Çfarë u ndodhte burrave të veriut nëse nuk merrnin hak?
Më konkretisht: burrat dhe të gjithë anëtarët e familjes shkonin në kishë me “jagës mi krie” (kapuç mbi kokë), domethënë me pamje të shëmtuar, sepse kapuçi u mbulonte dhe me hije një pjesë të konsiderueshme të fytyrës.
Djemve të një familjeje të tillë, me burra të mbuluar me kapuç në mjediset e kishës nuk i jepte nuse asnjë familje dhe vajzat e saj nuk i kërkonte askush për nuse.
Me përçmim thuhej se këtyre familjeve i “jesin (mbesin) cucat si lopët”. Dhe, për më tepër, burri përfaqësues i një familje të tillë nuk kishte vend ndër burra në kuvende.
“Në kuvend theksohet te Kanuni i Lekë Dukagjinit në variantin e Mirditës, ka vend anas, veç tagër fjale s’ka”.
Veçimi nga burrat e tjerë dhe mohimi i të drejtës për të folur në kuvend ishin poshtërime të rënda, të papërballueshme për burrat. Poshtërime të tilla kanë qenë më shumë hipotetike sesa të praktikuara në jetën e përditshme.
Natyrshëm lindin pyetjet: Pse këto familje diskriminoheshin në kufijtë e të padurueshmes? Çfarë vesesh kishin anëtarët e tyre? Çfarë krimesh kishin kryer ata?
Kjo gamë fyerjesh dhe poshtërimesh të rënda, simbolikisht identifikonte familjen, burrat e së cilës nuk kishin marrë hak, nuk kishin vrarë burrin ose burrat që i kishin fyer, poshtëruar ose vrarë mikun ose miqtë.
Modele sjelljesh të tilla, drejtpërdrejt dhe sidomos tërthorazi, dëshmojnë rëndësinë e veçantë që kishte miku, si institucion shoqëror, në funksionimin e shoqërisë tradicionale shqiptare.
/Zyhdi Dervshi, “Lente të ndërveprimit simbolik”/