Një vështrim rreth prejardhjes së Shpanëve dhe kalimit të tyre në Shkodër, Drisht dhe Pult
Nikollë Loka
Pushtimi i gjatë romak dhe bizantin bënë që aristokracia ilire të integrohet në shtet, duke humbur tiparet e veta etnike. Larmia e gjerë e titujve të fisnikërisë që mbanin krerët shqiptarë tregon shkallën e ndikimit dhe të integrimit të mjaft prej tyre në sistemet e huaja shtetërore. Në hierarkinë shqiptare ndeshen sa tituj bizantinë (despot, sebastokrator, sebast, heteriark, protokathimen, kabalarios, qefali etj.), aq edhe tituj perëndimorë (kapiten, judex, miles, kastelan, mareskalk, protontin, admiral) e sllavë (zhupan, kasnec, vojvodë etj). Por kjo nuk do të thotë se shumica e aristokracisë shqiptare, ndonëse nën ndikim e tutelë të huaj, të mos orientohej, ku më shpejt e ku më vonë, drejt emancipimit të vet, siç e provoi në fund të fundit edhe krijimi i Principatës së Arbrit që në shek. XII, apo i principatave e formacioneve të tjera shtetërore shqiptare në shek. XIV-XV.
Prejardhja e Shpanëve
Krijimi i dinastive feudale shqiptare qe rezultat i proçeseve të mëdha ekonomiko-shoqërore të brendshme që ndodhi në këta shekuj, i nivelit të lartë që arriti zhvillimi i forcave prodhuese, që solli si pasojë thellimin e diferencimit social të popullsisë. Dokumentet historike për shqiptarët fillojnë në shekullin XI, por Shpanët nuk përmenden në atë kohë në radhën e parë të familjeve më të vjetra fisnike shqiptare. Ata dalin më vonë në burimet historike, fillimisht si familja Shtëpani. Familjet fisnike të Arbërisë, në jug Muzakajt, Matarangat, Gropat, dera princërore e Vlorës; në Arbëri të Mesme Topiajt, Skurajt, Kastriotët, Aranitët, Blinishtët; në veri Balshajt, Dukagjinët, Jonimët, Zahariat dhe Shpanët nuk dolën prej errësirës në dritën e historisë pas vitit 1355, përkundrazi ato ishin prej kohësh, nganjëherë prej shekullit XI, pjesë e sistemit sundues në hapsirën arbëre.
Në lidhje me prejardhjen e Shpanëve ka patur spekullimeve të ndryshme. Studiuesi Athanas Gegaj shkruan: “Familja e Spanëve me emër greko-bizantin dhe me ndikim sllav të theksuar, na dhuron një histori të errët”. Gegaj nuk jep të dhëna për prejardhjen, por disa studiues kur merren me prejardhjen e Shpanëve, analizojnë domethënien e fjalës “Span”, duke e lidhur me greqshten, në kuptimin “pa mjekër”, “qeros”. Nisur nga këto konsiderata, Shuflaj i quan princat Shpanë “me origjinë greke”. Por kjo nuk ka gjasë të jetë e vërtetë. Emra të tillë (nofka) u jepeshin në Mesjetë individëve të veçantë (Kryemadhi, Bythdosi, Symiza). Ata nuk arrinin të bëheshin mbiemra të një rrethi të gjërë, siç ishte mbiemri Shpani. Shpërndarja e madhe gjeografike dhe kohore e këtij mbiemri, tregon se në këtë rast kemi të bëjmë me emrin e një fisi të madh. Vetë familjet fisnike ishin të interesuara për legjitimimin e statusit shoqëror që kishin arritur. Gjon Muzaka, që shkruan aq sa ka dëgjuar dhe aq sa ka ditur, i konsideron Shpanët “të lidhur me familjen Perandorake Engjëlli dhe përmes saj deri me perandorin Teodosi i Madh”. Këtë prejardhje, përveç Shpanëve e deklarojnë edhe kushërinjtë e tyre, Ëngjëllorët e Drishtit. Një prejardhje e tillë u siguronte Shpanëve dhe Ëngjëllorëve fisnikëri dhe vjetërsi, dy nga kriteret më themelore për të legjitimuar pushtetin. Por nganjëherë, mania për t’u lidhur me familje fisnike të rangut të lartë ishte tepruar shumë dhe nuk kishte mbështetje logjike. Për të krijuar rrethana sa më favorizuese për lidhje me Perëndimin, disa Shpanë e bënë mbiemrin “Yspanos”. Dhimitër Frëngu që ishte nga Drishti dhe i njihte mirë, deklarimin e tyre për prejardhje nga Spanja e trajton me ironi dhe me humor.
