Islami pas “Vargjeve Satanike” të Salman Rushdie
Nga Bruce Fudge
“Askush nuk do të kishte sot kurajon të shkruante ‘Vargjet Satanike’, e lëre më t’i publikonte ato”- i tha një gazetari në vitin 2009 shkrimtari Hanif Kureishi. Romani famëkeq i Salman Ruzhde, ngjan si një relike e një kohe të shkuar. Kur u botua 31 vjet më parë, zemërimi global ishte i pashembullt.
Pati protesta, djegie librash dhe trazira. Udhëheqësi i Iranit, Ajatollah Khomeini, u bëri thirrje myslimanëve për ta vrarë Rushdi, një çmim u vendos për kokën e tij dhe pati vrasje dhe tentativa ndaj mbështetësve, botuesit dhe përkthyesit. Shkrimtari jetoi për vitë të tëra i fshehur.
Tre dekada më vonë, romani mbetet në stendat e librarive, i disponueshëm gjerësisht, dhe autori jeton sot pak e shumë si një njeri i lirë. Por nëse është fituar një betejë mbi ‘Vargjet Satanike’, mund te jetë humbur një betejë edhe më e madhe. Kush do të guxonte të shkruante sot një fiksion provokuese, që eksploron origjinën e Islamit?
Aspektet shoqërore dhe politike të çështjes Rushdi, kanë errësuar një nga idetë kyçe në këtë debat:a mundet dikush me origjinë myslimane, të marrë materiale nga jeta e profetit Muhamed, për të shkruar një vepër novatore, me elementë kryesisht të transformuar nga trilli letrar?
Përvoja e mëvonshme, nuk e sugjeron diçka të tillë.
Rastet fatkeqe të karikaturave në gazetën daneze “Jyllands-Posten” në vitin 2005 dhe në revistën satirike franceze “Charlie Hebdo” në kohë të ndryshme midis viteve 2006-2015, do të bëjnë që secili, mysliman apo jo, ta mendojë dy herë nëse duhet të përshkruajë profetin Muhamed në ndonjë mënyrë tjetër veç asaj konvencionale nderuese, për shkak të frikës së dënimit për një vepër penale, lëndimit të rëndë trupor ose një kombinim i të dyjave. Megjithatë, karikaturat daneze dhe franceze, po shkelnin terrenin e fekonduar tashmë nga vargjet satanike. Ata po testonin qëllimisht kufijtë e fjalës së lirë dhe vetë-censurës.
Raste të tjera, si “Pafajësia e Myslimanëve”, një film i shkurtër i postuar në YouTube në vitin 2012, ishin provokime më anti-myslimane, ku është e vështirë të dallosh ndonjë shqetësim të sinqertë për fjalën e lirë. Çështja Ruzhdi, ishte e para në një seri konfliktesh mbi portretizimin e profetit Muhamed. Por në retrospektivë, ajo duket më shumë si fundi sesa fillimi i një epoke.
Fakti që ‘Vargjet Satanike’, është një roman i gjatë dhe sfidues, është dallimi i parë që duhet të bëjmë midis çështjes Rushdi dhe vetë librit.
Njerëzit e përshkruajnë romanin, duke cituar disa akademikë në Perëndim sot, si një “portretizim të Islamit, si një fe mashtruese, injorante, dhe seksualisht devijante”, që përmban “gjuhë abuzive dhe fyerje drejtuar profetit Muhammed, dhe grave të tij”.
Sot, rrethanat sociale dhe politike po e tejkalojnë letersinë. Rritja e islamit radikal, apo islami si një forcë politike, është padyshim një faktor. Faktori tjetër, sidomos në Perëndim, është theksimi në rritje i kulturës dhe përkatësisë etnike, përfshirë fenë, si një mjet për vetë-përkufizim.
‘Vargjet Satanike’ janë pjesë e një epoke zvarrisëse, surrealiste të përvojës së imigrantëve, të vendosur në Londër dhe Bombej. Ato përshkruajnë jetën e dy burrave indianë, të vetmit e mbijetuar, të një avioni të hedhur në erë nga terroristët Sikh mbi Kanalin Anglez.
