Video editorial i “Koha Jonë”: Rezoluta e BE, më e pakta qeveria të dorëhiqet

Video editorial i “Koha Jonë”: Rezoluta e BE, më e pakta qeveria dorëhiqet

Editorial/ Rezoluta e BE, më e pakta qeveria dorëhiqet

Parlamenti Europian ka vendosur mbrëmjen e së enjtes miratimin e 15 kushteve për negociatat me Shqipërinë. Shumica e euro deputetëve kanë votuar pro rezolutës së Partive Popullore Europiane, të cilët kërkojnë që 15 kushtet të jenë plotësuar para takimit të parë ndërqeveritar mes Tiranës dhe Komisionit Europian. Me këtë vendim të Parlamentit Europian, nuk kemi më këshilla, rekomandime dhe sugjerime nga Brukseli, por një ligj të miratuar nga institucioni më i rëndësishëm në Bashkimin Europian.  Dhe Rama nuk ma se si të rrejë popullin shqiptar se gjoja nuk “ka 15 kushte”. Tani të gjithë e morën vesh se deputetët e BE votuan për kushte më të forta ndaj qeverisë së Edi Rama, sepse qeveria e tij ka shkelur shumë ligje, Kushtetutën dhe quhet si një qeveri represive dhe e korruptuar.

Gati dy vite më parë ishte Parlamenti Gjerman që ndërhyri për të mos rrëzuar integrimin e Shqipërisë dhe deklaroi fillimisht 9 kushte që duheshin plotësuar nga qeveria “Rama”. Qëllimi ishte që qeverisë së kryeministrit Edi Rama t’i jepej kohë për përmirësim të situatës politike dhe të jepte shenja të luftës ndaj krimit të organizuar.  Kushtet fillimisht lidheshin me hetimin e dosjes së Dibrës dhe Durrësit për vjedhjen e votave dhe ndëshkimin e korrupsionit në nivele të larta. Qeveria “Rama” nuk plotësoi asgjë, por thelloi krizën politike duke sjellë djegien e mandateve të opozitës, zgjedhjet moniste të 30 qershorit 2019 dhe bllokimin e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Brenda pak muajsh keqqeverisja e Edi Ramës pati sukses vetëm në shtimin e kushteve të BE për negociatat. Produkt i kësaj politike anti-BE dhe anti-kombëtare sot është fakti se nuk kemi më 9 rekomandime të Bundestagut Gjerman, por 15 pengesa të forta që janë kthyer në ligj nga Parlamenti Europian.

Vendimi i Parlamentit Europian është marrë pak orë pasi në Tiranë Kuvendi diskutonte mbi procesin e integrimit. Në mënyrë gati të turpshme, në 1 orë debat askush nga deputetët nuk foli për 15 kushtet. Ditmir Bushati, i vetmi socialist që ka mbetur në radhët e Rilindjes dhe që përvoja në diplomaci e rendit te njohësit më të mirë të procesit të integrimit, nuk u lejua të flasë në Kuvend. Për negociatat foli vetëm Edi Rama dhe deklaroi se nuk ka kushte dhe qeveria e tij po vijon me reformat! Pak ditë më parë kur u pyet nga gazetarët pikërisht për 15 kushtet tha se ky ishte një mashtrim që nuk duhet ta përsëriste askush, pasi nuk ka asnjë kusht.

Duke rrëzuar gjithë propagandën rilindase, Parlamenti Europian na kujtoi dje se jo vetëm nuk jemi më afër BE-së, por me këtë qeveri kemi bërë shumë hapa prapa. Dështim më të madh me negociatat dhe integrimin nuk ka pasur asnjë qeveri tjetër para kësaj të kryeministri Edi Rama. Goditja që ka marrë procesi me vendosjen e kushteve shtesë mund të krahasohet vetëm me pasojat që la në procesin e integrimit viti i mbrapshtë 1997. Por nëse në atë kohë ishim në prag të një lufte civile, sot jemi para situatës kur qeveria i ka shpallur luftë Bashkimit Europian dhe ëndrrës se shqiptarëve për integrim në BE. Për herë të parë për dështimin e negociatave faji nuk mund të ndahet mes qeverisë dhe opozitës. Kjo e fundit nuk ka më asnjë rol vendimmarrës në institucione dhe nuk mund të bëjë asgjë për plotësimin e kushteve. Prej më shumë se një viti jashtë parlamentit, e vetmja gjë që opozita kishte në dorë ishte dhënia e konsensusit për reformën zgjedhore, që ishte një prej kushteve. Konsensusin e dha, por reforma ka mbetur ende në zyrën e Edi Ramës dhe gjasat janë që edhe këtë marrëveshje ta rrëzojë. Me këtë akt dhe 14 kushtet e tjera, përballë BE është vetëm qeveria “Rama”, e cila ka dështuar tolalisht në procesin e integrimit. Çështja e integrimit në BE është prioritet kombëtar dhe nuk duhet parë si mos realizimi i një premtimi elektoral të qeverisë. Më shumë se kaq, Edi Rama ka shkatërruar ëndrrën e 30 viteve dhe ka ndryshuar kursin e procesit të integrimit në mënyrë të pafalshme.

Pas vendimit të BE nuk ka vend as për justifikime dhe as për fajësime ndaj Europës që nuk na do ne shqiptarëve. Përgjegjësit e këtij dështimi janë në qeveri dhe është koha që të japin llogari. Nuk mund të na pranojë Europa nëse qeveria që na përfaqëson nuk e do integrimin dhe po bën të pamundurën të na mbajë larg BE. Pas këtij dështimi, më e pakta që duhet të bëjë qeveria “Rama” është që të dorëhqiet. 15 kushtet, mes të cilave ngritja e gjykatave, përsëritja e zgjedhjeve dhe dënimi i korrupsionit në nivele të larta, janë si litar në qafën e kësaj qeverie.

Nëse do kishim kryeministër sado pak të përgjegjshëm jepte dorëheqjen. Në Maqedoni kryeministrit Zaev dha dorëheqjen sapo BE i shtyu negociatat. Kurse në Tiranë qeveria e PS-së as që e vret mendjen për 15 kushtet e Parlamentit Europian. Ndaj duhet që Opozita të reagojë me popull.

SHKARKO APP