Zgjedhjet në 2025, Agron Duka i lë afat Berishës dhe i shtrin dorën Ramës

Agron Duka thotë se dalja vetëm në zgjedhjet parlamentare të 2025 nuk është opsion për PAA, pasi Kodi i ri Zgjedhor e penalizon si parti e vogël, ndaj ai i shtriu dorën për një aleancë Partisë Demokratike. Duka i vendosi një afat Berishës për lidhjen e koalicionit, duke kërkuar që deri në muajin tetor të jenë selektuar figurat që do të kandidojnë në zgjedhje. ”Ajo që unë dhe PAA kemi kërkuar publikisht duhet ti ketë shkuar në vesh zotit Berisha. Jemi në limitet e kohës, nëse në tetor nuk selektojmë njerëzit që do të kandidojnë, atëherë do e kemi të vështirë të mbledhim votat në të gjithë Shqipërinë”, tha Duka në ”A2cnn”.

Nga ana tjetër, Duka u kujdes që dorën ta linte të shtrirë edhe për kryeministrin Edi Rama, duke u shprehur se nuk ka “vija të kuqe” që mund ta pengojnë PAA të garojë në një koalicion me Partinë Socialiste.

Ja se çfarë tha Duka: “Nëse Partia Socialiste mundet që ti plotësojë këto kërkesa që ka PAA, nuk është se ne kemi ndonjë dallim të madh ideologjik le të themi. Qoftë unë personalisht, qoftë dhe kjo si parti që është një parti e qendrës. Padyshim që mund të ndodhi. Mendoj me pragmatizëm, se PAA nëse do që të ekzistoj si çështje, jo vetëm unë, por të gjithë agronomë, veterinerë, e të rinj ambientalistë, duhet t’i lënë mënjanë pengesat ideologjike dhe në radhë të parë duhet ajo që ne përfaqësojmë, fermeri dhe bujku shqiptar”.- tha Duka.

Gjasat mbeten se PD nuk do të fus në listat e sigurta kryetarët e partive të vogla. Ndaj shtegu duket hapur nga PS.

SHKARKO APP