Camaj për letërsinë e realizmit socialist

Alma Mile

Kur flasim për Martin Camajn, vetiu të shkon mendja te shkrimtari, poeti, studiuesi i izoluar dhe vetizoluar mes rrathëve dhe zhguallit të Dranes. Është e vërtetë se Camaj u la jashtë letërsisë zyrtare në Shqipëri për gati gjysmë shekulli, për motive thjesht dhe vetëm ideologjike, por kjo nuk do të thotë se Camaj reshti së ndërtuari ura për tek lexuesi i vet.

Ura që ai e dinte se ndoshta nuk do ta çonin menjëherë atje, por dikur do të mbërrinte. Dhe këtë ai e bëri me krijimtarinë e tij letrare, e cila mbeti thelbësisht e lidhur me tokën e vet, tokën e të parëve, traditën e trashëguar, por edhe me studimet e tij në lëmë të letërsisë, gjuhësisë e folklorit, me punën e jashtëzakonshme në Katedrën e Albanologjisë në Minih, themeluar prej tij në vitin 1961.

Por, këtë e bëri edhe përmes “Shejzave”, një revistë që do të linte shenjë në kohë, e që sot na vjen si frymë, si një dëshmi e rëndësishme historike e letrare, si referencë. Një revistë që siç thoshte themeluesi i saj, Ernest Koliqi, “ka për qëllim të kryemit e nji detyre intelektuale kundrejt atdheut, në kohë kur në kuadratin e historis, grepat po shenjojnë nji ças rreziku jetëshënues”. Martin Camaj për vite me radhë ishte kryeredaktor i kësaj reviste, e cila nuk merrej thjesht me hallet e shqiptarëve të mërguar, që pushteti komunist i kishte përjashtuar, i kishte dënuar për të qenë pa atdhe.

“Shejzat” ishte vijim i traditës më të mirë të revistave letrare që botoheshin në Shqipëri në vitet ’30-’40, si “Illyria”, “Përpjekja shqiptare”, “Shkëndija”, “Kritika”, “Revista letrare”, Fryma” etj., ku lëvruan penat e shkrimtarëve e mendimtarëve më të shquar të kohës. Një traditë që në Shqipëri u ndërpre, menjëherë pas instalimit të diktaturës komuniste.

Përveçse me qëmtimin e materialit që ofrohej nga bashkëpunëtorë të shumtë të “Shejzave”, Martin Camaj nuk mungonte në faqet e revistës me shkrimet e tij, që herë kishin karakter studimor, herë vëzhgues, analitik apo informues. Krahas shkrimeve për shkrimtarë të traditës si De Rada, Mjeda, Fishta etj., Camaj do të shfaqte një interes të jashtëzakonshëm për zhvillimet më të fundit letrare në Shqipëri.

Përmes shkrimeve të veta, Camaj tregon se ishte shumë i informuar mbi atë çka ndodhte, për letërsinë që lëvrohej, autorët e vjetër e të rinj, veprat e reja që qarkullonin, veprat e reja që përktheheshin, tendencat më të fundit dhe shpeshherë shprehte shqetësimin e tij për rrugën që po merrte letërsia shqipe, larg traditës më të mirë të hedhur në fillimshekullin XX, nën trysninë dhe dhunën e imponuar nga pushtetarët e rinj, që i imponuan shkrimtarëve e artistëve metodën e realizmit socialist, importuar nga Bashkimi Sovjetik. Një metodë që pati një jetë të gjatë në Shqipëri, ndonëse marrëdhëniet politike me “vëllain e madh” u prishën që në vitet ’60.

Por, bashkë me shqetësimin, ai shprehte edhe gëzimin kur në Shqipëri ndodhte ndonjë ngjarje e madhe kulturore, siç do të ishte botimi i “Ferrit” nga “Komedia Hyjnore” e Dantes, nën përkthimin e Pashko Gjeçit apo botimin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, “Romani i eshtnave” siç e quan Camaj. Janë disa shkrimet e këtij karakteri, shtrirë në kohë, që tregojnë interesin e Camajt dhe atë lidhje që ai vazhdonte të mbante me atdheun e tij që e kishte mohuar. Camaj vazhdonte të bënte “detyrën” e tij prej studiuesi e kritiku, si të ishte në vendin e tij, sepse mendonte se me gjasë dikur zëri i tij do të dëgjohej në Shqipëri, mes kolegësh, e dikur do të vlente, ashtu si në të vërtetë ndodhi.

