Dy ikona të rralla në laboratorin e restaurimit, nis procesi i rikthimit të ngjyrave dhe shpirtit të artit bizantin në Berat

Në laboratorin e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat, aty ku koha ndërthuret me kujdesin dhe mjeshtërinë, kanë mbërritur dy ikona të rralla që do t’i nënshtrohen procesit të restaurimit. Bëhet fjalë për ikonën “Shën Kolli” dhe “Krishti Pantokrator”, dy vepra me vlera të veçanta artistike dhe devocionale, që ruajnë në sipërfaqen e tyre shenjat e shekujve dhe të përkushtimit fetar të brezave.

Të dyja ikonat janë gjetur në kishën e Shën Kollit, në lagjen “Kala” të Beratit, një nga zonat më të pasura me trashëgimi kishtare dhe me një traditë të lashtë ikonografike. Në këtë hapësirë të ngulitur në gur e kujtesë, arti fetar ka gjetur një shprehje të lartë në dorën e piktorëve mjeshtërorë të Beratit dhe shkollave përreth.

Restauratorët e DRTK Berat kanë nisur tashmë fazën e analizave paraprake për të përcaktuar gjendjen e veprave, teknikat e përdorura dhe ndërhyrjet e mundshme. Çdo detaj, çdo shtresë ngjyre, çdo plasaritje do të trajtohet me kujdes, në mënyrë që të ruhet integriteti artistik, autenticiteti dhe vlera historike e ikonave. Ky proces delikat synon jo vetëm restaurimin fizik, por edhe ringjalljen shpirtërore të veprës, duke i kthyer asaj dritën, ngjyrat dhe fisnikërinë e dikurshme.

Swiss Digital Desktop Reklama

Restaurimi në këtë laborator, i pajisur me teknologji bashkëkohore dhe ekspertizë të specializuar, është bërë tashmë një model shembullor i kujdesit për trashëgiminë ikonografike shqiptare. Më herët, ky laborator ka realizuar me sukses restaurimin e ikonës së Krishtit, gjetur në Libofshë të Fierit, një vepër e vëllezërve Çetiri, ikonografë të shquar të shekullit XIX, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në artin kishtar shqiptar.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërhyrja e mjeshtrave të Beratit i riktheu asaj ikone ngjyrat e humbura, dritën e fytyrës së Krishtit dhe shkëlqimin e mëshirës hyjnore që ajo mbart. I njëjti kujdes, e njëjta dashuri për veprën e shenjtë, po udhëheq edhe procesin aktual të restaurimit.

Përtej aspektit teknik, këto restaurime mbartin edhe një vlerë shpirtërore dhe identitare. Çdo ikonë e shpëtuar nga harresa është një faqe e ringjallur e historisë sonë, një dëshmi e besimit, artit dhe kulturës që kanë formuar qytetërimin shqiptar ndër shekuj.

Në duart e restauratorëve të Beratit, ikona nuk është thjesht një objekt, por një marrëdhënie e gjallë mes kohës, dritës dhe njeriut, një urë që lidh të shenjtën me të bukurën dhe trashëgiminë me të ardhmen.

P¥rgatitit: Albert Vataj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?