Shpanët në Mat
Në regjistrin kadastral osman të vitit 1467, Shpanët dalin në trevën e pellgut të Matit me këta emra: Pjetër, Andre, Pal, Gjergj, Vlad, Benk, Gjin, Andrija dhe Loro. Nga të nëntë emrat, pesë prej tyre janë të krishterë shqiptarë, një është emër karakteristik shqiptar dhe tre me ndikim nga sllavët. Duke parë dhe emrat e kryefamiljarëve të tjerë, del se banorët, pavarësisht se mbajnë me shumicë emra shqiptarë, përdorin edhe emra sllavë, një dukuri e përhapur në atë periudhë, që ka ardhur për shkak të një periudhe të pushtimit serb.
Për herë të parë Shpanët përmenden në vitin 1210, në kohën e Principatës së Arbërit. Në librin Historia e Popullit Shqiptar shkruhet: “Principata e Arbërisë e arriti kohezionin e saj më të madh nën sundimin e Dhimitrit. Nën autoritetin e tij u vunë në atë kohë edhe familje të shquara të Arbërit siç qenë Jonimët, Plitët, Shtëpanët, Kamonat, etj. Shtëpanët mund të jenë një nga pesëmbëdhjetë prijësat krahinorë që nënshkruajnë në një traktat paqje me Raguzën në vitin 1210 që Dhimitri i quan sipas të drejtës feudale perëndimore ‘Njerëzit e mi” (homines mei)”. Po cili ishte statusi i nënshkruesve të marrëveshjes? Sipas historianit Kristo Frashëri “ata nuk ishin vartës pa autoritet, të detyruar për të zbatuar vullnetin e sovranit. Kjo do të thotë se nuk ishin plotësisht të varur prej tij. Marrëveshja tregtare me Raguzën tregon, siç vinte në dukje Soloviev, se dhe pse është një akt i zyrtarëve të formuar në mjedisin bizantin, vartësit nuk i qenë nënshtruar plotësisht praktikës që sundonte në Bizant. Nga kjo pikëpamje, akti i marrëveshjes afrohet me praktikën perëndimore, ku sovrani nuk ishte si në Lindje, sundimtar absolut dhe ku autoritetet provinciale nuk ishin të nënshtruara plotësisht ndaj tij”. Ata konsideroheshin fisnikë. Sipas Zef Valentinit “si nobiles konsideroheshin zotërinjtë lokalë ose dhe kryetarët e fiseve shqiptare”. Familjet që ishin në krye të bashkësive krahinore respektoheshin si të tilla, dhe me kalimin e kohës, pushteti i tyre u mbështet gjithnjë e më shumë mbi pasurinë e trashëgiminë, duke i humbur tiparet demokratike të organizimit të dikurshëm fisnor.