Një shembull i tillë është shkrimi i tij, i vitit 1957: “Nëpër fletët e Nëndorit, revistë letrare-artistike, shoqërore-politike, nr. 8, 1957”, ku Camaj shfrytëzon lëndën që i ofron revista “Nëndori” për të kuptuar dhe analizuar ecurinë e letërsisë në Shqipëri. Duke qenë që “Nëndori” ishte organ zyrtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ajo çka botohej në të, përbënte edhe normën letrare në Shqipëri.

“Në paraqitjen e këtyne pak mendimeve, asht ma se e drejtë të vehemi në pozitën e vështirë të shkrimtarëve t’atjeshëm, të cilve u duhet të ngushtohen mbrenda normave zyrtare të realizmit socjalist. Pra, shkrimtari, sado i madh të jetë, me këto pafte të gjana në tamtha të kres, detyrohet të shikojë vetëm në nji drejtim dhe nuk e ka të lehtë të gjejë trajta e mënyrna të përshtatshme që të shprehet artistikisht. E me të vërtetë, dukunija që bjen së parit në sy asht se të gjithë këta shkrimtarë, për kontributet e të cilëve bahet fjalë këtu, shprehen matematikisht, tue iu shmangë me kusht çdo lakimi ideje, tue endë fund e krye fjalina e përjudha stilistikisht të nji ngjyre e toni, pa nyansa ase reflekse ndjesish. Më duket se këto mendime rrjedhin nga truni i auktorëve si ushtarë, që dalin në diviza të njillojta në hap, nji mbas nji prej kazerme”, shkruan Camaj, duke vijuar më tej të marrë në analizë materialin e ofruar nga kjo revistë.

Dhe e para është një vjershë e Zihni Sakos “Lulëzojnë lulet” “e frymëzueme nga nji ngjarje e revolucjonit kinez”. Më tej, ndalet në një vjershë të gjatë të Ismail Kadaresë “Si gëdhiu një natë me këngë”. “Kadare ndjek traditën e shkrimtarëve tanë toskë, sidomos t’atyne që u dalluen mes dy luftnave, si p.sh. kumbimin e ramjes se Ali Asllanit”. Camaj i kalon përciptas dy vjersha të Fadil Krajës, ndërsa ndalet te “Hasta La Vista” e Petro Markos, një pjesë e të cilit ishte botuar në faqet e “Nëndorit”. Camaj është i “ashpër” me Markon, duke u shprehur se “shkruen plajtas tue rreshtue nji grumbull ngjarjesh e njerzish me nji gjuhë fare të rëndomtë. Lanë nji mbresë në lexuesin djalogjet e pa shije..”. Gjithnjë duke iu referuar Markos, Camaj thotë se “prozatorët sovjetikë, polakë, etj., megjithëse jetojnë nën të njajtin qiell të ngushtë si shkrimtarët tanë, janë shum ma objektivë e të lirë se këta në trajtimin e tipave dhe rrethanave”. Më tej, merr në shqyrtim një vjershë të Luan Qafëzezit, ndalet pak te tregimet e Shuteriqit që, sipas tij, “ka ba shumë mirë.., dekani i shkrimtarëve të Tiranës, se i ka harrue për nji moment disa rregulla, aq me zell të predikuese prej tij, të cilat ndalojnë rrebsisht subjektivizmin në leteratyrë”; Kola Jakova, që, sipas tij, “krijon nji gjuhë laramane që ia vret veshin e synin toskës dhe gegës”; Sterjo Spasse rrëfen ca mbresa nga Kina…

Duke vënë në pah edhe një herë ngushticën, në të cilën gjenden shkrimtarët shqiptarë., Camaj ngre një pyetje retorike: “pyesim puntorët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë: tue ndjekë ata kët drejtim a janë të bindun se kanë me qitë diçka të vlefshme në dritë që të mbesë për meritimet e veta estetike në letërsin shqipe?” Po atë vit, në numrat vijues të “Shejzave”, Camaj do të ndalet më gjerësisht te poezia që po lëvrohet në Shqipëri. Ai merr në analizë poezinë e botuar gjatë vitit 1957 “Nji shikim poezis se vjetit 1957 në Shqipni”.

