Gjuhëtari amerikan Eric Hamp për shqipen

Prof. Xhevat Lloshi  –

            Me hidhërim të veçantë mësuam ndarjen nga jeta të dielën e kaluar të Erik Hempit (Eric Hamp), gjuhëtar me emër ndërkombëtar dhe albanologu më i shquar i ditëve tona. Është e pamundur ta japësh qoftë edhe shkurt profilin e këtij shkencëtari të madh, më të përmendur sidomos në fushën e gjuhësisë krahasuese, i cili ka trajtuar të gjitha anët e qenësishme të gjuhësisë historike. Megjithatë, ai nuk ka qenë dijetar i zyrës, por e ka gjurmuar lëndën gjuhësore në bashkësitë që kishin të folmet e tyre amtare, për shqipen jo vetëm te burimet e shkruara, por edhe te arbëreshët e Italisë dhe te arvanitët e Greqisë e gjetkë. Nga ana tjetër, ai ka drejtuar për shumë vjet Revistën ndërkombëtare të gjuhësisë amerikane dhe në kohët e fundit revistën e Gjuhësisë antropologjike, ndërsa më 1965-1991 ka qenë drejtor i Qendrës për studimet ballkanike dhe sllave.

Dy fjalë për jetën e tij, sepse tashmë është e lehtë të gjejë kushdo të dhëna të shumanshme për të. Lindi më 1920 në Londër, por ka qenë më pas shtetas amerikan. Mbaroi shkollën e lartë më 1942 dhe hyri në ushtri, sepse e dimë që ishin vitet e Luftës së Dytë Botërore. Më 1947 u largua prej andej dhe iu rikthye studimeve për të mbrojtur më 1954 në Harvard doktoratën. Nga viti 1950 ka qenë profesor në Universitetin e Çikagos deri më 1991, por edhe pas daljes në pension i vijoi ligjëratat deri në ditët e fundit. Mbi 3500 është shifra marramendëse e punimeve, artikujve, shënimeve, recensioneve të tij, prandaj besoj se shumica prej nesh nuk mund ta marrin guximin të lundrojnë në këtë oqean. Neve na bie të kufizohemi te lëmi i shqipes. Hempi ishte shumë i vëmendshën ndaj atyre, që mund të quhen gjuhë të vogla, dhe ndër to shqipja zinte vend të nderuar.

Nga sa kam mundur të rrok, fjalët e tij të para për shqipen kanë qenë në një recension më 1953 për punimin e Vaclav Cimohovskit rreth dialektit të Dushmanit dhe më 1954 në disertacionin e Harvardit, kushtuar të folmes së venbanimit arbëresh të Vakaricës, ndërsa ndër punimet e fundit është një shkrim për fjalën ‘dheu’ të shqipes, botuar më 2012 në revistën “Studime”. Mund të jenë rreth 80 shkrime të ndryshme të tij lidhur me shqipen. Mes tyre me karakter më përgjithësues janë një kumtesë me titullin “Vendi i shqipes”, në Universitetin e Kalifornisë më 1963, botuar më 1966, dhe një artikull me titullin “Gjuha shqipe”, botuar më 1972 dhe përkthyer shqip më 1973. Për shkak të peshës së madhe ndërkombëtare, nuk mund të mos përmendet, që artikullin për gjuhën shqipe në vëllimin e parë të “Enciklopedisë britanike” e ka shkruar E. Hempi. Janë botuar shqip 5 shënime të tij për fjalë të ndryshme në revistën “Studime filologjike”, duke filluar nga viti 1968 (nr. 3), disa të përkthyera prej meje, si dhe 7 në revistën “Gjurmime albanologjike” të Prishtinës, duke nisur po ashtu nga viti 1968. Ndërsa anglisht është botuar një artikull në revistën “Studia albanica” (1969, nr. 1). Së fundi, më 2007 është botuar një përmbledhje shqip e punimeve të tij me titullin “Studime krahasuese për shqipen”.

