Rama: Stenda jonë në Panairin ITB Berlin përcolli të gjitha shijet e Shqipërisë turistike
Kryeministri Edi Rama ka treguar përshtypjet e turistëve të huaj për stendën e Shqipërisë në panairin e turizmit në Berlin. “Stenda jonë në panairin më të madh në botë të turizmit ITB Berlin ia doli më së miri të përcillte të gjitha shijet, ngjyrat e ndjesitë e Shqipërisë Turistike duke u dhuruar një përvojë të mrekullueshme udhëtimi virtual të gjithë kureshtarëve që e vizituan dhe shprehën entuziazmin për ta eksploruar dhe ripërjetuar këtë vend duke nisur nga ky vit”, u shpreh Rama. Në Facebook Rama ka postuar një video ku turistë shfaqën përshtypjet e tyre për vendin tonë dhe dëshirën për ta vizituar.
“Jam në stendën e Shqipërisë për të zbuluar rreth këtij vendi të mrekullueshëm. Këtë verë e kam në plan, me 10 miq të mi, ta eksplorojmë pak më tepër këtë vend”, u shpreh një turiste. “Jemi këtu për të vizituar stendën dhe na pëlqen shumë”, thanë një grup të rinjsh. Të pyetur nëse kanë qenë ndonjëherë në Shqipëri, ata thanë se, “jo, akoma, por po planifikojmë ta vizitojmë”.
Një turiste italiane u shpreh se, “e perceptova Shqipërinë me anë të VR (Realitet Virtual) në stendë dhe ishte një emocion i vërtetë, një vend për të cilin nuk mendoja se ishte kaq”. Një turist gjerman tha se, “kam qenë për herë të parë në vitin 2019 me kamper, kam njohur njerëzit dhe vendin. Është e pabesueshme si janë kaq mikpritës. Është një destinacion i sigurt”.
“Kur kam qenë në Shqipëri 5 vite më parë e kam shijuar vërtetë. Mendoj se është një prej vendeve me njerëzit më mikpritës në gjithë Evropën. Ka një natyrë të bukur, energji të mirë dhe sigurisht që dua të rikthehem”, u shpreh një tjetër turiste. Ndërsa një gazetare nga Gjermania tha se, “kam qenë një herë në Shqipëri. Kam vizituar kryeqytetin Tiranën dhe gjithashtu Beratin e Vlorën. Por do të doja të kthehesha sërish, sepse dëshiroj të vizitoj veriun dhe Alpet e Shqipërisë”.
Pak me përpara Rama kishte postuar një status për Belshin: “Belshi i Rilindur nga ferrat e plehrat ku e gjetëm kur morëm detyrën, fitoi dje Çmimin e Dytë si destinacion i Turizmit të Gjelbër, mes 100 vendeve të përzgjedhura nga e gjithë bota, në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin.
Një super bravo kryetarit të bashkisë Arif Tafani, ekipit simpatik të Bashkisë Belsh, sipërmarrësve të vegjël të Belshit që me investimet e tyre në hoteleri e shërbime po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë, si edhe komunitetit të mirë e mikpritës belshiot”.