Njëri prej tyre, një aktor i famshëm që luante Zotat hundi, sheh të shfaqur një aureolë në kokë. Tjetri, që ka jetuar në Angli për vite me rradhë duke u përpjekur të distancohet nga rrënjët e tij indiane, sheh t’i dalin brirë në kokë, një bisht djallëzor, dhe ka një aromë të tmerrshme, që i del nga goja.
Me ato ndërthurren 3 nënbotë, në formën e ëndrrave të përjetuara nga aktori indian. Secila prej këtyre nënbotëve merret në një farë mënyre me Islamin, dhe secila bazohet në ngjarjet e fundit, ose në ato historike. Imami Khomeini, është një figurë që komploton dhe kryen një revolucion. Pjesa IV, ‘Aisha’, flet për një vajzë të re që pretendon të ketë mesazhe hyjnore, duke e udhëzuar atë dhe pasuesit e saj, të ecin në Mekë përmes Detit Arab, duke pohuar se ujërat do të jenë pjesë e tyre.
Por kapitulli që tërheq të gjithë vëmendjen, është “Mahund”, një rrëfim satirik i karrierës së Muhamedit. Titulli i referohet një historie famëkeqe në ditët e hershme të Islamit, si dhe mundësisë së forte, që i gjithë romani në fakt, te përshkohet nga një frymë e transmetuar nga Djalli.
Në ëndrrat e tij, aktori, Xhibril Farishta, (engjëlli Gabriel) merr meazhe nga një profet i quajtur Mahund, në një qytet surreal, të bazuar qartë mbi Mekën. Konstante këtu është çështja e besimit, ose më saktë, hijeve të dyshimit midis besimit dhe mosbesimit.
Rushdi ka një perspektivë moderne dhe individualiste, dhe ‘Vargjet Satanike, na tregojnë në mënyrë të përsëritur, pikëpamjen e një personi, që i kërkohet të besojë në diçka që dyshon, si disa nga bashkëpunëtorët e Mahundit. Dhe kjo nuk është një perspektivë me shumë precedentë në literaturën islame.
Qëkur studionte në Universitetin e Kembrixhit në Britani, Rushdi ishte i hipnotizuar nga informacioni në lidhje me origjinën e Islamit. Krahasuar me ndonjë profet tjetër ose themelues të një feje, ne e njohim shumë mirë për jetën e profetit mysliman. Pra, si e lexon historinë e të dërguarit të Perëndisë, dikush që nuk e beson Zotin?
Kjo pyetje ishte kryesorja në mendjen e Ruzhdi. Siç i tha një gazetari gjatë një inteviste në vitin 1989:”Kur Muhamedi u kthye në Mekë në pushtet, ai ishte shumë tolerant. Dhe nëse më kujtohet mirë, u ekzekutuan vetëm 5 apo 6 persona. Dhe prej tyre, 2 ishin shkrimtarë, dhe 2 ishin aktorë që kishin shkruar tekste satirike.
Tani keni një imazh që mendova se ia vlen ta eksploroni:në fillim të Islamit, kemi një konflikt mes teksteve të shenjta dhe tekstit profan, ndërmjet letërsisë së zbuluar, dhe letërsisë së imagjinuar. Për një shkrimtar, ky konflikt është interesant për t’u eksploruar. Këtë bëra edhe unë”.
Detajet e Ruzhdi nuk janë tërësisht të sakta, por burimet tregojnë se Muhamedi kishte një ndjesi të veçantë kundër atyre që e kishin satirizuar atë, dhe kishte kërkuar, ose kishte lënë të kuptohej, nevojën e ekzekutimit të tyre. Imazhi është i fuqishëm, aq më tepër për një shkrimtar të fiksionit, dhe kundërvënia midis fjalës profetike dhe fjalës poetike, do të gjente rrugën e vet në ‘Vargjet Satanike’.
Gjatë eksplorimit të jetës së Muhamedit, Ruzhdi nxiti traditën islame në rajonet më të ndjeshme. Burimet e hershme islame, përmbajnë një numër elementesh që janë në kundërshtim me versionet konvencionale, ortodokse ose popullore të prejardhjes islamike.
