Ese nga Frederik Rreshpja për romanin e Ismail Kadaresë, “Lulet e ftohta të marsit”
Lulet e rreme të një marsi të rremë
Frederik Reshpja

“Lulet e ftohta të mar- sit” është vepra më e pikëlluar e Kadaresë, ësh- të gati një rekuiem. Nga do të shoqëron një fjalor i zymtë.
Romani fillon me këto fjalë:
“Qenë lule ato vërtet, por ndoshta s’ishte mars. A ishte mars gjithkund, veç lulet qenë të rreme”.
Dhe mbaron me këtë frazë: “Piktorit, kushedi pse, i vinte për të qarë”.
Pra piktori, i kërrusur mbi këtë pamje të trishtuar që të huajt i thonë Albania, nuk ka shpresë.
Eshtë hera e parë që Kadareja del hapur përballë realitetit shqiptar, biles i zymtë dhe pesimist për një tokë që e braktisën perënditë, për një mars që në të vërtetë nuk është mars, për ca lule të rreme, të ftohta.
Vepra është thurur në një mënyrë të jashtëzakonshme, më me mjeshtëri se tërë romanet e tjera dhe ndofta nga kjo gjë, lexuesi shqiptar, i pamësuar akoma me arkitekturën matematike të letërsisë moderne, nuk e ka të qartë idenë qendrore të romanit. Partitë nuk e kanë lexuar ose besoj që nuk e kanë kuptuar, prandaj nuk janë zemëruar akoma. Kritika hesht.
Tek ne në Shqipëri kritikët i nxjerrim nga shkrimtarët e këqinj ashtu siç nxjerrim uthullën nga vera e keqe, vetëm pse duhet pak acid acetik.
Kadareja është tepër i avancuar, prandaj këtu nuk mund të flitet me gjuhën strikt: subjekt, fabul, linjë. Por një fill ekziston, si ai motivi qendror në një simfoni.
Figura qendrore është një piktor kryeqytetas që, megjithëse Shqipëria doli nga diktatura, “nuk di as nuk do të dijë përse nuk është aspak i gëzuar” dhe nuk ka dëshirë të kthehet në kryeqytet por rri në një qytet të vogël alpin ku e pati degdisur diktatura. Eshtë krejt indiferent ndaj politikës dhe partive, ndaj biznesit dhe aktiviteteve shoqërore. Tipiku i intelektualit të kohës.
Ndoshta, pak shpejt po e kalon rininë. Eshtë i ndershëm, qytetar i rregullt, koshient për talentin e tij të zakonshëm. Pra një portret krejt i ri në letërsinë shqiptare, vizatuar sipas mënyrës së Kadaresë, një dukuri e re dhe e suksesshme kjo në letërsinë botërore: diku pak velaturë, konture të ashpra që treten atje te sytë p.sh. ose te legjenda, ose thjeshtë te ëndrra; furça pastoze, ngjyra impresio- nante ngjeshur me spatu- la dhe më tutje, grunti i zhveshur gropa gropa…
Mbaj mend se dekada më parë e kam vënë këtë mënyrë tepër kapriçioze dhe origjinale të dhënies së karakterit të plakës Nicë.
Në fund të romanit, vëllai i mikeshës së Markut vret drejtorin e tij, shefin e kulturës sapo filloi zbatimi i kanunit dhe kërkon ndërmjetësimin e Markut mes tij, kanunit dhe shtetit. Do të ishte një tharzh i shkëlqyer po të mos ishte tragjedi në mes.
Vërtet Kadareja është pranuar gjithmonë si shkrimtari më i mirë shqiptar. Vetëm kaq. E kam vënë re se veprat e tij janë duartrokitur me vonesë ashtu si shumë vepra të shquara në këtë botë.
Një shkrimtar i njohur më tha këto ditë se nuk e kuptonte këtë vepër. Ai kishte harruar se kështu më pati thënë edhe për “Kështjellën” që më vonë e ka duartrokitur.
