At Kerubini nga Trento, françeskani i parë që mësoi gjuhën shqipe në Shqipërinë e shekullit të 17-të

Nga Lucia Nadin

– Nga fretërit françeskanë misionarë që kryen zotimin e tyre shumë të vështirë të besimit në Arbërinë qendrore-veriore në shek. XVII kemi, sikurse dihet, relacione të përvojës së tyre nga jeta e përditshme, tregime dokesh dhe zakonesh të vendit, njoftime për gjendjen e ndërtesave të lashta fetare, përshkrime të gjendjes shpirtërore të njerëzve të thjeshtë dhe të sjelljes së qeveritarëve, njoftime gjeografike dhe gjithë çfarë tjetër që të endurit nga një vend në tjetrin i bëri ata edhe “kronistë” të vëmendshëm e përkushtuar.

Që vitin e parë të mbërritjes së tyre, më 1634, dhe shkallë-shkallë në dhjetëvjetëshat në vijim, ata ia dolën të mbanin shënim momentet e spikatura të jetës së tyre, të organizoheshin në njëfarë mënyre në lutësore të ndryshme, duke pasur një pikë të sigurt referimi në figurën e një Prefekti të tyre. Pikërisht ky i fundit duhej të dërgonte periodikisht në Romë informacione për sa ndodhte në mision, informacione që arkivi Kongregatës së Shenjtë të Përhapjes së Fesë, në Romë, i ka ruajtur ndër shekuj duke ua ofruar për lexim dhe analizë gjithkujt që ka qenë i interesuar edhe për t’i transkriptuar. Nuk është vendi për të përmendur tërë studiuesit që janë marrë me to, por për të tërë duhen përmendur transkriptimet profesionale të Injac Zamputit.

Mirëpo kujtesën e misioneve në Arbëri nuk e ruajnë vetëm arkivat e Romës: françeskanët që zgjodhën të venin në Arbëri vinin nga rajone të ndryshme të Italisë dhe prandaj u përkisnin “provincave” të ndryshme, në të cilat ishte strukturuar Urdhri Françeskan, Piemont, Venedik etj. Pas kryerjes së misionit ata mund të ktheheshin në “Provincën” e përkatësisë së tyre, ndoshta duke sjellë me vete ose duke dërguar kujtime vetjake. Për këtë arsye edhe arkivat rajonale, jo vetëm ato të Romës, mund të kenë ruajtur dokumente të vyera për historinë e misioneve dhe, më në përgjithësi, për historinë e Shqipërisë. Ndaj nuk shkakton ndonjë habi që këtu të bëhet fjalë për arkiva të ish-Republikës së Venedikut, posa që dihet mirë se sa shumë historia e asaj Republike pati qenë e lidhur me tokat e anës tjetër të Adriatikut, veçanërisht me Arbërinë.

Për françeskanët venedikas, që mendonin se po kryenin një mision besimi duke u larguar nga rajoni i tyre, Arbëria mund të ishte një tokë fqinje, e ditur dhe e njohur pikërisht për shkak të gjithë atyre lidhjeve të shumëfishta që vijonin mes Republikës së Venedikut dhe Arbërisë; qe aty edhe “Arbëria venedike” e Bokave të Kotorrit, e cila me vetë emrin e saj përkujtonte atë që pati qenë Arbëria “e mirëfilltë”, Arbëria e lidhur me protektoratin venedik, ajo Arbëri e krishterë që kishte ushqyer diasporën e njerëzve në tokat venedike.

Për këtë arsye, duke vështruar listat e të parëve misionarë françeskanë në Arbërinë e shek. XVII, nuk është çudi të gjesh emra të shumtë fretërish nga zona e Republikës së Venedikut, ose lidhur me të, për shembull: Evangjelisti nga Venediku, Bernardi nga Venediku, Françesku dhe Benedikti nga Soligu (Treviz), Leo nga Çittadela (Padovë), Engjëlli nga Bergamo, Kerubini nga Val di Bono (Trent). I përmenduri i fundit pati qenë i pari nga misionarët françeskanë që shkeli në Arbëri. Ai paraqet interes për sa do të thuhet dhe sot, siç do të shihet, u ofron studiuesve një dokument fort të rëndësishëm.

