Video editorial i “Koha Jonë”: Tradhtia ka emrin Rilindje

Video editorial i “Koha Jonë”: Tradhtia ka emrin Rilindje

Editorial/ Tradhtia ka emrin Rilindje

Partia Socialiste ka nisur së fundi një fushatë kontradiktore kundër kreut të Partisë Demokratike dhe Luftës së UÇK-së në Kosovës. Nga njëra anë duan të dalin si patriotë dhe të mbrojnë luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës kundër Serbisë. Nga ana tjetër, çështjen e padive të Gjykatës Speciale kundër krerëve të UÇK-së duan ta përdorin si një mundësi për të goditur politikisht Lulzim Bashën për aktivitetin e tij si pjesë e UMNIK-ut. Janë dy gjëra të kundërta që nuk mund të rrinë bashkë dhe kauzat e Rilindjes ngatërrojnë njëra-tjetrën. Politikisht PS është në të drejtën e saj të kërkoj pretekste për të sulmuar kundërshtarin. Problemi është se duke dashur të sulmojnë Lulzim Bashën për llogari të vogla politike, rrezikojnë të dëmtojnë gjithë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç dhe realisht po bëjnë. Historia që po sajojnë për kreun e PD dhe rolin e tij si pjesë e misionit ndërkombëtar, më shumë se dëmton Lulzim Bashën, po krijon idenë se Rilindja është në kërkim të fakteve që bëjnë pisë luftën e Kosovës.

Basha akuzohet nga PS dhe mediat afër saj se ka ndihmuar si pjesë e UMNIK në hartimin e dosjeve kundër luftëtarëve të UÇK-së. Dëshmitë që kanë sjellë për këtë argument qesharak rilindasit deri më sot janë rrëzuar të gjithë. Është rrëzuar përpjekja për të lidhur Bashën me hetimet për Shtëpinë e Verdhë, ku gjasme kryheshin trafik organesh. Gjithashtu, është rrëzuar dhe përpjekja për ta lidhur Lulzim Bashën me fshehjen e dëshmive dhe videove për krimet serbe.

Kërkesa e PS për ngritjen e një komisioni hetimor për akuzat e prokurorit sharlatan Dick Marty është një tjetër marrëzi që dëmton pikërisht UÇK. Rilindasit nuk kanë hallin e Dick Marty, pasi shumica e tyre nuk e kanë idenë se çfarë ka raporti i tij. Me anë të Dick Marty ata po kërkojnë të ngrenë një komision hetimor që do të synon të hetojë rolin e Lulzim Bashës në UNMIK dhe jo akuzat e prokurorit mashtrues filo serb. Në këtë mënyrë, indirekt rilindasit do të riciklojnë edhe njëherë akuzat monstruoze të serbëve kundër UÇK-së dhe do të dëmtojnë edhe kauzën e shqiptarëve në rajon.

Duke sulmuar Lulzim Bashën për këtë pjesë, Rilindja ka hyrë në një skenar të rrezikshëm që figurës politike të kreut të PD nuk i bën asnjë dëm, por UÇK-së dhe Kosovës mund t’i sjellë pasoja të pallogaritshme. Historia e Lulzim Bashës në UNMIK nuk ka asnjë dritë hije. Në vitet kur Edi Rama quan si kontributin e tij më të madh për Kosovën dhënien e intervistave mediatike, Lulzim Basha ka qenë pjesë e stafit ndërkombëtar që hartoi dosjen për në Hagë të Sllobodan Milosheviçit. Kaq mjafton për të kuptuar diferencën mes të kaluarës së Edi Ramës dhe Luzlim Bashën në raport me Kosovës. Nga ana tjetër, historia familjare e Lulzim Bashës, si pasardhës i atyre që janë larguar nga Drencia për shkak të masakrave serbe, e bënë të paimagjinueshme dhe marrëzi përfshirjen e tij në akuza që dëmtojnë shqiptarët e Kosovës.

Por teksa gjithë bateritë mediatike të Rilindjes janë lëshuar kundër Lulzim Bashës për të kaluarën e tij kur nuk ishte në politikë, është koha të shohim se çfarë po bën PS tashmë që drejtuesit e UÇK-së janë të gjithë nën akuzë për krime. Në vend të një fushate ndërkombëtare lobimi pro Kosovës dhe luftës saj, shohim një fushatë kundër Lulzim Bashës dhe opozitës. Në vend të takimeve për Kosovën  dhe interesat e saj, Edi Rama takohet rregullisht me Aleksandar Vuçiç. Serbia po kërcënon me luftë, ndërkohë që Edi Rama vijon t’i japë oksigjen Beogradit me projektet idiote të minishengenit. Këto janë aktet e fundit të Rilindjes, por jo të vetmet në dëm të Kosovës. Ideja e ndarjes së kufijve mori hov pikërisht pas dakordësisë së qeverisë së Rilindjes dhe pasojat e këtyre qëndrimeve amatore në diplomaci po shihen edhe sot.

Sot të gjithë rilindasit postojnë logot e famshme me parullën “Liria ka emrin UÇK”, por nëse sheh aktet e qeverisë “Rama” në raport me Kosovën, rezulton se tradhtia ka emrin Rilindje.

SHKARKO APP