim dhe nuk mund të kufizohet vetëm në Kosovë. Rrjedhimisht, në skenarin për zgjidhjen e problemeve të mbetura të ish-Jugosllavisë, Rusia mund të kërkojë përfshirjen e Bosnjë-Hercegovinës si çështje për të zgjidhur, qoftë nëpërmjet “korrigjimit”, qoftë nëpërmjet parimit “pasqyrë”, pra që Republika Serbe të ketë status të njëjtë ndërkombëtar si dhe Kosova. E dyta është që Serbisë t’i ulen standardet e aderimit në BE. Serbia si shtet i cili po negocion anëtarësimin në BE ka obligim që të bashkërendisë politikën e vet të jashtme me atë të BE-së.

Prej se është bërë shtet kandidat, Serbia këtë nuk e ka bërë as edhe një herë kur ka qenë fjala për Rusinë; pra përmbushja e obligimeve që ka Serbia ndaj BE-së në politikë të jashtme mbetet diku nën pesëdhjetë për qind. Në rast se “korrigjimi” i kufijve shndërrohet në pikënisjen e zgjidhjes së problemeve mes Serbisë dhe Kosovës, dhe kjo pranohet nga Perëndimi, Serbia do të fitojë më shumë përkrahje në rrugën e vet integruese, pa marrë parasysh se çfarë bën në politikën e vet të jashtme karshi Rusisë. Dhe kështu do të fitohet një pikë shumë e madhe strategjike: relativizimi i politikave të sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë.

3.

Ditën kur Hashim Thaçi lajmëroi se do ta zgjidhë problemin me Serbinë nëpërmjet “korrigjimit” mund ta ketë ftuar Rusinë të hyjë nga dera e vogël, por Rusia është tepër e madhe për t’u kënaqur me deriçka. Edhe nëse i fiton të tri betejat taktike- të dështojë referendumi në Maqedoni, të hapet çështja e Bosnjës krahas me Kosovën, dhe të relativizohet rusizmi i Serbisë- Rusia nuk do të mjaftohet me kaq. Do ta shohë këtë si një rast ideal për avantazhe më të mëdha . Dhe për të avantazhi më i madh strategjik është të paraqiturit si palë e cila kontrollon konflikte të papërfunduara në shtete të papërfunduara e në regjione të pakonsoliduara, duke filluar nga Gjeorgjia e Ukraina e duke përfunduar në Bosnje e Kosovë.

Në gjeopolitikën ruse, që të gjitha krizat duken njëjtë, sado të jenë të ndryshme gjeografitë, popujt, gjuhët e doket dhe zakonet: në të gjitha bëhet fjalë për pengimin e depërtimit të Perëndimit afër Rusisë. Dhe dikur Rusia e konsideronte veten në pozitë defanzive, duke konsideruar se mbrohej nga Perëndimi brenda kufijve të Gjeorgjisë. Tash e konsideron veten në ofensivë dhe e mbron veten duke sulmuar procesin zgjedhor presidencial amerikan, marrëveshjen për emrin e Maqedonisë apo mundësinë e zgjidhjes së marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës. Pjesë e kësaj ofensive është bërë koncepti i “korrigjimit të kufijve”.

4.

Në gjeopolitikën ruse Kosova quhet edhe Krime, Transdnjestër, Oseti , Abkhazi dhe cilido emër i ndonjë konflikti të papërfunduar të zhbërjes së Bashkimit Sovjetik që do t’i ketë rënë në mend. Qartazi, Kosova nuk ka qenë pjesë e asaj të kaluare, nuk ka pse të jetë pjesë e së tashmes, e aq më pak zgjidhje e së ardhmes. Thjesht, nuk ka pse të jetë pjesë e gjeopolitikës ruse, dhe ka mënyrë se si të mos jetë.

 

Pjesa e katërt: pse duhet penguar Thaçi

1.

Kosova nuk e ka fare të vështirë ta ndërtojë një koncept të ri negociator; thjesht, nuk duhet të bëjë atë që ka bërë Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij deri tani. Prej vitit 2011 deri më sot kanë bërë negociata duke vënë në pikëpyetje statusin e Kosovës, e në dy vjetët e kaluar këto negociata kanë vënë në pyetje edhe tërësinë tokësore të Kosovës. Pra, në dialogun e Brukselit Kosova ka negociuar duke pranuar se pavarësia e Kosovës ka të njëjtën vlerë dhe mundësi zhvillimi, sa edhe vendosja e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë. Ndërkohë, Thaçi dhe negociatorët me të kanë pranuar se mund të bisedohet edhe për kufijtë e vendit, në emër të korrigjimit.

