“Ballo Shqiptare” e Diellza Kolgecit elektrizon botën shqiptare në Prishtinë
Mbrëmë në Prishtinë u organizua “Ballo Shiptare”, një festë mjaft simpatike, ku morën pjesë personalitete dhe artistë të mëdhenj nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, etj… Ishte një ballo me shpirt e frymë shqiptare e ku dukej sikur engjëjt kishin zbritur pikërisht në Prishtinë.
Gazetarja e “Koha Jonë”, Albina Gjergji, e cila pak ditë më parë realizoi edhe një intervistë me organizatoren, Diellza Kolgeci ishte pjesë e festës, ku u pa edhe në disa foto me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Një mbrëmje ku spikaste tradita dhe class-i, bukuria shqiptare dhe atmosfera pozitive, miqësia dhe thjeshtësia kosovare… kjo ishte panorama e 2 dhjetorit në Prishtinë me “Ballo Shqiptare”.
Shqiptaria kishte zbarkuar në Kosovë e të gjithë ishin aty me zemër, duke promovuar vlerat tona mbarëkombëtare.
Këtë event Diellza Kolgeci thuhet se do ta organizojë edhe në Tiranë vitin e ardhshëm, por kjo mbetet për t’u parë.
Nga Aldush Prizeni – Prishtinë
Në foto: Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me gazetaren e “Koha Jonë” Albina Gjergji (majtas) dhe një artiste nga Shqipëria.
Më poshtë intervista e Albina Gjergjit me njërën nga organizatoret e eventit madhështor, Diellza Kolgeci, botuar pak ditë para aktivitetit në “Koha Jonë”.
Diellza Kolgeci: Këndo shqip, vallëzo shqip, frymo shqip në “Ballo Shqiptare”.
Intervistoi: Albina Gjergji
“Ballo Shqiptare” po afron e nëse nuk e keni vendosur akoma se çfarë do të vishni, atëherë po që e keni punën “pisk”, pasi data 2 dhjetor është “pas dere”! Veshje solemne, fustan a kostum class, e rëndësishme është që të mos harroni detajin tradicional mbi, i cili është konceptuar si elementi pikant i kësaj ngjarjeje të bukur shqiptare. Këtë na e thotë edhe Diellza Kolgeci, që është njëra nga organizatorët e eventit. “Kodi veshjes do të jetë solemn me ndonjë detaj tradicional, pra të veshjeve kombëtare. Kjo mendoj se e bën më të bukur ballon, pasi shumica e mysafirëve e respektojnë këtë kod”, thekson bukuroshja Kolgeci.
Për gazetën “Koha Jonë” ajo zbulon gjithashtu që, që pas disa javësh punë, lodhje e përgatitje, tashmë në “Swiss Diamond” të Prishtinës gjithçka është gati. Pra, mbrëmja e së shtunës në kryeqytetin e Kosovës, do të jetë vërtetë një nga ato specialet që do të mbahet mend gjatë. Arsyet pse do të fiksohet si e tillë në memorien e pjesëmarrësve na i tregon më poshtë Diellza Kolgeci, si njëra nga ideatoret dhe truri i kësaj feste të madhe kulturore.
Edhe pak ditë na ndajnë nga “Ballo shqiptare 3”. Në ç’pikë jeni me përgatitjet Diellza?
Tanimë cdco gjë ka përfunduar. Çdo gjë ka ecur mirë, ashtu sikurse edhe e kemi planifikuar jemi vetëm në pritje të datës 2 dhjetor.
Zakonisht kur themi “ballo”, ndërmend na vijnë ato klasiket në ambientet mondane, valset vieneze, ku të ftuarit, apo pjesëmarrësit paraqiten përkrah parterëve në vallëzim… a është edhe ballo shqiptare diçka e tillë?