Në bazë të të dhënave del qartë se në bashkësinë krahinore të Matit bëhet fjalë për krerët Shpanë që në burime historike konsiderohen si fisnikë. Por jo të gjithë Shpanët kishin të njëjtin status shoqëror. Kemi dhe nga ata që banonin në disa fshatra të vendosura në luginën e Matit, që dalin në regjistrin kadastral osman të vitit 1467. Ky fakt tregon se në shekullin XV, bëhet fjalë për një fis të madh, me shumë familje që ndoshta kishin status të ndryshëm shoqëror. Sipas ndarjes së atëhershme në vilajete, njësi territoriale që përfshinte disa fshatra, Shpanë kishte në vilajetin e Matit në fshatin Flukit një shtëpi; Maloniza tre shtëpi; Shtojt një shtëpi; Bujril (Burrel) një shtëpi, Kurdari dy shtëpi, gjithsejt tetë shtëpi. Në vilajetin e Urakës: fshati Diriç kishte një shtëpi, Mirjash një shtëpi, Laç një shtëpi, Gjik një shtëpi. Ndërkohë Shpanët mungojnë në Shkodër, Drisht dhe Pult, ku më parë kishin qenë zotërues tokash dhe pasurishë të dhëna nga serbët, venedikasit apo princat Balshaj, apo dhe si familje të thjeshta, siç tregohet në regjistrin e kadastrës së Venedikut. Bën përshtypje fakti se në fillimet e pushtimit osman, nuk ka Shpanë as në krahinën e Pultit, që për shkak të natyrës malore të terrenit, ishte vend më i përshtatshëm për mbrojtje se lugina e Matit. Po ku shkuan Shpanët e trevave Shkodër-Drisht-Pult? Siç duket, një pjesë u hodhën matanë Adriatikut, pas dorëzimit të kalasë së Shkodrës. Dokumentacioni perëndimor sjell mjaft fakte se ajo pjesë e klasës feudale që i shpëtoi zhdukjes gjatë luftimeve në rrethimin e Drishtit dhe të Shkodrës, kishte emigruar me shumicë në Venedik, së bashku me një sasi qytetarësh dhe fshatarësh. Këtë e tregojnë dhe urdhërat e Senatit të Venedikut të datave 5 qershor dhe 23 korrik të vitit 1479, ku bëhet fjalë për rregullimin me punë të 30 fisnikëve të krahinës së Shkodrës, dhënien e beneficeve dhe vendosjen e tyre me banim në disa toka të caktuara. Kemi të dhëna se nga kalaja dolën dhe fisnikë Shpanë që u hypën anijeve për në Venedik. Nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që pjesa e mbetur të jetë kthyer në pronat e të parëve të tyre në Pellgun e Matit, me të cilin, me sa duket, nuk i kishin humbur lidhjet.
Nga Mati në Shkodër, Drisht dhe Pult
Përpara se të kalonin në Shkodër, Drisht dhe Pult, Shpanët mund të kenë qëndruar në Mat për tre-katër breza, kohë e mjaftueshme që një familje feudale të forcohej dhe të konsolidohej. Prania e shumë qytezave, kalave, rrugëve të rëndësishme e bënte trevën me rëndësi të veçantë, prandaj qeveritarët kërkonin në radhët popullsisë familje që kishin mundësinë për të vendosur qetësi. Kuptohet se në qyteza, të paktën në ato, ishte vendosur pushteti bizantin dhe zyrtarët e tij. Prej atyre qytezave dolën fisnikët arbër, që në burimet historike njihen dhe si zotërinj lokalë. Shpanët duhet të kenë qenë një fis i fuqishëm me numër të madh familjesh që kushtëzonte numrin e luftëtarëve që nxirrte.
Jashtë kullës apo kështjellës ku banonin bujarët lokalë, jetonin familje të lidhura me ta, me afërsi në gjak, lidhje me anë të martesave ose në bazë të marrëveshjeve të bëra sipas parimeve të vasalitetit. Me shpurat e pasuesve, bërthamën e të cilëve e përbënte fisi më i ngushtë, këta kryetarë familjesh dhe fisesh arritën të ruajnë rregullin dhe për shërbimet e veta merrnin shpërblim në formë të hollash, ose tokë. Problemet e sigurisë dolën në pah sidomos në periudhën e dobësimit të pushtetit bizantin, kur qytetet duhet të rregulloheshin nga proniarët, zhupanët dhe kryetarët e fiseve, që të ruhej pasuria e tyre jashtë mureve të qytetit.
