Historia e labes së rrallë në telajon e Lazar Taçit

Agim Janina

“Maro Konda”. Historia dhe rrjedha e ngjarjeve nëpër shekuj kanë pasur nevojën e pikturës. Në një farë mënyre piktura fillon me incizimet në sipërfaqet e shpellave, për të vazhduar bashkë me skulpturën, mozaikun, afreskun, vitrazhin etj., duke krijuar imazhin e parë të bëmave të historisë.

Historia e Pikturës, në mungesë të fotografimit, fillimisht është pjellë e kërkesës së paraqitjes pamore të tyre. Edhe lindja e artit abstrakt nuk e ka ulur rëndësinë e pikturës historike. Piktura ka qenë vizioni i parë fotografik e filmik, ku në veprat e artit janë jetësuar figura mitologjike, fetare dhe reale. Është brenda dhe përtej reales, sepse arti interpreton, abstragon dhe dëshmon vlerë, e cila shkon përtej ngjarjes.

Tabloja kompozicionale “Maro Konda”, pikturuar nga Lazar Taçi në fund të viteve ’80-të është një prej tyre. Në rininë e hershme, së bashku me ilustrime të shumë e shumë librave, tregimeve në gazeta e revista, është marë edhe me tablotë kompozicionale historike. Atëbotë shumë prej personazheve historikë në mungsë të plotë të imazheve, janë bërë nga fantazia. Për ta realizuar duhet njohje e ngjarjes dhe e personazhit, veshjes, kohës dhe vendit, kur dhe ku zhvillohet, çastit si duhet paraqitur etj., probleme që piktori i ka zgjidhur mjeshtërisht. Ky është çasti historik, për të ndërtuar kompozimin. Kthimi i faktit historik në fakt artistik dhe këtë të fundit në ndërtimin e një tabloje me vlerë artistike, është rruga e gjatë e lodhshme, në një proces zbulimi e tjetërsimi, në orë e orë punë të ngulët, aq sa vetë piktori e përjeton emocionalisht ngjarjen, kthehet dhe shndrrohet në “personazh” të brendshëm, bashkohet e bëhet shumë i afërt me gjithçka, që lidhet me personazhin e ngjarjen, ç’ka i jep në fund kompozimin.

Përvoja e gjatë me ilustrimet dhe kujtesa vizive e ka ndihmuar në drejtim të vizatimit Lazar Taçi ia ka dalë që faktin historik për të cilin nuk kishte njohje fare apo thjesht një vizion të vakët, ta shndërrojë në fakt artistik, duke dhënë një kompozim me vlerë, sepse është piktor me kulturë më të gjerë se ajo profesionale. Në një farë kuptimi kompozimi kthehet në një lloj indentikiti shprehës i ndodhisë duke të bindur vizualisht për vërtetësinë e saj.

Fillesa e veprës vjen nga një revistë e kohës, ku i kërkohet të bërë ilustrimin e një tregimi. Mirëpo, piktorit i pëlqeu si çast. Nis e ngrihet kompozimi. “Në atë kohë tek revista “Pionieri”, kujton artisti, jo vetëm për këtë figurë, por për të gjithë figurat e mesjetës, por edhe për figurat e nacionalçlirimtare, shumë prej tyre detyroheshim t’i sajonim, sepse nuk ekzistonte materiali fotografik. Nuk kishte asnjë të dhënë vizuale mbi heroinën dhe e gjitha gjithë figura e saj është fantazi e piktorit. Dihej se ishte nuse nga fshati Fterë, shprehet piktori. U mundova të gjeja nëpër enciklopedi të ndryshme veshjet turke të asaj kohe. Personazhi është Maro Konda, trime labe. Jetoi në fillim të shekullit XVI. U martua në Çorraj. Në vitin 1537, në mbrojtje të luftëtarëve çorrjotë, sakrifikoi veten duke hedhur në greminë një numër jeniçerësh turq, së bashku me veten e saj. Ngjarja zhvillohet në Çorraj të Labërisë, ku në shekullin XVI u dyndën taboret osmane për ndëshkim. Burrat u fshehën nëpër shpella, maleve përreth. Osmanet zunë burimet e ujit. Një ditë aty u pa Maro Konda, që donte t’u dërgonte ujë burrave.