At Kerubini mbërriti në Arbëri në vitin 1634, ishte me Bonaventurën nga Palazzolo: të zbarkuar në bregun e Shën Gjinit të Medues – Shëngjin i sotëm – qenë dy burra fill të vetëm, në territor osman, pa udhërrëfyes, pa bagazhe, pa një itinerar të saktë, në rrezik koke. Tregimi i asaj mbërritjeje të çmerit: dy burra të armatosur vetëm me besimin e tyre, shpresë kundër çdo shprese.

At Kerubini qëndroi në Arbëri 14 vjet, nga 1634 deri më 1648, vit i vdekjes së tij të papritur në Kotorr, atëherë nën Venedik. Me kalimin e kohës u bë nënprefekt dhe prefekt; ishte misionari i parë dhe më i pari që mësoi gjuhën shqipe, ishte i pari që ia doli pa vonesë të fliste me njerëzit e Vendit, ishte i pari që, pikërisht ngaqë zotëronte instrumentin gjuhësor, mund të komunikonte me autoritetet e ndryshme turke.

Në cilësinë e Prefektit ai dërgoi një pas një në Romë relacione për sa ndodhte në tokën e Arbërisë, duke regjistruar episode të ndryshme, shpesh dramatike, relacione që e bënë emrin e tij të njihej e të qarkullonte mes studiuesve, edhe mes atyre shqiptarë që e njohin përmes përmbledhjeve të Relacioneve baritore të përgatitura nga Injac Zamputi, vëll. II (1965) dhe III (2015). Relacionet e tij u njohën shpesh edhe nga misionarët e tjerë, që kanë mundur t’i merrnin e t’i përdornin. Kështu ka ndodhur, për shembull, me At Jacintin nga Sospello, – i njohur edhe ky për studiuesit shqiptarë nga përmbledhjet e Relacioneve të përmendura, – emri i të cilit ka dalë në pah së fundmi pas rikuperimit prej Mark Palnikajt në Fermo (rajoni i Markeve) të një përmbledhjeje të vëllimshme të tij relacionesh për misionet në Arbëri.

Ndërkaq At Kerubini donte të shkruante edhe një libër të vërtetë e të mirëfilltë mbi historinë e misionit françeskan në Arbëri, si tekst shkrimi vetjak, pothuaj një autobiografi. Është një libër që e mbajti për vete dhe që më pas u dërgua në “Provincën” së cilës Ati misionar i përkiste, ndoshta pak më parë se të përfundonte ekzistimin e tij në Kotorr, ku qe vendosur për arsye të rënda shëndetësore dhe ku, siç u tha, vdiq më 1648.

Pikërisht këtë autobiografi e kam gjetur në arkivat venedike dhe ajo do të botohet vjeshtën e ardhshme. Është një libër i vërtetë e i mirëfilltë, i gatitur për t’u dhënë në shtyp, por që në fakt mbeti pa u botuar për shkak të vdekjes së papritur të autorit. Teksti i dorëshkrimit është në gjendje shumë të keqe ruajtjeje, mjerisht.

Të tjera relacione të shumta të At Kerubinit, të hartuara me cilësinë e nënprefektit dhe të prefektit, qarkulluan mes misionarëve në Arbëri. Ato qenë njohur, e edhe përdorur, si në rastin e Jacintit nga Sospello, i cili pati qenë në Arbëri nga 1637 më 1650 dhe përmendet disa herë në tekstin e At Kerubinit. At Jacinti, duke përgatitur më 1652 një shkrim përmbledhës të misioneve në Arbëri, merrte copa shkrimesh prej misionarësh të tjerë, ndër këto edhe disa prej At Kerubinit.

