Zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero: Qeveria “Rama” të rishikojë ligjin për mediat

Paketa ligjore e qeverisë “Rama” për anti-shpifjen vlerësohet nga të gjithë ndërkombëtarë si një nismë që sjellë probleme serioze për lirinë e fjalës dhe pavarësinë e medias. Përveç shoqatave ndërkombëtare të medias dhe organizatave të pavarura, kundër kësaj pakete ligjore dje ka dalë zyrtarisht dhe Komisioni Europian.  Zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, ka vlerësuar kthimin e dy ligjeve nga Presidenti Ilir Meta sërish në Kuvend dhe thekson se kjo është një mundësi që Parlamenti dhe qeveria “Rama” të përmirësojnë përmbajtjen e tyre. “Ne e kemi bërë të qartë se Bashkimi Europian mbështet rekomandimet e Këshillit të Europës në rastin e ligjit të medias në Shqipëri. Ne pranojmë se shqetësimet dhe rekomandimet përkatëse janë sërish të vlefshme dhe ato duhen adresuar sërish. Faktin që Presidenti i Shqipërisë ka kthyer ligjin në Parlament e shohim si një mundësi për t’i pranuar ato. Ne shpresojmë që kjo të realizohet”, u shpreh zëdhënësja e KE për “ABC Neës”. Kjo është hera e parë që përfaqësues të BE-së dalin zyrtarisht kundër projektit të qeverisë “Rama”. Një javë më parë ishte përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desire që shprehu kritika për paketën dhe kërkoi nga qeveria modifikimin e pjesës së gjobave ndaj mediave dhe neneve që shihen si kërcënim ndaj gazetarëve.

Në fund të muajit dhjetor Parlamenti kaloi me emergjencë dy ligjet e shumë debatura. Pavarësisht kritikave të mediave vendase dhe organizatave të pavarura ndërkombëtare, kryeministri Edi Rama mori përsipër miratimin e ligjit duke e cilësuar si të domosdoshëm. Për të justifikuar kritikat vendase dhe të huaja, kryeministri Rama bindi deputetët që as e kishin lexuar ligjin, që ta votonin atë, pasi e dokumenti ishte hartuar në bashkëpunim me OSBE-në. Ironikisht, OSBE-ja tashmë është vet qeveria shqiptare dhe drejtues i presidencës së radhës së saj është Edi Rama. Ndaj dhe termi është realizuar në bashkëpunim me OSBE, për rastin e Shqipërisë, këtë vit është më shumë se abuziv dhe gjithmonë i dyshimtë. Ligji kaloi në votim në variantin e tij më të ashpër dhe nga një projekt anti-shpifje, rezulton të jetë në kthyer në një paktet anti-media dhe anti-fjalës së lirë. Projekti parashikon gjoba të larta për redaksitë e lajmeve dhe pagesën e tyre pa të drejtë ankimimi. Gjithashtu, u lë hapësirë institucioneve që drejtohen nga njerëz të zgjedhur nga PS-ja dhe qeveria, që të kenë të drejtë edhe për të mbyllur media dhe portale brenda 24 orëve. Institucioni i vetëm që ju përgjigj shqetësimit të organizatave të gazetarëve të huaj dhe atyre vendas për këtë ligj censure ishte Presidenti i vendit, Ilir Meta. Më datën 12 janar, kreu i shtetit njoftoi se ligji, në formën që e ka sjellë qeveria për dekretim, vë në pikëpyetje vlerat e lirisë së medias dhe të fjalës. Për këtë arsye, Presidenti bashkë me firmën e mos dekretimit të ligjit, i ka dërguar Kuvendit edhe një dokument sqarues kur jepen me fakte ligjore shkeljet kushtetuese dhe shkeljet e Konventave Ndërkombëtare që ka kryer PS-ja me miratimin e këtij ligji. Si OSBE disa ditë më parë, ashtu dhe Komisioni Europian pranojnë se kthimi i ligjit nga ana e Presidentit të Republikës është akti i duhur për të mos përkeqësuar situatën e mediave në Shqipëri. Madje, përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Mediave, Harlem Desir pranoi se ishte bindur për standardet e këqija  të ligji, pasi ishte njohur me dokumentin zyrtar të Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Në këtë mënyrë, rezulton se qeveria “Rama” ka mashtruar jo vetëm deputetët që e votuan ligjin pa e lexuar, por dhe përfaqësuesit e OSBE-së. Këtyre të fundit u përdori emrin për të thënë se dokumenti ishte hartuar në bashkëpunim dhe më pas ka çuar në Kuvend një draft krejt të ndryshëm nga ai që parashikojnë standardet e OSBE. Pas kthimit të ligjit nga Presidenti, mazhoranca socialiste në Kuvend ende nuk ka një qëndrim zyrtar nëse do të marrë parasysh vërejtjet për ndryshimin e këtij ligji. Bashkë me qëndrimin e presidentit Ilir Meta, qeveria “Rama”, këtë herë ka kundër në mënyrë zyrtare edhe vet OSBE-në që drejton si edhe Komisionin Europian.

 

SHKARKO APP