“Zëri i Amerikës”: Serbët vendosin të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës
Nga VOA-
Lista Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës njoftoi të shtunën se ka vendosur të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të asaj që e cilësuan moszbatim i marrëveshjeve të Brukselit nga autoritetet në Prishtinë.
Vendimi i serbëve të Kosovës për t’u larguar nga institucionet pasoi mospajtimin e tyre me fillimin e zbatimit të vendimit të qeverisë qendrore për targat e makinave.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, qeveria dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri“, tha kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Zoti Rakiç tha se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës. Ai akuzoi Prishtinën për shkelje të vazhdueshme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel.
“Vendimet do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin e komunave serbe në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë”, tha zoti Rakiç.
Me një nëntor autoritetet e Kosovës filluan zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për targat e makinave që duhet të përmbyllet në muajin prill të vitit të ardhshëm, me gjithë thirrjet e diplomatëve perëndimorë që i kërkuan qeverisë që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e një vendimi për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.
Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës nuk pajtohen me vendimin e qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat e lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës, RKS.
Ndaj vendimit të serbëve të Kosovës reagoi shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Blerim Vela, i cili në rrjete sociale shkroi se “me detyrimin e serbëve të Kosovës që të largohen nga institucionet e Kosovës, Serbia shkeli në mënyrë të njëanshme të gjitha marrëveshjet e Brukselit për shpërbërjen e strukturave të saj ilegale në Kosovë”.
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha të shtunën pas mbledhjes së qeverisë së Serbisë lidhur me situatën në Kosovë, se “Serbia nuk heq dorë nga politika e përgjegjshme e paqes dhe qëndrueshmërisë”.
Zoti Vuçiç gjatë ditës zhvilloi takime edhe me ambasadorët e Kinës dhe Rusisë për siç u tha, njoftimin e tyre për gjendjen e sigurisë në Kosovë.
Pot sot Presidenti serb zhvilloi një bisedë telefonike me ambasadorin amerikan në Serbi, Christofer Hill, ku në një komunikatë të presidencës serbe citohet të ketë thënë se “Serbia është e përkushtuar që të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, por se serbët nga veriu i Kosovës janë të tmerruar nga shkarkimi i drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë për Rajonin e Veriut, Nenad Gjuriq dhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me targat”.
Ndërsa ambasadori amerikan Christofer Hill citohet të ketë kërkuar nga Serbia që të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet dhe të mos marrë pjesë në asnjë mënyrë në rrezikimin e paqes dhe qëndrueshmërisë rajonala.
I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak shkruante sot në Twitter pas takimit të mbrëmshëm me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç se “mbështet sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve për të treguar përmbajtje për sigurinë dhe qëndrueshëmrinë”, duke bërë thirrje që të shmanget dhuna.