Pa hyrë ende në analizën e veprave konkrete, Camaj vë re sasinë e madhe të botimeve në Shqipëri, pasi, me sa duket, “pushteti i ep nji randsi të madhe sasis së prodhimit, edhe se nuk kujdesohet-apo i mungojnë mjetet?-t’u vejë në dorë lexuesëve botime të pregatituna si u kanë hije veprave letrare, ashtu si shofim se bahet gjithkund nëpër botë”. Sigurisht, Camaj e vlerëson vullnetin për përhapjen e kulturës dhe librit, deri në “katunet” më të largëta të Shqipërisë, përkundër një nënvlerësimi që qeveritë e përparshme kishin për artin e letërsinë, duke i quajtur shkrimtarët dhe poetët “prrallaxhinj” apo “bejtexhinj”, veçse Camaj kujton një varg revistash kulturore, si “Hylli i dritës”, “Leka”, “Illyrija”, “Shkëndija”, etj., të cilat u bënë promovueset e artit e letërsisë, edhe pse në një lexues të kufizuar. Sipas tij, këto revista janë “historija e letërsisë dhe e kulturës sonë mes dy luftnave botnore”.

Por, tashmë kanë ndërruar, interesimi i partisë-shtet është shumë i madh ndaj artit dhe kulturës, pasi, siç vë re Camaj, shërben si një mjet për përhapjen e pikëpamjeve të saj, çka çon në censurë, autocensurë dhe në rrafshin e individualitetit të shkrimtarëve e poetëve. “Hapsija e lëvizjeve të artistit asht e ngushtueme nga rregulla të paracaktueme e nga atmosfera e rrethit ase e kolegiumit, ku mediokrit nuk i mungon kurrë dhelpnija dhe mënyra për t’i prishë punë shokut ma të zot” , shkruan Camaj.

Sipas tij, në kushte të tilla, ajo që humb më tepër është poezia. Dhe për të dhënë një panoramë të zhvillimeve të këtij zhanri, ndalet në disa poetë e poezi. Për së pari, ai ndalet tek Ismail Kadare, të cilin e përzgjedh nga kategoria e “talentueme e vjershëtarëve të rinj”, duke u ndalur në poemin, “Nji ngjarje në pushime”, që tregon historinë e dashurisë së një studenteje me një traktorist. Po Kadare ka një poezi kushtuar “Leninit”. Ideologut i kushton një poezi edhe Mark Gurakuqi. Camaj ndalet më pas te Nonda Bulka, tek Andrea Varfi, Muzafer Xhahxhiu, Aleks Çaçi, Llazar e Drago Siliqi, Dhori Qiriazi, Dionis Bubani. Karakteristikë e analizës së Camajt është karakteri i saj krahasues. Ai pranëvë poezi me tema të njëjta, duke shqyrtuar shkurtimisht mbi vetë tekstet. Kështu, Kadarenë e përball me Gurakuqin, Xhaxhiun me Çaçin, Bulkën me Gurakuqin, Dragon me Llazarin. “..tue përmbledhë përshtypjet nga kjo panoramë e këtij aktiviteti krijues në Shqipni dhe tue i vrejtë depërtueshëm mandej disa çashtje themelore, kollaj bashkë me lexuesin mund të vijmë në përfundim se kjo letërsi xen fill nga premise cenuese t’artit të vërtetë dhe të nji zhvillimi normal të tij njimend të përjetuem”. Me rastin e 10-vjetorit të “Shejzave”, në vitin 1966, Camaj do të ndajë ca “mendime rreth zhvillimit të letërsisë së mbasluftës në Shqipni” , me lexuesit e këtij botimi special.

