Bruno Shllaku, aktori i prezencës së fuqishme skenike, ky kalorës i fushëbetejave të artit të shenjtërisë së fjalës
Nga Albert Vataj
Pak këmbë shkallë poshtë skenës ku ai ngjiti zemrën e tij të farkëtuar në zjarrin e pasionit, Bruno Shllaku zbriti mesditen e 3 shkurtit 2026 në hollin e Teatrit “Migjeni”, me 70 vite mbi supe dhe emocionin e një shpirti të bukur. Me burrin shtatlartë, i zbardhur dhe i hirshëm si një kreshtë, u ndal aty urtak ky vërshim, aty ku sy dhe ndjenja u gjegjën në një akt kremteje.
Një Zot e di se çfarë ai ndjente në këto çaste, kur nuk i lejohej të përlotej as të ngazëllehej, sepse ishte aty me një tempull në kraharor dhe një kushtrim në zërin e tij që gjëmoi skenave, si një thirrje që vinte nga thellësia e kohës dhe shkreptima e gjithë qiejve që u derdhën mbi ashpërsinë e maleve dhe i veshën ata me mistikën e legjendave dhe miteve.
Ishte aty ai, Bruno Shllaku, zë dhe zemër, përjetim dhe ndjenjë, mit dhe mister, që bëhej magmë e gufonte këtë çast, aty, aty në ato dërrasa e në atë frymje të “Migjenit”, ku buçima e zërave dhe drithërima e shpirtit, sytë shpues dhe meditativja ngjethëse, u bënë sublimja e asaj që ai mëkoi si mishërim i të gjallës së asaj që i përket përjetësisë.

Foto: Bruno Shllaku në rolin At Zef Pllumit në dramen “Të korrat e gjelbërta”, shkruar dhe vënë në skenë nga Bruno Shllaku
Vitet që Bruno numëroi, dje u rrumbullakosën në 70. Ato nuk janë thjeshtë vite, janë kohjet që kaluan nëpër rrugëtimin e kapërthimit të qëllimit në mision, të ngulmimeme të ethshme për të përmbushur veten në këtë kalvar mundimesh dhe shenjtërimi të fjalës.
Ende rrugë i ka mbetur Bruno Shllakut, këtij hapi që numëron jetët që solli në jetë përmes sublimes skenike, thellësisë së përjetimit, forcës së staturës fizike dhe zërit, asaj që ai është në atë që ai ka ardhur të ndërtojë dhe ta lërë si trashëgimi e një tradite që qëndron në themel të përkatësisë sonë identitare.
Dje u mblodhën të gjithë në “Migjeni”, miq, bashkëpunëtorë e admirues, bashkudhëtarë të skenës dhe dëshmitarë të një rruge të gjatë arti, për të kremtuar 70-vjetorin e Bruno Shllakut. Ishte një takim që i ngjante më shumë një kuvendi mirënjohjeje, sesa një feste formale, një thirrje e kujtesës dhe respektit për një emër që ka ditur të bëhet zë, figurë dhe shpirt i teatrit shkodran dhe i kinematografisë shqiptare.

Bruno Shllaku
Ky vigan i skenës dhe filmit, ky kushtrim i zëshëm i eposit dhe thirrjes së thekshme të maleve, kjo staturë e gdhendur përballë çdo sfide skenike, u gjend aty si një fëmijë i lumtur para tortës së kremtes, para dy qirinjve që shënonin të 70-at dhe para një atmosfere galdimi, ku fjala e miqve dhe kolegëve u shndërrua në dëshmi emocionesh, kujtimesh dhe vlerësimesh për rrugën e përbashkët me Brunon. Çdo fjalë ishte një pasqyrë, çdo kujtim një fragment i mozaikut të një jete të jetuar në shërbim të artit.
Ndoshta kjo kremte do të mund të ishte më solemne, më pompoze, më e zhurmshme. Por aq mjaftoi sa të kishte madhështinë e vet, madhështinë e përkorë që i shkon për shtat një personaliteti të Teatrit “Migjeni”, një figure themelore të skenës së këtij institucioni, një shtylle të traditës shkodrane të aktrimit, një opusi të gjerë krijues që Bruno Shllaku përfaqëson me dinjitet dhe përkushtim.
Ai ka 70 vite të shënuara në kalendarin e jetës, por mban mbi supe dhjetëra role në teatër dhe në film, produksione skenike dhe sfida jetësimi të fjalës dhe mendimit, të mesazhit dhe të fuqisë jetëdhënëse të mishërimit artistik. Personazhet dhe karakteret që ai ka ndërtuar nuk kanë mbetur thjesht role, por janë shndërruar në forma të një përkatësie identitare shqiptare, që kalon përmes frymës, zërit, emocioneve dhe shpirtit të një gjigandi të skenës.