Për të nderuar kujtimin e tij dëshiroj të sjell këtu një paraqitje të tij për gjuhën shqipe, paraqitje që është e panjohur. Për këtë më duhet të rikthehem te emri i Edvin Xhejksit (Edëin Jacques), për të cilin kam shkruar lidhur me ndihmat për shqiptarët e uritur menjëherë pas luftës. Ai kishte lindur më 1908 dhe vdiq më 1996. Bashkë me të shoqen erdhën si misionarë protestantë në Korçë për të punuar edhe në shkollën e misionit të çiftit Kenedi. Kur u mbyllën shkollat private më 1933, Kenedët u bdetyruan të largoheshin dhe Xhejksi mbeti si përgjegjës për misionin. Ishte njeri mjaft i miqësueshëm dhe nga marrëdhëniet e përditshme me shqiptarët iu ngjall një dashuri dhe respekt i veçantë për këtë popull. Prandaj u interesua për historinë e tij dhe nisi mbledhjen e materialeve, ndërsa kishte hapur një bibliotekë pranë misionit. Mirëpo më 1939 Shqipëria u pushtua dhe ata të dy ishin të fundit amerikanë që u larguan në maj 1940.

Interesimi për shqiptarët mbeti i pashuar te Xhejksi dhe dëshmia më bindëse janë ndihmat që mblodhi dhe dërgoi pas luftës në Shqipëri. Ndërkaq, asnjëherë nuk hoqi dorë nga synimi për të shkruar një libër për këtë popull. E përfundoi atë më 1995 dhe u përkthye shqip më 1998 me titullin “Shqiptarët. Populli shqiptar nga lashtësia deri në vitin 1912”. Është pak e papritur, por u lejua të vinte në Shqipërinë e diktaturës më 1986 dhe një vizitë tjetër e bëri më 1991. Me sa duket, në fillim të viteve 1980 po punonte mirë për librin e historisë. Meqë e niste nga lashtësia, e kishte të nevojshme të gjurmonte prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Për këtë arsye iu drejtua gjuhëtarit amerikan Keneth Pajk (Kenneth Lee Pike). E kam për detyrë ta ndriçoj se kush ishte ky dhe përse iu drejtua Xhjeksi.

  1. Pajku (1912-2000) ka qenë një gjuhëtar dhe antropolog i shquar amerikan. Kishte lindur në Vudstok në SHBA. Ndoqi për teologji Kolegjin Gordon dhe mbaroi Universitetin e Miçiganit më 1933. Doktoraturën e bëri nën kujdesin e një gjuhëtari të rëndësishëm amerikan, Charles C. Fries për gjuhën e mikstekëve të Meksikës, për të cilët përpunoi edhe alfabetin, ndërsa më 1951 botoi Dhiatën e re në gjuhën e tyre. Punoi 30 vjet në Universitetin e Miçiganit dhe ishte [përgjegjës i departamentit të gjuhësisë. Solli teori të reja bgjuhësore, siç ka qenë ajo për tagmemikën, por nuk është vendi këtu për të hyrë në hollësitë e gjuhësisë. Ka dhënë ndihmesë të vfeçantë për mësimin e anglishtes. Studioi gjuhë të Amerikës Latine, të Ausatralisë, të Azisë dhe të Afrikës. Këmbëngulte, që gjuha duhet studiuar jo në fvjali të veçuara, por në gjithë kontekstin. Që nga viti 1942 deri më 1979 ka qenë drejtuesi i parë i Institutit veror ntë gjuhësisë, të organizatës për përkthimin e Biblës, që nga viti 1942 e deri më 1979, por edhe më pas nuk u shkëput prej tij deri në fund.

