“Zëri i Amerikës” pasqyron sherrin në parlament
Nga “Zëri i Amerikës”-
Në Shqipëri, çështja e zgjedhjes së presidentit të ri ka ndezur një përplasje të re në Partinë Demokratike mes ish kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj për mënyrën e qasjes së kësaj force politike. Ish kryeministri e konsideron procesin një farsë e për pasojë sipas tij PD nuk duhet të përfshihet. Ndërsa zoti Alibeaj është i mendimit se kjo forcë politike nuk duhet t’I ikë përgjegjësive. Tensionet mes tyre u shfaqën dhe në sallën e parlamentit, pas fjalës së kryeministrit Edi Rama I cili deklaroi se partia e tij do të ndërpresë cdo marrëdhënie me PD, nëse ajo do të drejtohet nga zoti Berisha.
Marrëdhëniet e ndera në mesin e grupit parlamentar mes mbështetësve të zotit Berisha dhe pjesës tjetër, u rishfaqën dhe në mbledhjen e sotme ku u diskutua për qëndrimin që do të duhet mbajtur ndaj procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Ish kryeministri Sali Berisha debatoi ashpër me kreun e grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit nuk e konsideron ish kryeministrin si anëtar të grupit të PD-së. Ndërsa zoti Berisha nuk e njeh atë si drejtues të grupit.
“Opozita s’mund të përfaqësohet kurrë me të emëruar nga Taulant Balla. Kjo praktikë merr fund dhe nuk do ta njohë kurrë PD, një praktikë të tillë”, deklaroi pas mbledhjes zoti Berisha. Sipas tij, i gjithë procesi është një farsë, të cilën opozita nuk duhet ta legjitimojë.
Por zoti Alibeaj u shpreh se opozita nuk mund t’i iki me bisht ndër shalë përgjegjësive të saj. “Kjo është një mënyrë që nuk na ka funksionuar e nuk duhet të na funksionojë. Përfaqësojmë gjysmën e ndershme të shqiptarëve. E për këtë arsye do të duhet të përballemi me Edi Ramën, me klikën dhe rregjimin e tij, duke ja grisur fasadën që do të bëjë, me zarfe a shoqëri civile. Eshtë detyrim mbi të gjitha moral dhe politik”, theksoi ai.
Tensioni mes të dyve u shfaq dhe në foltoren e parlamentit, menjëherë pas fjalës së kryeministrit Edi Rama, i cili mbajti një qëndrim të prerë ndaj zotit Berisha. “Me Saliun ne nuk kemi punë… Ne nuk e zgjedhim se kush e drejton grupin tuaj parlamentar, kush e drejton Partinë Demokratike. Nëse ju do të bëni zgjedhjen që të drejtoheni nga një i vdekur ne më PD do të ndërpresim çdo marrëdhënie. Çdo marrëdhënie! E rëndë, e lehtë, këtë e gjykoni ju”, deklaroi ai.
Menjëherë pas kryeministrit, në foltore zuri vend zoti Alibeaj, por ish kryeministri u shfaq pranë tij duke e larguar për t’i zënë vendin. Më pas zoti Berisha do e cilësonte këtë skenë thjesht një keqkuptim.
Mbetet e paqartë se cila do të jetë qasja e PD ndaj zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, për shkak të përplasjeve të forta brenda grupit. Zoti Alibeaj paralajmëroi një mbledhje tjetër ku sipas tij secili deputet duhet të shprehë qëndrimin e tij.
Socialistët të cilët kanë hapur një proces konsultimesh, presin takimin e radhës dhe me përfaqësuesit demokratë. Ata pranuan dje kërkesën e dy grupeve të tjera parlamentare të opozitës, për të shtyrë me të paktën një javë thirrjen e konferencës së kryetarëve, që shënon dhe nisjen zyrtare të procesit.