Bruno Shllaku në “Ditarin e Anna Frank” Marjana Kondi nje partnere Formidabillle
Një gjigand që, ndoshta, nuk është vlerësuar dhe nderuar sa dhe si duhet. Por kjo mungesë nuk e ka ndalur kurrë të jetë një kalorës në fushëbetejën e artit skenik shqiptar, në këtë traditë të shquar ku emra dhe jetë, fuqi krijuese dhe uragane interpretuese kanë derdhur shpirtin e tyre nga thellësia e emocioneve, duke e shndërruar atë në gurë themeli të një tempulli të lartë kulturor.
Bruno Shllaku është një nga figurat më të ndritura të teatrit dhe filmit shqiptar, një aktor që ka ditur të mishërojë me dinjitet, intensitet dhe pasion rolet më të rëndësishme të skenës, duke u shndërruar në simbol të gjeneratës së artë të Shkodrës. Ai përfaqëson atë brez interpretuesish që nuk e panë kurrë skenën si profesion të zakonshëm, por si thirrje, si detyrim moral dhe si shërbesë ndaj publikut. Zëri i tij mbetet një zë i fuqishëm i kulturës shqiptare, i rrënjosur thellë në traditë, por gjithnjë i hapur ndaj modernitetit të gjuhës artistike dhe kërkesave bashkëkohore të interpretimit.
I lindur më 3 shkurt 1956 në Shkodër, Bruno Shllaku u formua në një mjedis ku arti nuk ishte zbukurim, por mënyrë jetese. Familja e tij ishte e lidhur ngushtë me skenën dhe kulturën, çka e bëri teatrin pjesë të natyrshme të përditshmërisë së tij që në fëmijëri. Babai i tij, Lec Shllaku, një nga themeluesit e Teatrit “Skampa” në Elbasan, u bë ura e parë që e çoi Brunon drejt skenës. Pikërisht aty, në moshën vetëm 11-vjeçare, ai hodhi hapat e parë, duke u aktivizuar në drama si “Udha e Zavalinajve” dhe “Qelia Nr. 7”, ku u dallua qartazi një talent i lindur dhe një prirje e pazakontë për përvetësimin e rolit dhe ndërtimin e karakterit.

Bruno Shllaku me Nik Xhelialj
Në vitin 1982, Bruno Shllaku u emërua aktor pranë Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, institucionit ku do të gdhendej përfundimisht profili i tij artistik dhe ku ai do të shndërrohej në një nga shtyllat kryesore të trupës. Roli i tij i parë në këtë teatër, në dramën “Gjaku i Arbërit” të Fadil Krajës, me regji të Serafin Fankut, shënoi fillimin e një rruge të gjatë dhe të frytshme, ku përkushtimi, disiplina dhe etja për thellim artistik u bënë tipare dalluese të interpretimit të tij.
Gjatë karrierës së vet, Shllaku ka marrë pjesë në 36 premiera teatrore, duke sjellë në skenë një galeri personazhesh që kanë mbetur të paharrueshëm për publikun. Drama si “Çështja e Blertës”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Hetimi” dhe shumë të tjera dëshmojnë jo vetëm shtrirjen tematike të roleve të tij, por edhe aftësinë për të kaluar me natyrshmëri nga tragjikja te dramatikja, nga realizmi psikologjik te simbolika e thellë skenike. Në secilin rast, Bruno Shllaku ka ditur të jetë jo thjesht interpretues, por bashkëkrijues i veprës.
Përtej teatrit, ai ka dhënë një kontribut të çmuar edhe në kinematografinë shqiptare, duke u bërë një figurë e njohur dhe e dashur për publikun e gjerë. Prania e tij në ekran mbart të njëjtin seriozitet dhe të njëjtën ndjenjë përgjegjësie artistike që e ka karakterizuar gjithmonë në skenë.

Në vitet ’90, përballë sfidave të kohës, Bruno Shllaku emigroi në Greqi së bashku me bashkëshorten e tij, aktoren Paskualina Shllaku (Gruda). Edhe larg atdheut, ai nuk e braktisi misionin e tij artistik. Përkundrazi, themelimi i një teatri për fëmijë në gjuhën greke ishte dëshmi se arti i tij nuk njihte kufij, se gjuha e skenës mbetet universale dhe se përkushtimi ndaj brezit të ri është një nga format më fisnike të trashëgimisë kulturore.
Jo rastësisht, Bruno Shllaku shpesh cilësohet si “i fundit i mohikanëve” të gjeneratës së artë të Shkodrës, një brez që i dha teatrit shqiptar dinjitet, thellësi dhe madhështi. Kjo përkatësi nuk është vetëm profesionale, por edhe shpirtërore, pasi ai është nip i Gjon Shllakut, përkthyesit të shquar të “Iliadës” në gjuhën shqipe, duke e lidhur figurën e tij me një traditë të gjatë kulturore, ku fjala, mendimi dhe arti ecin krah për krah.
Bruno Shllaku nuk është thjesht një aktor. Ai është një ikonë e kulturës shqiptare, një figurë që ka ditur të ndërthurë pasionin me profesionalizmin, disiplinën me ndjeshmërinë, përkushtimin me modestinë. Në çdo rol, ai ka ofruar jo vetëm emocion, por edhe një pasuri shpirtërore që mbetet e pashlyeshme në kujtesën e publikut.

