Ylli Rakipi: Autoritetet të hetojnë pretendimet tronditëse të Meksit. Në MCN TV ka një situatë terrori
Drejtuesi i emisionit, Të Paekspozuarit, Ylli Rakipi, në hyrje të programit të mbrëmjes së sotme, ka folur për situatën e paprecedent që është krijuar në MCN TV, pas pretendimeve të pronarit të televizionit, Endri Meksi, se është kërcënuar dy herë në ambjentet e televizionit.
Rakipi u bëri thirrje autoriteteve që të hetojnë pretendimet “serioze dhe tronditëse” të Meksit dhe të zbardhin ngjarjen, e cila ka shkaktuar shqetësim edhe për gazetarët dhe punonjësit e tjerë të medias.
“Të nderuar teleshikues, sikundër jeni bërë me dije, nga një intervistë e pronarit të MCN TV, Endri Meksi, ai pretendon se është kërcënuar dy herë, në ambjentet e televizionit dhe për këtë, ka denoncuar në Policinë e Shtetit.
Mbrëmjen e sotme, ne nuk do të bëjmë një emision për të qarë, siç ndodh zakonisht nëpër media, ku vënë kujën, kur pronarët kanë probleme. Por, do të bëjmë thirrje që Policia dhe Prokuroria të hetojnë me prioritet ngjarjen, pasi është brenda dyerve të televizionit, këto pretendime shumë serioze dhe tronditëse, që zoti Meksi ka ngritur.
Për shkak të kësaj ngjarje, në MCN TV, ka një situatë terrori. Sapo mbërrin këtu, ka njerëz që shfaqen të frikësuar dhe thonë, duan të vrasin Endri Meksin. Ka edhe të tjerë që thonë, siç ndodh në popullatën tonë, këto i bën Endri Meksi vetë. Ndaj Meksi ka vajtur në Prokurori.
Kjo situatë e ka bërë më të vështirë punën e të gjithëve.
Për këtë arsye, për shkak se kjo është një media, autoritetet kanë detyrimin të hetojnë dhe të zbardhin ngjarjen. Ne bëjmë thirrje dhe urojmë që ta zbardhin sa më parë”, deklaroi Rakipi
KOHA JONË SONDAZH