Teksa rendit disa autorë, të cilët u futën në hullinë e realizmit socialist, pasi kishin krijuar një individualitet të vetin letrar përpara çlirimit, autori ndalet te një brez i ri shkrimtarësh të pasluftës, si Xoxe, Kadare, Agolli, Xhuvani, etj., Camaj vë re epërsinë e prozës karshi poezisë. Pyetja që ngre Camaj është “Ku qindrojnë këta të rijt kundrejt Fishtës, Frashërit, De Radës, Poradecit, Koliqit etj.. Për shum arsye asht vështirë t’i jepet një përgjegje e preme kësaj pyetje. Në këto njizet e dy vjet janë botue mija e mija faqesh nga qinda e qinda penash; kushtet kanë ndrrue, dashtë e padashtë dhe shija e lexuesëvet…”.

Po pavarësisht kësaj shumësie shkrimesh e shkrimtarësh, letërsia e vërtetë është e pakët dhe, siç thotë Camaj, “duhet me kërkue disa sende të Kadares, do poezi të Siliqit, disa përshkrime të Spases mbi njerëz të zakonshëm dhe nganjiherë disa reportazhe mbi krahina dhe ambjente, ba në mënyrë të mrekullueshme për t’ia nxjerrë prej goje nji ‘mirë!’ të thanin me andje”. Camaj është një vëzhgues i kujdesshëm dhe vëre se “Për prozatorët e mbasluftës asht karakteristik stili zhurnalistik: shum ndër ta në të vërtetë janë ba gazetarë’ shpesh herë stili dhe gjuha gazetare asht e njajtë dhe në shkrimet me qëllim artistik. Nga ky fakt rrjedh dhe mënyra e të shprehunit patetik dhe vorfnija gjuhësore; për këtë gja të fundit asht dhe faji i normalizimit të ngutëshëm të gjuhës së shkrimit”. Duke shfletuar prodhimin e këtyre viteve, fatkeqësisht, Camaj vë re se “prodhimi që shihet i botuem ka për qëllim të bahet landë e historisë së letërsisë dhe tue qenë se kjo landë trajton historinë e partisë me zhvillimin ekonomik të kësaj kohe, asht qëllimi që historija e letërsisë dhe e partisë të përnjisohen, si nji gja e vetme”. Krahas temave të reja që imponon “koha e re”, autori vë re përpjekjen për krijimin e një “gjuhe të re të unjisueme”.

Ai vë re se këto përpjekje kanë ndërprerë afrimin e natyrshëm të dy dialekteve, atij toskë e gegë. “Ideja bindëse artistike duhet të ketë at veshje të jashtme që auktori me prejardhje nga Luma apo Skrapari don të na paraqesë. Ndërhymja e redaktorit gjuhësor pranë shtëpisë botuese dhe pranë redaksive të revistave letrare shuen me siguri shpesh herë afshin e nji ndjesije”. Kështu, në këto shkrime, por edhe në të tjera syresh, Camaj rrok një sërë problematikash që ishin shfaqur në letërsinë e pas Luftës II Botërore në Shqipëri, që nga tematikat, stili, leksiku, unifikimi i gjuhës, e mbi të gjitha ngushtimi në morsën e rregullave të metodës së realizimit socialist.

Përveç interesit të Camajt, syrit të tij prej kritiku, këto shkrime që i përkasin fundviteve ‘50-60, shënojnë fillimin e një debati, që në Shqipëri ka nisur pas viteve ’90 dhe ende vazhdon të jetë aktual, ai i vlerës së letërsisë së krijuar gjatë viteve të socializmit dhe shkëputjen e dhunshme nga tradita, që ndodhi në letërsinë shqipe të pas Luftës II Botërore. Përmes këtyre shkrimeve, Camaj na fton të bëhemi pjesë e një procesi vlerësimi dhe rishkrimi të historisë së letërsisë shqipe. /Botuar në revistën: “Pasqyra e të rrëfyemit”/

SHKARKO APP