Dinte diçka mbi figurat e vajzave suliote, që u hodhën nga shkëmbi në greminë. Duke lexuar tregimin ndodh shndrimi i fjalës në figurë, ajo magji gjatë e procesit krijues të piktorit. Nga një ilustrim i thjeshtë në faqet e revisës, ngacmohet për ta trajtuar më tej këtë figurë për të gjetur një zgjidhje sa më interesante. Populli i këndoi:

“Bijë Fterre, nuse Çorre, Djalin më të mirë more, Po ç’e do, nuk e gëzove,
Nga shkëminjtë u lëshove, Turqit prapa ç’i more, S’more një, po di taborre…”
Dhe një copëz tjetër “Haj, haj moj Maro Konda Vlorën që aq shumë e deshe
Të ka ardhur me peshqeshe për burrat në atë sheshe derdhe nektarin që keshe.
Në Vlore erdhe për krishtlindje me shumë mall, po na le shumë dhimbje ne të themi me shumë bindje për ty ka vetëm ditëlindje”…

Gjithçka aty është bërë me fantazi, vendi, malet, shtegu i ngushtë, personazhet etj. Nuk kishte qenë ndonjëherë në krahinën e heroinës, mirëpo nga përshkrimi i hollësishëm dhe plot ndjenjë, që i bënte autori, në mendje iu ngrit përfytyrimi i gjithçkaje. Luftëtarët ishin të rrethuar u ngjitën në majat e maleve dhe turqit për t’i detyruar, të dorëzoheshin kishin zënë pritë në burimet e ujit. Atëherë Maro merr fëmijën e mitur në dorë, në krah bucelat me ujë dhe niset drejt burimit. Bie në pritën e turqve. E kapën Maron e bukur dhe nën kërcënim e shtrënguan t’u tregonte, ku fshiheshin burrat e fshatit.

Vajza i udhëhoqi nëpër një shteg të verbër, të thepisur, i cili nuk të nxirrte askund, përfundonte diku, në mes rrëpirave të maleve të asaj zone, ku nizamët nga frika lidhen të gjithë me një litar. Në çastin kur arrin në fund të shtegut, Maro kthehet pas dhe në mënyrë të beftë shtyn të parin e turqve. Të lidhur njeri pas tjetrit me një litar fluturojnë bashkë në humnerë, duke tërhequr pas gjithë taborin e nizamevë.

“Kapa pikërisht çastin”, tregon piktori, “kur Maro me fëmijën në dorë shtyn turkun e parë dhe shtyrja që i ka dhënë, duke i hipur edhe sipër me trup për t’i dhënë më shumë efekt rrëzimit poshtë. Pikën e shikimit jam munduar ta marr në mënyrë sa më ekspresive, dmth sa më në skorço nga poshtë për ta bërë sa më të fuqishme për të dhënë ndjesinë e rënies nga lartësia”.

Punoi gati një vit, fillimisht duke skicuar shumë, variant pas varianti në laboratorin e tij krijues. Plot një dosje. Pasi e mbaroi, i lumtur bashkë me një vepër tjetër, titulluar “Sulm mbi saraje”, punuar për tre-katër orë, e dërgoi në ekspozitë, por ironia e kohës, tabloja nuk vihet në ekspozitë. I japin një përgjigje tragjikomike, “këta të dy tashti kur të bien nga shkëmbi nuk dihet se ne cilin pozicion mund të bien aty poshtë. Ndoshta mund të ketë ndonjë krevat me sustë aty poshtë”! Humori i zi i komisioneve të kohës!

Në fund të viteve ’90, piktori së bashku me një grup artistësh, të cilët kishin marrë pjesë në ngritjen e disa muzeve të kohës, u dëguan në Itali. Hera e parë, që dite jashtë shtetit.

“Në Romë”, rrëfen piktori, “kisha tezen dhe me që ndihesha borxhli ndaj saj, se më kishte dërguar televizor me ngjyra dhe disa pako për fëmijët, mendova t’i dërgoj diçka… Mora tablonë, së bashku edhe me tre të tjera, për t’ia bërë dhuratë. Tabloja e parë ka qenë në një gamë më të ngrohtë se sa kjo midis oranzhës dhe jeshileve. Si kompozim është i njëjtë. Ia dhashë tezes atë bashkë me tre punime të tjera, një për tezen, për dy vajzat dhe për djalin. Secilës familje nga një punim të veçantë”.

Sot tabloja rri varur në një nga ato shtëpitë në Itali. Por, artisti nuk mund të ndahej kaq lehtë nga vepra. Para se sa të shkonte në Itali, fillon një variant të dytë. E kopjon në letër kalk, me të njëjtat përmasa dhe e hodhi në një letër të bardhë dhe pasi u kthehet nga Italia e përfundon në telajo me ngjyra vaji. Tabloja tashmë rri në studio. Shikon një objekt dhe e këqyr me shumë vëmendje dhe e regjistron në kujtesën. Më pas arrin ta riprodhojë pothuajse, jo në ngjashmëri fotografike, por duke kapur thelbin. Kjo kujtesë vizive shuhet ngadalë pas një kohe… por në skutet e përfytyrimit të kujtesës imazhet janë të shtresuara dhe artisti i risjell në jetë në veprat e tjera, duke hyrë deri në detajet më të imta. Vepra të tilla sot janë gjithnjë e më të rralla. Por historia i kërkon. Ajo duhet të bëhet pjesë e ndonjë muzeu, të cilit do t’i bënte nder prania e saj.

SHKARKO APP