E di që edhe këtë roman do ta duartrokasin me vonë, por përsëri duke mos kuptuar asgjë.
Gjërat e mëdha duan kulturë për t’u kuptuar. Jo kushdo mund të shijojë Van Gogun apo Dostojevskin, Bahun apo Danten; jo çdokush mund të kuptojë deri në bukurinë e vet Teorinë e Relativitetit, bile qoftë edhe raportet e kateteve me hipotenuzën e Pitagorës. Duhet një përgatitje e madhe për të hyrë në Luvër e sidomos në Luvrën e letërsisë. Kritika, që është një urë mes shkrimtarit dhe lexuesit, fatkeqë sisht është një urë e thyer, me përjashtime të rralla. E kam lexuar me vëmendje tërë ç’është shkruar për Kadarenë.
Ka gjera të mira sigurisht, por asnjëherë nuk është theksuar vlera e teknikës së tij. Vlerat e mëdha të Naimit dhe të Migjenit p.sh. qëndrojnë gjetiu dhe jo tek teknika, pasi dihet se ata në këtë pikë nuk shkëlqejnë fjala vjen para Mjedës.
Teknika e Kadaresë është e një lertësie botërore, në harmoni të plotë me talentin e tij të jashtëzakonshëm. Kur hyn në galerinë që ka ngritur Kadareja bie në sy më së pari një arkitekturë e veçantë, me volum, dritë e elemente krejt të veçanta, dhënë me masë. “Arti i të shkruarit është arti i të shkurtuarit” ka thënë Çehovi.
Kështu duke lexuar romanet e Kadaresë, të krijohet përshtypja se aty-këtu janë prerë apo hequr ca kapituj ose faqe të tëra. Por më vonë e kupton se asgjë nuk është hequr as prerë. Eshtë një boshllëk i nevojshëm për të krijuar hapësirë dhe dritë përreth karaktereve. Kështu ka vepruar Pindari dhe disa shekuj më vonë Rembrandi, duke hedhur mbi telaje atë të zezën e tij të famshme.
Tradita kërkon 100 faqe për të dhënë një karakter ku të përfshihen doemos e kaluara e tij, portreti fizik etj. Kurse Kadareja jep të veçantën e karakterit, tepër kursyeshëm, por me linja të studiuara mirë dhe të vizatuara saktë. Në pikturë ka një shembull të shkëlqyer për këtë gjë: Pikasoja.
Homeri bukurinë e Helenës e jep nëpërmjet bisedës së pleqve mbi muret e Trojës. Bukuria e vrasësit të ri tek “Prilli i thyer” jepet nëpërmjet gruas së shkrimtarit. Për Markun nuk dimë asgjë. Skeda e tij është lënë bosh, për ta plotësuar lexuesi. Busti i tij duket si i veshur me një shtresë të trashë akulli, i ftohtë dhe misterioz. Por edhe e kaluara e tij dhe jeta që bën janë të veshura me këtë gjysmëtransparencë si ato skulpturat e shkollës çeke. Pra, ka një dozë mjegulle mbi këtë personazh, por kjo mjegull i jep atij një shkëlqim të veçantë. Marku është një personazh simpatik, një figurë e realizuar me teknikë të lartë, një portret i mahnitshëm që kërkon një studim më vete; asnjëherë Kadareja nuk ka luajtur kështu me akullin, me mjegullën e me legjendën në një portret, si tani.
Proza shqipe është relativisht e re, megjithatë ajo stilistët e saj: Konica, Kuteli, Xhaferri, Godo etj. Po Kadareja e ka çuar këtë punë aq sa faqe të tëra të tëra të duken se janë shkruar në vargje. Ja si shkruan për kohën: …mëngjesi i ç’mësuar me botën, mezi çapitet sipër saj. Aty këtu ka ende gropa të natës që pastruesit përpiqen t’i mbledhin…”
Më poshtë për fshatin, të cilit po i afrohet makina: “… dukej sikur kërcente një valle të çmendur… u duk një herë fare lart, gati-gati në re e filloi pas kësaj të zhvendoseshe poshtë nën mjegull… pastaj… katundi u largua përsëri si i zemëruar”.
