Albert Einstein, cilësohej simbol i humanizmit, por racizmin e quante sëmundje
Publikimi i ditarëve privatë të Ajnshtajnit (Albert Einsteinit) me detaje të udhëtimit të tij në Azi në vitet 1920, tregojnë se fizikani teorik dhe ikona e humanizmit kishte qëndrime raciste ndaj njerëzve që takonte gjatë këtij rrugëtimi, sidomos ndaj kinezëve, raporton Guardian, transmeton Telegrafi.
Të shkruara mes tetorit 1922 dhe marsit 1923, ditarët paraqesin shkencëtarin duke analizuar udhëtimet, shkencën, filozofinë dhe artin. Në Kinë, njeriu që dikur përshkroi racizmin si “sëmundje të njerëzve të bardhë”, shkruan për “njerëzit e zellshëm, të ndyrë dhe të ngecur në mendje”. Ai thotë se “kinezët nuk ulen në tavolinë teksa hanë, por rrinë galiç si evropianët kur çlirohen në pyjet me gjethe. E gjithë kjo ndodh në heshtje dhe në mënyrë të qetë. Madje edhe fëmijët janë të pajetë dhe po ashtu të ngecur”. Pasi përmend “pjellorinë” e kinezëve, vazhdon të thotë: “Do të ishte për të ardhur keq, nëse këta kinezë ua zënë vendin racave tjera. Për sojin tonë veç si mendim kjo është gjë e tepër e frikshme”.
Ze’ev Rosenkranz, redaktor i lartë dhe asistent-drejtor i Projektit të Dokumenteve të Ajnshtajnit në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni, tha: “Mendoj se shumë komente na bëjnë të ndihemi keq, sidomos ato që thotë për kinezët. Ka një kontrast me imazhin publik të ikonës së madhe humanitare. Mendoj se është një tronditje t’i lexosh ato dhe t’i krahasosh me deklaratat e tij të mëdha publike. Ato janë të pakujdesshme, sepse nuk e kishte për qëllim t’i publikonte”.
Rosenkranz ka redaktuar dhe përkthyer “Ditarët e udhëtimit të Albert Ajnshtajnit”, të cilat porsa janë botuar nga Princeton University Press, për herë të parë si vëllim i ndarë – përfshirë faksimilet dhe faqet e ditarit. Ditarët janë botuar më parë në gjermanisht, si pjesë e 15 volumeve të “Letrave të mbledhura të Albert Ajnstajnit”, me përkthime të vogla suplementare në gjuhën angleze. Një zëdhënës i Universitetit Princeton tha: “Kjo është hera e parë që ditari i udhëtimit i Ajnshtajnit do të vihet në dispozicion për këdo që nuk është studiues serioz i tij”.
Pasazhe tjera në ditarë, të cilat mendohet se janë shkruar për thjeshtrat e Ajnshtajnit në Berlin, teksa ai dhe gruaja e tij po udhëtonin në Azi, Spanjë e Palestinë, e paraqesin tek shkruan për kinezët se “edhe ata që janë të detyruar të punojnë si kuaj nuk japin kurrë përshtypjen e vuajtjes së vetëdijshme. Një komb i veçantë si bagëtia […] shpeshherë më shumë si automatë sesa njerëz”. Më vonë, sipas fjalëve të Rosenkranzit, ai ia shton “një dozë të mirë të misogjenisë” ksenofobisë së tij: “Vura re sesa pak ka ndryshim mes burrave dhe grave; nuk e kuptoj çfarë lloj tërheqjeje fatale posedojnë gratë kineze të cilat i magjepsin burrat përkatës në masën saqë janë të paaftë të mbrojnë veten kundër bekimit të frikshëm të pasardhësve”. Në Colombo të Ceilonit, Ajnshtajni shkruan sesi vendasit “jetojnë në ndyrësi dhe kutërbim”, duke shtuar se “bëjnë pak dhe kanë nevojë pak. Cikël i thjeshtë ekonomik i jetës”.
Perceptimet e Ajnshtajnit për japonezët që takon janë më pozitive: “Japonezët e heshtur, të mirë, krejtësisht tërheqës”, shkruan ai. “Shpirtra të pastër si askund tjetër në mesin e njerëzve. Duhet ta duash dhe admirosh këtë vend”. Por, Rosenkranz thekson se ai gjithashtu konkludon se “nevojat intelektuale të këtij kombi duket të jenë më të dobëta, sesa ato artistike?”
“Shënimet e ditarit të Ajnshtajnit mbi origjinën biologjike të inferioritetit të supozuar intelektual të japonezëve, kinezëve dhe indianëve, nuk janë të tolerueshme dhe mund të konsiderohen si raciste. Në rastet kur popujt tjerë portretizohen si biologjikisht inferior, kjo është shenjë e qartë e racizmit”, shkruan Rosenkranz. “Këtu Ajnshtajni percepton një “race” të huaj si kërcënim… ai bëri komente raciste dhe jonjerëzore…”!
Rosenkranz i tha “The Guardian”, se edhe pse pikëpamjet si këto të Ajnshtajnit ishin të përhapura në atë kohë, ato nuk ishin universale: “Ky është reagimi që zakonisht marrë, se duhet të kuptojmë se ishte zeitgeist, pjesë e kohës”.
Në parathënien e tij, Rosenkranz shkruan se është e rëndësishme të hulumtohet se si një ikonë humaniste si Ajnshtajni – imazhi i së cilës ishte përdorur dikur për një fushatë të UNHCR-së me sloganin: “Një pako e gjërave personale nuk është e vetmja gjë që një refugjat sjell në vendin e tij të ri. Ajnshtajni ishte një refugjat” – mund të ketë shkruar komente ksenofobe për njerëzit që hasi?
“Përgjigja për këtë pyetje duket shumë më e rëndësishme në botën e sotme, në të cilën urrejtja e tjetrit është e shfrenuar në shumë vende të botës”, thotë ai. “Duket se edhe Ajnshtajni nganjëherë e kishte shumë të vështirë ta njihte veten përballë tjetrit”, e mbyll Telegrafi artikull e shqipëruar të “Guardian”.