Këto të dhëna na mundësojnë ta kuptojmë se si e njihte atë Xhjeksi. Ishin të dy protestantë baptistë dhe interesoheshin për përkthimet biblike. Xhejksi që më 1934 kishte menduar për rishikimin e përkthimeve shqip që të përditësoheshin dhe më pas ka biseduar edhe me Fan Nolin, që të përfshihej edhe ai. Kam një letër të Xhejksit të 19 janarit 1946, në të cilën lidhur me kërkesën për një variant tjetër të Dhiatës së re shqip, shkruan: “Në përputhje me këtë mendim, dje vajta në Boston dhe bisedova me peshkopin Fan Noli mbi mundësinë për ta përfshirë në një sipërmarrje të tillë. Nga ana e besimit për të, ai është një shkrimtar prodhimtar, i njohur përgjithësisht si figura më e madhe letrare në historinë shqiptare…” Letra vijon me hollësi për punën e Fan Nolit, por ai nuk e pranoi bashkëpunimin me Xhejksin dhe letra për këtë pikë mbyllet me ca fjalë të papritura: “Me gjithë faktin që dr. Noli është i dhënë pas parasë, që konsiderohet nga shumë ortodoksë si ateist dhe që duket se nuk është fare i interesuar për përkthimin e Biblës si të tillë, përsëri është e vërtetë, që ai është njeriu më i pajisur nga ana teknike për një punë të tillë përkthimi.”

Duket që Xhejksi e ka pasur mik të ngushtë Kenet Pajkun, sepse në letrën që i ka dërguar më 28 dhjetor 1981 e thërret edhe me trajtën e shkurtër Ken. Po citoj  një pjesë të kësaj letre, e cila nuk ka nevojë për komente: “Jam duke shkruar për shqiptarët. Një njollë e bardhë, që do të kisha dëshirë ta plotësoja, është periudha parahistorike, nga e cila nuk ka dokumente të shkruara. Për grimca rreth origjinës së tyre ne varemi nga arkeologjia, mitologjia, gjuhësia etj. A i parashikoni pyetjet e mia? Shqiptarët mëtojnë se janë pellazgët e lashtë: një popull indo-europian, i cili shtegtoi drejt perëndimit nëpër Azinë e Vogël drejt Ballkanit dhe mbërriti përpara grekëve. Kam shumë shpresë që të mbështetemi te gjurmimi gjuhësor në gjuhët indo-europiane, të cilat mund ta mbështesin ose ta kundërshtojnë këtë pretendim. Miku ynë i përbashkët Merril Tenney në vitet 1930 ka shënuar në Parathënien për Fjalorin e Webster-it të plotë, se shqipja është një e mbijetuar e pandryshuar e kohëve të reja të familjes indo-europiane të gjuhëve, prandaj na fton që ta krahasojmë fjalorin e shqipes me të sanskritishtes.”

Letra vijoin me një diskutim gjuhësor, për të cilin Xhejksi nuk kishte përgatitjen shkencore. E përfundon me këtë kërkesë: “Me rëndësi të veçantë mund të ishte gjithçka që tregon marrëdhëniet ndërmjet shqipes dhe greqishtes. Ka të ngjarë që ju të mos keni shumë të dhëna në çantën tuaj, por mund të dëshironi të më drejtoni te disa kolegë, të cilët mund të më jepnin informacionin e nevojshëm. Një milion herë falënderime.”

Kenet Pajku e drejtoi Xhejksin te Erik Hempi dhe atëherë i dërgoi këtij një kërkesë në Universitetin e Çikagos më 10 shkurt 1983. Letra nuk është e gjatë dhe prandaj po e sjell këtu të përkthyer shqip:

“I dashur Prof. Hamp. Një mik i përbashkët, Kenneth Pike, më ka drejtuar te ju për disa të dhëna në fushën e gjuhësisë.

Në vitet tridhjetë unë kam jetuar në Shqipëri për disa vjet dhe për shkallën e masterit kam shkruar tezën për një temë lidhur me atë në Universitetin e Bostonit më 1941, ndërsa tashti kam dalë në pension dhe po bëj kërkime të mëtejshme e po shkruaj rreth shqiptarëve. Kjo është një punë mrekulluese, ngaqë në duar kam edhe disa materiale mjaft të pazakonshme shqip, frëngjisht dhe italisht. Por ka një aspekt, për të cilin Kennethi më drejtoi te ju.