Që të dyja këto pozicione janë të dëmshme. Vetëpranimi i një pavarësie të kontestuar ka çuar në gabime të tjera, siç ishte Bashkësia e komunave serbe, si rirregullim i brendshëm në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, ndërkohë që negociatat për “korrigjim” e çojnë në Kosovën që të shërbejë për destabilizimin e tërë regjionit. Asnjëra prej këtyre qasjeve nuk siguron normalizim të marrëdhënieve me Serbinë; krijon vetëm abnormalizim të mëtejmë.

2.

Me gjithë dobësinë evidente institucionale, i mbetet Kuvendit të Kosovës që ta ndërpresë këtë rrjedhë negociatore.

Parlamenti i vendit mund të bëjë dy gjëra me rëndësi.

Së pari dhe urgjentisht, duhet të mblidhet për ta ndalur Hashim Thaçin që në emër të Kosovës të veprojë më tutje në negociata. Ai tashmë ka tejkaluar jo vetëm kornizat e mungesës së përkrahjes politike për veprimet e veta, por ka tejkaluar edhe kornizat e së lejuarës me Kushtetutë. Në aktin më të madh juridik të vendit nuk i jepet kompetenca që të vërë në pyetje (a tryezë bisedimesh) tërësinë tokësore të vendit. Përkundrazi, e ka krejtësisht të ndaluar.

Në këtë vazhdë Kuvendi i Kosovës ka mundësi të krijojë një rezolutë me të cilën, në formë të thjeshtësuar, definohen tri vija të kuqe, të cilat negociatorët kosovarë nuk do t’i kalojnë.

Pra, Kosova do të hyjë në negociata duke mos i bërë të negociueshëm kufijtë shtetërorë me të cilat, në një proces të ndërmjetësuar ndërkombëtar me mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së vendi ka shpallur Pavarësinë.

Pastaj, Kosova do të hyjë në negociata duke mos i bërë objekt të tyre rregullimin e vet kushtetues të një demokracie shekullare dhe shumëkulturore.

Dhe, së fundmi, Kosova do të hyjë në negociata duke mos e vënë si objekt të tyre përcaktimin strategjik që, duke bashkëjetuar në fqinjësi të mirë, të jetë në të ardhmën vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian.

Po t’i kishte këto tri qasje parimore (“vija të kuqe”) Kosova nuk do të pranonte që të shkonte në Bruksel për t’ia vënë vetes asteriskun e mëdyshjes a ka shpallur pavarësi a jo, nuk do të merrej me “korrigjime” kufijsh e as do të vendnumëronte në pozitën e vet ndërkombëtare.

3.

Këto tri qasje parimore do të ndihmojnë për të penguar rrugën e tanishme të theqafjes, por janë të pamjaftueshme pa veprimin e dytë të nevojshëm, e ai është definimi i një kornize të re negociatore. Kjo kornizë duhet që ta largojë vendin nga skenari i një “konference ndërkombëtare”, në të cilën do të hapeshin temat regjionale dhe do të rikthehej ndikimi i Rusisë. Nga ana tjetër, kjo kornizë duhet ta drejtojë kah formati evropian, me përkrahje amerikane, që tejkalon dukshëm rezultatet e vobekëta të “dialogut të Brukselit”.

Korniza, rrjedhimisht, do të kërkojë që Kosova të përcaktojë se çka është ajo që kërkon në këtë proces negociator. Dhe, kjo nuk është e vështirë të bëhet konceptualisht. Gjatë pothuajse tërë dhjetëvjetëshit të Pavarësisë së Kosovës, negociatat zhvilloheshin në ambiguitet, dykuptimësi: si të bëhet një lloj bashkëpunimi me entitete që nuk e njohin njëri-tjetrin. Procesi i ardhshëm negociator duhet të fillojë prej një premise normale: si të bashkëpunojnë, në fqinjësi të mirë, Kosova dhe Serbia, si shtete evropiane. Pra, konceptualisht, si të transformohet konfrontimi në bashkëpunim?

Duket si fantashkencë që ky të jetë synimi, por është fantashkencë, sepse deri tani synimet e negociatave mes Kosovës e Serbisë kanë qenë të varfra – qenë për të penguar fërkimet, njërin pas tjetrit, e jo atë që duhet bërë, që Serbia dhe Kosova të synojnë një paqe të qëndrueshme. Një paqe ku do të trajtonin të gjitha çështjet e hapura që mund të jenë kauzë luftërash në të ardhmen.

4.

Kjo është diçka që Kuvendi i Kosovës së bashku me Qeverinë mund ta bëjnë menjëherë, në ditët në vijim.

Në fakt, kjo është diçka që partitë politike në Kosovë, në pushtet e opozitë, duhet ta bëjnë menjëherë.

Nëse nuk e kanë vërejtur, vendi i cili negocion territorin e vet tashmë quhet të ketë hyrë në gjendje të jashtëzakonshme.

SHKARKO APP