Zbulohen dy varre antike në qytetin ilir të Amantias në Vlorë
Mbetjet e dy varreve antike janë zbuluar në zonën arkeologjike të Amantias në Vlorë, e cila daton rreth fundit të shekullit të pestë para Krishtit.
Varret janë vlerësuar nga specialistët e Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore të Vlorës, se i përkasin shekullit të tretë ose të dytë, para Krishtit, periudhë e cila korrespondon me kohën kur qyteti ilir ishte në kulmin e tij. Gjatë gërmimeve janë zbuluar edhe objekte të tjera arkeologjike, kryesisht enë qeramike.
“Ne kemi evidentuar 4 apo 5 pika të tjera brenda këtij parku, të cilat ne presim të nisim gërmimet që ti shtohen edhe disa monumente të tjera pjesë e këtij parku për t’u shtuar.”, ka deklaruar Kreu i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë Orges Feimi i cituar nga Shqiptarja.com.
Amantia është qytet ilir i fund-shekullit të pestë para Krishtit. Ai ndodhet pranë fshatit Ploçë në juglindje të Vlorës. Në shekullin e tretë para erës sonë qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Arkeologët kanë identifikuar se ndër të tjera qyteti kishte një stadium dhe një akropol, mbetjet e të cilëve janë ende të dukshme.