A jeni në dijeni për ndonjë studim lidhur me rrënjët gjuhësore të shqipes? Marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indo-europiane, si greqishtja e në veçanti ilirishtja, janë shumë të rëndësishme. Me rëndësi të veçantë është çdo gjë për marrëdhëniet e gjuhës shqipe me prejardhjen e gjuhës pellazge. A keni ndonj libër ose monografi lidhur me këtë? I vetmi burim deri më tash që jep njëfarë premtimi është Le Pélasgique. Essai sur une langue indo-européenne préhellénique, i autorit A. J. Van Ëindekens, profesor i Universitetit në Louvain, libër i botuar atje më 1952. Biblioteka e Kongresit në Uashington e ka një kopje dhe pranverën që po vjen unë do të ndaloj atje rrugës nga Florida.

A keni ndonjë tjetër material udhërrëfyes që mund të më sugjeroni? Universiteti i  Floridës Jugore në Tampa ka një bibliotekë të shkëlqyer. Me nderime të përzemërta,

Edwin E. Jacques.

Pas katër muajsh E. Hempi i është përgjigjur E. Xhejksit, duke shpjeguar edhe përse e ka bërë me vonesë përgjigjen. Këtë letër E. Xhejksi e ka vënë në Bibliografinë e pasur, që ka në fund të librit “Shqiptarët”. Po e jap të përkthyer të plotë, sepse është me vlerë të veçantë po të shihet si mendimi i tij përfundimtar i përgjithshëm rreth gjuhës sonë, meqë nuk kam të dhëna për ndonjë shkrim të tijin pas vitit 1983 me të tillë natyrë përgjithësuese sintetike.

                                                                                                      Çikago, 18 qershor 1983.

      I dashur z. Jacques,

Ju lutem të më falni për heshtjen e gjatë. Një ditë pasi më kishit shkruar letrën tuaj të datës 10 shkurt pata një goditje në zemër dhe bëra një by-pass të trefishtë (plotësisht me sukses), ndërsa në mars pata një hepatit prej transfuzionit të gjakut (sërish për fat të mirë, më kaloi më shpejt sesa te shumë të tjerë). Kështu sapo dola në sipërfaqe dhe do të nisem për Europë pas dy ditësh. Pikërisht këtë çast e kam parë letrën tuaj, që e kishin vënë mënjanë për mua.

Përvoja juaj me Shqipërinë është fantastike. Ju duhet ta keni njohur zotin Fultz, i cili ka vdekur duke qenë në pension në Indianë nja dy vjet më parë. (Biri i tij, Dare, është këtu profesor i meteorologjisë). Unë jam 62 vjeç dhe e kam mësuar shqipen në fund të viteve 1940, diçka në Filadelfi dhe në Boton kur isha student, por kryesisht nga të mërguarit në Paris. Për herë të parë kam bërë ekspeditë në Kalabri dhe për këtë kam shkruar disertacionin në Harvard. Jam marrë me shqipen që nga ajo kohë dhe kam dëgjuar gjithë variantet e saj, por vetëm në një vend (ka qenë e folmja në Ukrainë), natyrisht, ata nuk ma kanë lejuar asnjëherë në Shqipëri!

Këtë çast do t’ju shkruaj shumë shkurt, sepse jemi me telashet e përgatitjes së valixheve. Historia dhe parahistoria e shqipes është me të vërtetë interesante. Shkurt, kjo është një degë e veçuar e indo-europianishtes, me lidhje në largësi, por mjaft të ngushta me baltosllavishten. Ajo nuk ka asnjë marrëdhënie të ngushtë gjenetike me greqishten (e cila në largësi shkon me armenishten). Ilirishtja është vetëm një emër për diçka, rreth së cilës pothuaj nuk dimë asgjë. Pellazgjishtja, për të cilën flet van Vindekensi dhe për të cilën ka bërë studimet kryesore Georgievi, është (siç mendoj unë) parahelenishtja. Unë e kam librin e van Vindekensit, nuk është shumë i keq, por është i vjetër dhe jo sistematik, mos u lodhni me të. Kohët e fundit kam punuar për parahelenishten, por për shkak të sëmundjes nuk kam arritur të bëj një trajtesë përgjithësuese këtë vit.