Pikërisht At Kerubini kishte treguar një episod dramatik, në të cilin kishte qenë protagonist ai vetë, së toku fratin riosh Evangjelist nga Venediku. Qenë thirrur të dy me akuzat e zakonshme për veprimtarinë e tyre të përhapjes së besimit, veçanërisht në Zadrimë, kinse donin ta kthenin përsëri të gjithë popullsinë në besimin e krishterë. Dolën para një sanxhakbeu të Shkodrës, i cili kishte vajtur në një vilë të tijën në Zadrimë dhe kishte mbledhur ankesat e kadiut të vendit kundër fretërve.

Kështu fretërit qenë thirrur dhe marrë në pyetje. Fliste Fr. Kerubini, si “ai që dinte gjuhën” (shkruan Fr. Kerubini) dhe u përgjigjej pyetjeve të ndryshme: se kush ishin, përse kishin vajtur në Arbëri dhe me ç’qëllim. Pyetjet ndiqnin njëra-tjetrën, pastaj sanxhakbeu vijoi me lajka: “Hajt, bëhuni turq (mulsimanë), se kjo është më e mira që mund të bëni, do t’ju veshim shumë mirë, do t’ju japim kuaj shumë të bukur, do t’ju mbajmë për shatra (paggi), do t’ju birësojmë e do t’ju bëjmë të pasur”. At Kerubini, i cili zotëronte gjuhën, u përgjigj: “Zotynë mos dhëntë të bëhemi turq, por më mirë vdekjen”. Ndërsa sanxhakbeu: “Kaurrë (d.m.th. të krishterë) të poshtër, ky skipetar (“questo che sa la lingua”, e ka përkthyer At Kerubini) duhet vrarë, sepse këta të tjerët bëhen lehtë turq (myslimanë), dhe sidomos ai i riu (e ka fjalën për Fr. Evangjelistin)”.

At Kerubini pra cilësohet si “skipetar”, d.m.th. ai që njeh gjuhën: termi NUK KA KONOTACIONE ETNIKE, por dëfton vetëm atë që flet gjuhën shqipe dhe i referohet At Kerubinit, i cili në fakt nuk është shqiptar. Nuk është shqiptar as Fr. Evangjelisti, por ai nuk di gjuhën shqipe dhe prandaj nuk cilësohet “skipetar”. Jo rastësisht në fjalorin e Francesco Maria Da Lecce-s, të 1702-shit, termi “shqiptar” do të gjendet i përkthyer me “parlatore”, pohim që pajton me interpretimin e origjinës semantike të termit “shqiptar” të pranuar nga G. Meyer-i e këndej: “ai që kupton gjuhën (shqipen në këtë rast)”, siç e ka shpjeguar tashmë, me referimet bibliografike përkatëse, edhe Aurel Plasari në librin e tij më të fundit.

Dëshmia e At Kerubinit ka rëndësi të posaçme për historinë gjuhësore të Shqipërisë. Ajo i përket vitit të largët 1639 dhe lexohet në librin e tij të mbetur dorëshkrim në arkivat venedike, i hartuar para 1648-s, vit i vdekjes së tij. Ka gjasë që episodin në fjalë At Kerubini ta ketë përfshirë edhe në relacionet dërguar Romës, të pagjetura deri më tani në arkivat e Kongregacionit të Shenjtë që u përmend dhe, gjithsesi, meqë misionarët në Arbëri qenë në takim të ngushtë njëri me tjetrin, shkrimet e tij njiheshin edhe nga Fr. Jacinti nga Sospello, i cili në fakt edhe e ka rimarrë rreth një dhjetëvjetëshi më vonë, më 1652, dëshminë e At Kerubinit.

Ishte At Kerubini, kjo duhet ritheksuar, ai vetë protagonist i ngjarjes dhe ai vetë la për ngjarjen dëshmi të shkruar, prandaj sot me të drejtë mund të mbahet si i pari misionar françeskan shqipfolës i faktuar në shek. XVII. Ndërsa dëshmia për përdorimin e termit “skipetar” mund t’i atribuohet vitit 1639.

Do t’u mbetet tani ekspertëve të gjuhësisë diskutimi i përimtuar i kalesës, e cila përbën një të dhënë shumë të rëndësishme për historinë kulturore të Shqipërisë.

SHKARKO APP