Në saj të diferencimit të tyre pasuror dhe të shërbimeve në favor të bizantinëve dhe serbëve Shpanët kishin arritur në statusin e prijësit krahinor apo siç mund ta shprehim ndryshe të fisnikut të trevës. Nuk ka një dallim të qartë midis këtyre dy përcaktimeve, por në kohën për të cilën flasim, marrëdhëniet feudale ishin zhvilluar deri në atë shkallë sa i kishin bërë këta krerë të krahinave bujarë të vërtetë, fuqia e të cilëve varej nga madhësia e këtyre bashkësive krahinore dhe pasurive që nxirrnin prej tyre. Sipas Kristo Frashërit “pesëmbëdhjetë nënshkruasit e aktit të marrëveshjes ishin prijësa të bashkësive të integruara në Principatën e Arbërisë, por e ruanin deri në njëfarë shkalle autonominë e pushtetit të tyre”…Edhe gjatë shekujve të mëvonshëm, malësitë shqiptare, kur integroheshin në formacione shtetërore e ruajtën njëfarë autonomie, siç ka ndodhur me trevat malore gjatë periudhës së pushtimit osman. Në kohën kur Shpanët kanë drejtuar bashkësinë krahinore të Matit ata kanë shërbyer si vasalë të bizantinëve, princave të arbërit, serbëve, anzhuinëve, pastaj dhe të Balshajve, por në çdo rast ruajtën identitetin e tyre krahinor”. Në shumë raste ngjitja e tyre ishte bërë nën hijen e perandorëve ose despotëve bizantinë e serbë, të cilëve u kishin shërbyer dhe prej të cilëve ishin shpërblyer me tituj. Ligjshmërinë e ushtrimit të pushtetit fisnikët shqiptarë e shprehnin përmes titujve bizantinë, perëndimorë dhe serbë që mbanin.
Shkatërrimi i qytezave të Matit ka ndodhur në periudhën e zhvendosjes së feudalëve vendës drejt bregdetit dhe qendrave më të rëndësishme dhe e humbjes së interesit për këtë trevë. Ka një lidhje midis krahinave të Matit dhe të Arbërit që vjen nga Lashtësia, siç ka një lidhje midis trevës së Matit dhe Pultit, si dhe Matit dhe Arbërit, i cili përfshin në vetvete dhe trevën e Pultit. Arbëri mesjetar bënte pjesë dikur në krahinën e Pultit. Gjatë sundimit të arkondit Progon, emërtimi Arbanon u zgjerua në veri, përtej Matit dhe Trafandenës deri në krahinën e Pultit. Që nga shek. XIII feudalët shqiptarë fillojnë të tërhiqen pas qyteteve të mëdha, si Durrësi, Shkodra, Ohëri, Kosturi, Janina, ku kalonin një pjesë të kohës “për punë ose për t’u zbavitur” (pro suis factis vel pro placere). Shumë prej tyre blenë aty edhe banesa. Emrat e disa prej familjeve aristokrate të qyteteve tona, si Skurajt, Vranajt, Neshat në Durrës, Sumat e Shpanët në Shkodër, flasin për një proces urbanizimi të aristokracisë së tokës në shek. XIII-XIV. Në regjistrin e kadastrës së Venedikut të viteve 1416-1417, ku jepet një pasqyrë e plotë e proniave që Sinjoria u kishte dhënë proniarëve, përmenden katër familje Shpanë që banonin në Shkodër dhe tre familje të tjera që banonin në dy fshatra në rrethinat e qytetit. Në regjistrin e Kadastrës së Venedikut të vitit 1916-1917, krahas bujarëve Shpanë, gjenden tre familje, fshatarë të thjeshtë në dy fshatra, dukuri e përhapur dhe ndër familjet e tjera bujare. Në të njëjtën pozitë shoqërore ishin dhe shtatë familje me mbiemrin Jonima dhe tre familje me mbiemrin Zakaria. Kjo do të thotë se fisnikët Shpanë, Jonima dhe Zakaria kanë tërhequr në rrethinat e Shkodrës të afërm të tyre nga shtresa e fshatarësisë, të cilët në pamundësi të vendosjes në qytet, banonin në rrethinat e Shkodrës. Pas shembjes së Perandorisë të Stefan Dushanit në vitin 1355, mjaft nga qytetet ranë në dorë të krerëve feudalë shqiptarë. Drishti ra në dorë të Balshajve dhe Shpanët që kishin qenë atje si vasalë të serbëve u bënë vasalë të tyre. Por me rimarrjen nga serbët në vitet 1421-1443 qyteti qeverisej nëpërmjet një vojvode, me funksion tërësisht ushtarak, duke cënuar të drejtat vetëqeverisëse të qytetit. Ndër sundimtarët e Drishtit përmenden edhe Shpanët. Duke u zhvendosur drejt veriut, në aleancë herë me venedikasit dhe herë me serbët, Shpanët u bënë zotër të Pultit që aso kohe shtrihej në hapësira të gjëra.