Marku vështron me dylbi dhe: “Bjeshkët u afruan me një ngut kërcënues”.
Fjalët në fund të romanit: “Qielli kishte një shkrepëtimë tronditëse… ndjehej i shqyer nga trishtimi” tregojnë se romani është shkruar me tronditje dhe frymëzim deri në fund, me ndershmëri.
Dhe ja poezia më e mirë që kam lexuar për tragjedinë e Kanalit të Otrantos.
“Një pasqyrë bronzi e shtyrë kushedi nga, ndoshta nga mortja e vet që me verbërinë tonë të shohim të pashikueshmen ende midis nesh.
Atëhere klithma jonë, që është njëherësh lutje për mëshirë, vaj e mallkim, e mbush tejem banë ujanën: u mbyllç Kanali i Otrantos! U thafsh e dielli të zhuritet e qerret me kripë e helm të kalofshin sipër jetë e mot!”
Këtu është rasti për të shtuar se duke mos i dhënë përparësi gjuhës si elementi një i stilit, shumë shkrimtarë flasin me gjuhën e kuzhinës. Aq më keq me përkthimet: duken sikur shkruajnë njësoj stilistët e famshëm: të Turgejev, Flober, Stajnbek, Pirandeli.
Të punosh me ndershmëri do të thotë të mbash përgjegjësi përpara shoqërisë për atë që bën, në çdo fushë të jetës. Një ministër mund të jetë i pandershëm, kurse një shkrimtar jo, sepse ai është vetë ndërgjegjja e kombit. Eshtë kuptimplotë fakti që përkthimi më i mirë deri në sot mbetet “pjesë nga Bibla” i Mjedës kur e dimë se përkthyesi i parë i Biblës (Vulgat) është po një prif ilir: Jeronini i them këto gjëra për të theksuar se Kadareja është një nga perlat e gjuhës shqipe: me neologjizmat e tij, figurat, tropet e tërë ato elemente që përbëjnë stilin e tij të pashoq.
Legjenda e nuses së gjarpërit është diskutuar shumë. Gjarpëri është një simbol i shpeshtë te Kadareja dhe ka një ngarkesë të huaj, të keqe. Mirëpo dihet se të historianët e vjetër gjendet figura në formë gjarpëri e Ilirit. Edhe sot në Veri ekziston gjarpëri i shtëpisë, ora e mirë e vatrës. Nga ana tjetër, në folklorin serb, të ndikuar nga qarqet shoviniste, shqiptare quhet shpesh: gjarpër i rrezikshëm.
Me sa duket, muza e Kadaresë nuk pranon kurrfarë imazhi pozitiv për këtë krijesë, as në Butrintin e Jugut të ngrohtë, as në kullën e ftohtë të Veriut, qoftë edhe me pamjen e një Antinari. Nëse iliro- shqiptarët e kanë bekuar gjarpërin, e kanë pranuar në vatër, bile edhe në krevat, kanë gabuar me shekuj.
Dihet se shqiptarët kanë qenë gjithmonë mirëdashës ndaj të huajve, me një oborrësi mbretërore. Në Ballkan, bile në mbarë Evropën vetëm shqiptarët nuk kanë kurrfarë perifrazimi as epiteti fyes për të huajt.
Dhe u kanë besuar të huajve shumë. Por ç’janë këta gjarpërinj? Më tej, si gjithmonë, ose gati si gjithmonë, Kadareja hesht. Po ndofta edhe vetë Kadareja, në vorbullën e frymëzimit e mençurisë, s’di të na thotë më tej. Sidoqoftë gjarpërinjtë janë aty nën tokë, edhe fëmijët e dinë.
Përgatiti: Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

