“Hamleti” i Jonida Beqo në Teatrin “Metropol”, një arenë moderne për tragjedinë klasike

Nga Rroji M Denata

Në Teatrin Metropol, një hapësirë që për nga arkitektura dhe fryma i afrohet arenave rrethore të mitologjisë së lashtë, aty ku dikur përballeshin gladiatorët për jetë a vdekje, u zhvillua një duel tjetër, po aq i egër dhe po aq fatal: përballja e ndërgjegjes njerëzore me vetveten, nëpërmjet “Hamletit” të Shekspirit. Jo një arenë e bujshme pushteti dhe gjaku, por një hapësirë intime, e përqendruar, ku konflikti nuk shfaqet në muskuj, por në mendim, në dyshim, në dridhjen e shpirtit.

Kjo vënie në skenë shquhet për një vizion regjizorial të guximshëm dhe koherent. Jonida Beqo ndërton një “Hamlet” që nuk e mohon traditën, por e vë atë në dialog të drejtpërdrejtë me gjuhën e teatrit bashkëkohor. Interpretimi klasik ndërthuret me gjeste të stilizuara, ritëm të përshpejtuar, multimedia, efekte speciale dhe elemente post-moderne, duke krijuar një strukturë skenike ku fjala shekspiriane nuk rëndon, por pulson. Ky është një teatër i trupit dhe i mendimit, ku vizualja nuk është dekorative, por semantike, pjesë e domethënies.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Hamleti” i Jonida Beqo në Teatrin “Metropol”

Rezultati është një Hamlet i gjallë, energjik dhe estetikisht mbresëlënës, ku forma dhe përmbajtja arrijnë një ekuilibër të rrallë. Çdo element skenik është funksional, çdo efekt është në shërbim të konfliktit dramatik. Është një shfaqje që nuk kërkon thjesht vëmendje, por kërkon përfshirje emocionale dhe intelektuale. Një nga realizimet më të plota të teatrit modern që kam parë, ku asgjë nuk është e tepërt dhe asgjë nuk mungon.

Swiss Digital Mobile Reklama

Hamleti i Amos Zaharisë shfaqet si princ introspektiv dhe thellësisht njerëzor, i përfshirë në një vorbull dilemash ekzistenciale: drejtësia dhe hakmarrja, e vërteta dhe iluzioni, arsyeja dhe çmenduria. Interpretimi i tij është i përmbajtur, por i ngarkuar me tension të brendshëm; sarkazma dhe dhimbja bashkëjetojnë në një lojë aktoriale të saktë dhe të ndjerë. Mimika, intonacioni dhe plastika trupore e bëjnë Hamletin jo vetëm figurë tragjike, por një individ bashkëkohor, të afërt, të prekshëm në ankthin e tij.

Ofelia e Kosovare Krasniqit është një nga pikat më të ndjeshme dhe poetike të shfaqjes. Një personazh i brishtë, ku pafajësia përplaset me dhunën e një bote patriarkale dhe pushtetare. Plastika trupore, dinamika psikologjike dhe përdorimi i gegnishtes së kulluar i japin Ofelisë një dimension autentik dhe thellësisht emocional. Çmenduria e saj nuk është teatralizim i zbrazët, por një rënie graduale, e dhimbshme, që e bën tragjedinë personale dhe universale njëkohësisht.

Një element veçanërisht i spikatur i kësaj vënieje në skenë janë personazhet e cirkut, të interpretuar nga grupi i çurkut nga Shkodra. Me disiplinë trupore, ritëm të saktë dhe ironi të mprehtë, ata funksionojnë si një kor bashkëkohor, që jo vetëm shoqëron dramën, por e komenton, e ironizon dhe herë-herë e zhvesh nga solemniteti klasik. Prania e tyre e shndërron oborrin mbretëror në arenë, ku pushteti, loja dhe çmenduria ndërthuren në një spektakël grotesk dhe domethënës.

Kasti i gjerë dhe i përzgjedhur me kujdes përfshin emra të rëndësishëm të skenës shqiptare: Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Armela Demaj, Urim Aliaj, Xhino Musollari, Amri Hasanlliu, Ketjona Pecnikaj, Marius Dhrami, Edvin Mustafa, Jurgen Dervishi, Besmir Sula, Mario Bali, Adela Gjyla, Megi Duka, Silva Brahimataj, Deljana Topulli, Elion Guri, të cilët kontribuojnë në ndërtimin e një universi dramatik të besueshëm dhe të shumëzëshëm.

Në aspektin teknik dhe vizual, spikasin Florian Çanga dhe Ilva Dodaj, përgjegjës për efektet speciale dhe ndriçimin. Projekcionet lazer dhe konceptet e ndriçimit nuk janë thjesht elemente estetike, por instrumente narrative që thellojnë gjendjet emocionale dhe tensionin dramatik, duke e bërë skenën një hapësirë mendore po aq sa fizike.

Ky “Hamlet” nuk synon vetëm të rrëfejë historinë e njohur të princit që kërkon drejtësi. Ai synon, mbi të gjitha, të zgjojë ndjeshmërinë e spektatorit, ta përfshijë në tensionin e dyshimit, në misterin e së vërtetës dhe në intensitetin e dilemave njerëzore. Është një shfaqje që sfidon pritshmëritë klasike dhe dëshmon se Shekspiri, kur lexohet me guxim dhe inteligjencë skenike, mbetet thellësisht aktual, i rrezikshëm dhe i domosdoshëm.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?