Zyrtarisht në krizë politike dhe pa parlament pluralist
Opozita zhvilloi sot nga një protestat me masive që përfundoi me dorëzimin e mandateve të deputetëve në Kryesinë e Kuvendit. Në këtë mënyrë, partitë e opozitës nuk kanë më përfaqësues në Parlament duke shënuar rastin e parë në historinë e pluralizmit shqiptar, kur gjithë grupet parlamentarë lënë më dëshirë mandatet e ligjvënësit nw shwnjw revolte ndaj kryeministrit qw ka blerw votat duke marrw pushtetin me kwto vota kriminale. Nga sot mund të thuhet se Shqipëria ka hyrë në krizë, zyrtarisht. Kemi një Kuvend që përfaqëson vetëm shumicën qeverisëse dhe një parti që kontrollon qeverinë, Parlamentin dhe gjithë institucionet e vendit. Kriza e paprecedentë, sipas opozitës, zgjidhjet vetëm me largimin e Edi Ramës, krijimin e një qeverie tranzitore që do të mundësojë çeljen e negociatave, si dhe do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme. Të gjitha kërkesat e opozitës tashmë presin një përgjigje nga kreu i qeverisë, Edi Rama, po ndryshe nga më parë këtë herë kryeministri nuk ka shumë mundësi zgjedhje.
Veç dorëzimit të mandateve, tubimi i opozitës pati dy zhvillime pozitive. E para, ishte pjesëmarrja. Pas protestës së 16 shkurtit dhe tensioneve me policinë, shumë skeptikë edhe brenda opozitës i druheshin një pjesëmarrje të pakët të qytetarëve. Në fakt ndodhi e kundërta. Dje tubimi i opozitës ishte masiv dhe me një prani të madhe jo vetëm të militantëve, por dhe të qytetarëve. Pjesëmarrja masive është jo vetëm dëshmie rritjes së opozitës, por edhe mbështetje e aktit të deputetëve për djegien e mandateve. Prania e madhe e qytetarëve dje para Parlamentit dhe para Kryesisë së Kuvendit tregon se djegia e mandateve është jo thjesht aksion opozitar, por një lëvizje politike që ka marrë mbështetjen e qytetarëve.
Elementi i dytë pozitiv i protestës është zhvillimi paqësor i saj. Që nga 16 shkurti dhe deri pak orë para nisjes së protestës, ndërkombëtarët bën me dhjetëra apele ku i bëhej thirrje opozitës që të mos nxiste dhunën. Edhe pse më 16 shkurt protestuesit u provokuan nga policia, sërish në sytë e kancelarive të huaja përgjegjës i dhunës shihet gjithmonë ai që organizon mitingun. Aq shumë u akuzua opozita për dhunë, sa pa dashje ndërkombëtarët harruan arsyet se përse opozita ka dalë në rrugë dhe përse ndërmori aktin ekstrem të djegies së mandateve. Por Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi zhgënjyen të gjithë ata që prisnin dhunë, hyrje më forcë në sallën e parlamentit, apo djegie të Kryeministrisë. Protesta u zhvillua si rrallë herë me qytetari dhe nuk pati asnjë incident të vetëm për të cilin mund t’i drejtohet gishti opozitës. Përkundrazi, nëse pati provokime ashtu si më 16 shkurt edhe dje ato ishin nga radhët e Qeverisë dhe Gardës së Republikës. Lajmet e dala nga Ministria e Brendshme për bombat e reja që do përdoreshin dhe gazin special ndaj protestuesve, ndërprerja e valëve të telefonisë celulare, ishin vetëm disa nga detajet që tregojnë se përplasjen më shumë po e kërkonte qeveria sesa opozita. Në serinë e provokimeve dje nuk mungoi dhe Edi Rama. Kryeministri që deklaron shpesh se nuk qëndron në Kryeministri kur ka protesta, për të mos provokuar protestuesit, dje duket se po kërkonte sherr, kur në momentin që protestuesit ndodheshin në Kryesinë e Kuvendit, shkoi në Kryeministri. Veprimi i kreut të qeverisë ishte si një ftesë për konflikt ndaj mijëra opozitarëve që ishin në shesh. Megjithatë drejtuesit e opozitar arritën të mbanin nën kontroll situatën, të vetëdijshëm se çdo përplasje me policinë dhe para Kryeministrisë do të kalonte në plan të dytë lënin e mandateve. Dhjetëra media ndërkombëtare që ishin dje në Tiranë, të informuara nga qeveria ishin përgatitur për të ndjekur skena dhune në Tiranë. Por pas përfundimit të tubimit, televizioni italian “TG2” e krahasonte protestën paqësore me mitingjet kundër regjimit komunist në vitet ’90. Ndërkohë jemi para faktit të kryer ku thuajse gjithë deputetët e opozitës nuk janë në Parlament. Tashmë kriza politike është edhe institucionale.