Idea për “Ballo Shqiptare” më ka lindur në vitin 2002, pikërisht më 28 nëntor. Idea e kësaj balloje ishte nga mungesa e një balloje shqiptare. Ashtu siç e kanë shumë popuj të tjerë edhe unë desha që nëpërmjet ballos shqiptare t’i kujtojmë dhe prezantojmë popujve të tjerë disa nga vlerat tona tradicionale që kemi në vallëzim e shumë aspekte të tjera. Ne kemi larmi vallesh artistike, veshje të bukura tradicionale, ku në mesin e këtyre veshjeve kemi edhe xhubletën, ndër më të vjetrat në botë. Pastaj, muzika jonë e bukur popullore me melodi të bukura dhe mesazhe të forta e të bukura, si dhe ushqim interesant tradicional.
Ballo me motive patriotike, popullore dhe tradicionale. Cili është mesazhi i kësaj ngjarjeje?
Mesazhet përgjithësisht janë të interpretueshme, por më kryesorja për ne që ta transmetojmë si mesazh është që të mos harrojmë traditat tona, por t’i respektojmë e t’i vleresojmë ato. Të mos i përziejmë me kultura të tjera, sepse e kemi të bukur kështu siç është.
Në përshtatje me ngjarjen, kodi i veshjes si do të jetë?
Kodi veshjes do të jetë solemn me ndonjë detaj tradicional, pra të veshjeve kombëtare. Kjo mendoj se e bën më të bukur ballon, pasi shumica e mysafirëve e respektojnë këtë kod.
Si është konceptuar programi i mbrëmjes së 2 dhjetorit dhe sa do të jetë numri i të ftuarve?
Deri në oren 8 deri 8:30 do te presim mysafiret, pastaj fillon programi artistik qe zgjat deri ne oren 23:00. Pastaj kemi edhe aheng në zonën Club, ku edhe aty do të performojnë DJ të ndryshëm, por e sigurtë është që atë natë çdo gjë do të frymojë shqip. Në event janë të ftuar rreth 400 mysafirë.
Sa do të zgjasë dhe befasitë e rezervuara për këtë edicion?
Do të zgjasë 3 orë dhe befasia e mbrëmjes është mirënjohja që u bëhet atyre, të cilët kanë kontribuar për kulturën tonë.
Mund të na zbuloni disa prej emrave më të lakuar mediatikisht, që do të marrin pjesë ?
Ka shumë fytyra nga arti, politika, biznesi dhe shumë miq. Kryesisht janë fytyra të njëjta, sikurse vitet e kaluara, por kryesisht janë imazhe të njohura dhe me ndikim në sferat, apo fushat që veprojnë.
Mjaft ambicioze dhe optimiste si temperament, në fakt a është e vështirë të marrësh mbi shpatulla një përgjegjesi kaq të madhe si “Ballo Shqiptare” Diellza?
E bëj me shumë dashuri dhe duke iu falenderuar miqve, njerëzve profesionistë çdo gjë më shkon më me lehtësi dhe pozitivitet. Por po, është përgjegjësi duke marrë parasysh se ne e filluam vetë që për herë të parë, megjithatë, duke marrë parasysh fjalët e mira për ballon dhe organizimin ja vlen ta marrësh këtë përgjegjësi.
Bashkëpunëtorët. Cilët janë ata dhe sa e rëndësishme është frekuenca (gjatësia e valës) me njëri-tjetrin?
Unë dhe Afri punojmë në shumë projekte së bashku dhe tanimë, përveçse kemi njëra-tjetrën kemi edhe shumë njerëz, të cilët kanë mësuar stilin dhe kërkesat tona gjatë punës dhe kjo ka shumë rëndësi, sepse secili tanimë e di se çka duhet të bëjë.
Krahasuar me vitet e kaluara, cilat janë pritshmëritë që keni sa i takon suksesit?
Mendoj që edhe këtë vit do ja kalojmë bukur. Do të argëtohemi, do të vallëzojmë dhe do kënaqemi me frymën, kulturën, të bukurën tonë shqiptare. “Ballo Shqiptare” nuk do kishte kuptim pa mysafirë nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e shumë të tjerë, andaj edhe juve si gazetë ju presim që të kënaqemi e festojmë së bashku.