Në historinë e teatrit dhe filmit shqiptar, emri i Bruno Shllakut qëndron si një monument i gjallë i pasionit, përkushtimit dhe dinjitetit artistik. Jo thjesht si aktor, por si misionar i skenës, si njeri që e ktheu interpretimin në një akt dashurie ndaj publikut dhe ndaj kulturës kombëtare.
Bruno Shllaku ka një galeri jashtëzakonisht të pasur rolesh, ku spikat aftësia e tij për t’u transformuar nga figura autoritare dhe tragjike, në një tashmëri të gjallë të karakterit që zgjohet nga thellësia e kohës për të dëshmuar shpirtin dhe të gjallët e tij epik. Ai bart atë “shkollën e vjetër” të aktrimit ku fjala ka peshë dhe emocioni është i drejtpërdrejtë.
Teatri është vendi ku Bruno ka shpenzuar pjesën më të madhe të jetës së tij profesionale. Disa nga interpretimet më të spikatura përfshijnë rolet klasike, ku ai ka interpretuar figura komplekse në dramat e autorëve të mëdhenj si Shekspiri, Molieri dhe Brehti. Ai shquhet për forcën e tij në tragjedi, ku zëri i tij i plotë mbush sallën.
Në lëmin e dramaturgjia kombëtare, ka spikatur me të tjerash, e ku tjetër veçse duke i dhënë shpirt personazheve në veprat e Gjergj Fishtës dhe autorëve të tjerë shkodranë, duke ruajtur dialektin dhe ngjyrimet lokale me shumë mjeshtëri. Gjergj Elez Alia, mbetet një nga rolet e tij ikonike në teatër, ku ai solli në jetë figurën mitike të heroit shqiptar, duke gërshetuar forcën fizike me dhimbjen e personazhit.
Në film, ai ka arritur të ndërtojë karaktere që mbeten në mendje edhe nëse nuk janë protagonistë absolutë. Disa nga filmat më të rëndësishëm, kritika artistike dhe kolegët e vlerësojnë Bruno Shllakun si një nga figurat qendrore dhe identifikuese të teatrit “Migjeni” dhe skenës shkodrane. Mendimi i përgjithshëm i kritikës dhe rrethit artistik mund të përmblidhet në këto pika, mjeshtër i fjalës dhe karizmës. Ai konsiderohet një “mjeshtër i fjalës” dhe një aktor me prezencë të fuqishme skenike. Kritika ka veçuar aftësinë e tij për të sjellë me vërtetësi personazhe komplekse, duke e cilësuar si një aktor karizmatik që i jep “frymë memories kombëtare” përmes roleve të tij.

Jo vetëm publiku shqiptar edhe ai ndërkombëtare ka dhënë vlerësime për interpretimin i tij në filmin “Busulla” (regjia Bujar Alimani) është vlerësuar lart nga kritika, duke u konsideruar si një nga shtyllat që i dha sukses këtij filmi në festivale ndërkombëtare. Po ashtu, angazhimi i tij në filmin “Burrnesha” (Sëorn Virgin), i cili konkurroi në Festivalin e Berlinit, u pa si një kulm i karrierës së tij 40-vjeçare.
Kolegët dhe kritikët e shohin atë si një “lis të bjeshkës” (siç e ka cilësuar shkrimtari Guxim Alimani), një simbol të qëndresës dhe profesionalizmit që nuk dorëzohet para vështirësive. Ai vlerësohet për ruajtjen e traditës së shkollës shkodrane të aktrimit, por edhe për guximin për të bashkëpunuar me regjisorë të rinj dhe eksperimentalë.
Kritika ka mirëpritur faktin që Shllaku mbetet një mbrojtës i flaktë i autorëve shqiptarë (si Ernest Koliqi), duke insistuar në rikthimin te rrënjët e dramës kombëtare në një kohë kur skenat dominohen shpesh nga autorët e huaj.

Ndërsa ai fiku qirinjtë e tortës së ditëlindjes, dëshira e tij me gjasë do të ishte që Bruno Shllaku të vazhdon të jetë një prani aktive, një forcë që kërkon ende sfida, role që kërkojnë thellësi, tekste që kërkojnë zë dhe mendim, skena që kanë nevojë për peshë dhe besueshmëri. Ai ecën përpara jo si kujtim i një kohe të artë, por si vetë ajo kohë që refuzon të bëhet e shkuar duke ngulmuar të jetë vetëm e sotme. Në një teatër që shpesh kërkon rrënjë për të mos u shpërbërë, ai mbetet një nga ato rrënjë të gjalla që ushqejnë trungun.
Rrugëtimi i tij skenik nuk kërkon duartrokitje lamtumire, por hapësirë për vazhdim. Sepse Bruno Shllaku nuk e ka thënë ende fjalën e fundit. Ai është ende aty, gati të ngjitet sërish në skenë, jo për të dëshmuar çfarë ka qenë, por për të treguar se çfarë ende mund të bëhet, kur arti jeton si mision dhe skena mbetet shtëpia e tij natyrore, gjithçka e tij.
KOHA JONË SONDAZH