Sa për të filluar, mund t’ju sugjeroj tashti me ngut artikullin tim Gjuha shqipe në vëll. I (f. 422-23) të Makropedisë së Enciklopedisë Britanike. Aty kam dhënë bibliografinë kryesore deri afër vitit 1970. Që nga ajo kohë sigurisht që ka gjëra të tjera, por për fat të keq jo aq shumë për gjëra thelbësore (kjo pjesërisht, mea culpa). Natyrisht, të dhënat për popullsinë tashti janë të vjetruara.

Do të kthehem në tetor. Më shkruani nëse do të keni nevojë për më shumë. Posta do të më vijë.                                                                         Nga zemra, Eric Hamp.

 

Është një letër me ngrohtësi njerëzore të veçantë. Së pari po shënoj, se mbyllja “Nga zemra”, nuk është përkthimi im, por vetë Hempi e ka shkruar shqip, duke e nënkuptuar se Xhejksi e dinte shqipen. Nuk do të ndalem në të dhënat shumë të çmueshme për biografinë e E. Hempit, që dalin nga këta rreshta. Do ta këshilloja nxehtësisht, që dikush i cili i ka mundësitë praktike në Shtetet e Bashkuara, të interesohej menjëherë për trashëgimin e E. Hempit dhe të na siguronte gjithçka prej tij, që ka lidhje me Shqipërinë dhe me shqipen, dhe ndoshta do të ishte detyrë e organizmave tanë shtetërorë, duke nisur me përfaqësitë tona diplomatike, të marrin përsipër menjëherë një veprim të tillë konkret e të financuar prej nesh, që do t’i sillte shërbime të vyera shkencës sonë.

Georgievi i përmendur aty është një gjuhëtar bullgar, Vladimir Georgiev, i cili ka hipotezat e veta për gjendjen e lashtë gjuhësore të Ballkanit, por për gjuhën tonë është shprehur qartë: “Ilirishtja është paraardhësja e gjuhës shqipe, domethënë ilirishtja është baza, gjuha mëmë e shqipes.” (1974). Atë dhe punën e tij i kemi njohur, madje do të shtoja se ka marrë pjesë bashkë me Hempin në kongreset e Shoqatës së Europës Juglindore. Ndonëse Hempi është shprehur kalimthi për pellazgjishten, fjala e tij tërheq vëmendjen: është parahelenishtja. Do të kisha shumë dëshirë të njihesha me punimet e tij rreth kësaj teme, qoftë edhe me dorëshkrime të papërfunduara, por edhe me kaq mund të shprehem, se u bën mirë ta lexojnë pellazgollogjet e sotme, se del që merren me helenizmin dhe jo me shqiptarizmin.

Mendimi i E. Hempit për shqipen mbetet i pandryshuar, po ta krahasojmë me atë që kishte shkruar më 1972: “Shqipja nuk tregon ndonjë afëri të dukshme të ngushtë me ndonjë gjuhë tjetër indo-europiane; duket qartë se ajo është pasardhësja e vetme e sotme në nëngrupin e vet.” Nuk do të zgjatem këtu se si e ka shfrytëzuar këtë burim të çmueshëm E. Xhejksi në librin e tij për shqiptarët, sepse siç e thashë, ai nuk ka qenë specialist në fushën e gjuhësisë. Gjithsesi, kemi të bëjmë me dashamirës të ngrohtë të kulturës shqiptare.

Nderimet për punën e tij të pamatë nuk i kanë munguar E. Hempit në gjithë botën akademike amerikane dhe ndërkombëtare. Po edhe shqiptarët e kanë vlerësuar me gjithë zemër. Mjafton të them se e kanë pranuar si anëtar të dy akademitë tona, në Tiranë dhe në Prishtinë. Gjithashtu, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë është shtypur një pullë e postës shqiptare me portretin e tij. Për fat të keq, brenda pak ditësh u ndanë prej nesh dy rrape shekullore të albanologjisë: profesor Idriz Ajeti, i cili e mbërriti një shekull, dhe Erik Hempi, që do ta mbushte shekullin për mot. Do të kisha një mendim, që në zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës të gjendej një hapësirë, në të cilën të vendoseshin bustet e albanologëve më të shquar dhe të quhej Kopshti i Albanologëve. Aty do ta meritonte vendin edhe Erik Hempi.

Gazeta Dita

SHKARKO APP