Vritet kreu i ISIS, terroristi më i rrezikshëm në botë. Trump: Vdiq si qen
Forcat Speciale amerikane kanë ekzekutuar sot një nga terroristët më të rrezikshëm në botë. Kreu i Shtetit Islamik (ISIS), Abu Bakr al-Bagdadi, u vra pas një operacioni të ushtrisë së SHBA në Siri. Organizata terroriste ISIS është përgjegjëse për më shumë se 250 mijë viktima në konfliktin e Sirisë, si dhe mijëra të tjera në gjithë botën.
Al-Bagdadi, prej vitit 2014 cilësohej si terroristi më i rrezikshëm dhe njeriu më i kërkuar nga SHBA dhe NATO. Lajmi për vrasjen e tij u komunikua nga Presidenti Donald Trump. “Mbrëmë Shtetet e Bashkuara sollën terroristin numër një në botë para drejtësisë”, njoftoi presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë të dielën. “Asnjë personel amerikan nuk u dëmtua në operacion, por një numër i madh i luftëtarëve të Bagdadit u vranë”, njoftoi Presidenti Trump të dielën nga Shtëpia e Bardhë.
Ai tha se udhëheqësi i Shtetit Islamik ishte fshehur në një tunel nga u përpoq të ikte, “duke qarë dhe duke bërtitur gjatë gjithë rrugës”. Presidenti Trump tha se Bagdadi aktivizoi jelekun e tij me eksplozivë, duke vrarë gjithashtu tre fëmijë. Raportimet e mediave thanë se misioni në provincën Idlib të Sirisë përfshinte helikopterë, avionë dhe dronë amerikanë. Në korrik, një raport i OKB-së paralajmëroi se udhëheqësit e lartë të Shtetit Islamik “janë mes atyre që kanë kaluar në zonën e Idlibit”.
Aksioni i SHBA është përshëndetur nga liderë botërorë. Kryeministri i Izraelit tha se vrasja e Abu Bakr al-Bagdadit ishte një lajm i mirë për të gjithë. Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte deklaroi se sot bota është me e sigurte.
Në Shqipëri, Presidenti Ilir Meta deklaroi se eleminimi i një terroristi të tillë është lajm i mirë për gjithë njerëzimin. Në një postim në Facebook, teksa ka shpërndarë videon e Presidentit amerikan, Donald Trump, ku konfirmon vdekjen e liderit të ISIS, Presidenti Meta shkruan se “Ikja në ferr e Al-Baghdadi është një lajm shumë i mirë për njerëzimin, për një botë në paqe dhe më të sigurtë! Mbështes plotësisht deklaratën e Presidentit Trump! Krenar që Shqipëria është pjesë e koalicionit botëror në luftën kundër terrorizmit!”.
Ikja në ferr e Al-Baghdadi është një lajm shumë i mirë për njerëzimin, për një botë në paqe dhe më të sigurtë! Mbështes plotësisht deklaratën e @realDonaldTrump🇺🇲! Krenar që 🇦🇱 është pjesë e koalicionit botëror në luftën kundër terrorizmit!https://t.co/WTj2x4ubUi
— Ilir Meta (@ilirmetazyrtar) October 27, 2019
Kush ishte terroristi më i rrezikshëm në botë?
Prej vitit 2014, kur ISIS nisi të jetë kërcënim ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur Al-Bagdadi në krye të njerëzve që duheshin eliminuar. Në 2016 SHBA kanë ofruar një shpërblim deri në 25 milion dollarë për informacione që ndihmojnë për të sjellë Bagdadin para drejtësisë.
Bagdadi lindi në vitin 1971 në Samarra të Irakut. Ai u kap nga forcat amerikane dhe u mbajt në kampin Bucca, përgjatë kufirit Irak-Kuvajt mes vitit 2003 dhe 2009 para se të lirohej.Në vitin 2014, ai deklaroi krijimin e “Kalifatit” të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.
Vetë ISIS-i shumë shpejt pushtoi pjesën më të madhe të Irakut dhe Sirisë dhe në kulmin e tij mund të ketë kontrolluar deri në 40 përqind të Irakut. Në qershor të vitit 2017, qeveria irakiane shpalli fitoren ndaj ISIS-it në qytetin Mosul. Kryeministri irakian Haider al Abadi deklaroi fitoren e plotë ndaj grupit militant në dhjetor 2017. Në mars të vitit 2019, Forcat e Mbrojtjes Siriane të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara njoftuan çlirimin e Baghuzit, territori i fundit i mbajtur nga ISIS-i në Siri.
Pamje nga operacioni i forcave speciale amerikane