Për shembull, ka shumë raste kur Muhamedi duket se është shumë njerëzor në dëshirat dhe veprimet e tij të dukshme, siç është hakmarrja e rastësishme, ose martesat e shumta. Tradita myslimane, tenton t’i minimizojë këto elemente, ose t’i arsyetojë ato si pjesë e planit të tij të madh, të frymëzuar nga Zoti.
Por ‘Vargjet Satanike’ janë fokusuar tek disa kontradikta të shkrimeve të shenjta, për shembull, një tregim të rëndë imagjinar të Ibn Abi Sarh, i cili ka punuar si shkrues i Muhamedit. Disa burime na thonë se Ibn Abi Sarh, vazhdoi të shkruante edhe pasi Muhamedi nuk po fliste, duke plotësuar më fjalë e tij, frazat që ai mendonte se ishin të përshtatshme.
Kur shtesat e tij vzhduan pa u vënë re, ai u trondit. Si mund të jenë këto fjalë të Zotit? Ato ishin të tijat! Ai u largua dhe u armiqësua me profetin. Kur myslimanët e kishin pushtuar Mekën dhe Islami triumfoi, Muhamedi kërkoi që Ibn Abi Sarh, të vritej. Në fund ai u bind ta mëshironte ish-shkruesin e tij, por më vonë shprehu keqardhje që shokët e tij nuk ia prenë kokën.
Një çështje edhe më e ndjeshme, është historia e vargjeve satanike. Në ditët më të hershme të misionit profetik të Muhamedit, ai ishte i etur të fitonte ndonjë të konvertuar në kauzën e tij. Kundërshtimet ishin të forta. Mesazhi i tij për një Zot të vetëm, nuk ishte i mirëpritur në një komunitet që kishte adhuruar prej kohësh një shumëllojshmëri hyjnish.
Pastaj, ai mori një zbulesë që dukej se zgjidhi problemin e tij: përveç një Zoti, Allahut, njerëzit mund të luteshin edhe për 3 perënditë e tjera të vogla, të gjitha femra. Disa nga armiqtë e tij u përkulën para tyre së bashku me Muhamedin:dukej sikur ishte arritur një kompromis mes monoteizmit të tij të rreptë, dhe hyjnive të shumëfishta të banorëve të Mekës.
Ka versione të ndryshme të asaj që ndodhi më pas. Ose engjëlli Gabriel u shfaq dhe i tha Muhamedit se Satani i kishte manipuluar fjalët, ose ai e kuptoi vetë se kishte lexuar diçka që nuk ishte e drejtë, diçka që flijoi parimin e tij më themelor. Shpallja e mëvonshme hyjnore njoftoi se, ndërsa Satanai mund të ndërhyjë në recitimin e një profeti, Zoti do të ndërhyjë për të hequr pjesën fyese.
Fjalët “satanike”, ato që pohonin ekzistencën e tre hyjnive femërore, u përjashtuan më pas nga shpallja, dhe u rikonfirmua monoteizmi i rreptë. Politeistët e Mekës, rifilluan armiqësinë e tyre, por Muhamedi nuk kishte kompromentuar asgjë. Sot, gati të gjithë myslimanët e konsiderojnë episodin e vargjeve satanike si një trillim.
Është e pakonceptueshme, thonë ata, që fjalët e Satanait të kishin vend në zbulesë. Është e pakonceptueshme që lajmëtari i Zotit, profeti, i cili shërben si udhërrëfyes për të gjithë besimtarët, të mund të ketë bërë një gabim të tillë. Historia ishte me siguri një gënjeshtër e shpikur nga armiqtë e Islamit.
Në vitet 1960, një dijetar egjiptian shkoi aq larg sa të propozonte që të gjitha përmendjet e incidentit të hiqeshin nga botimet e ardhshme të teksteve historike. Por problemi është se shumë tekste historike e përmbajnë atë histori, në rreth 50 versione paksa të ndryshme. Për më tepër, siç e theskon libri “Para Ortodoksisë:Vargjet Satanike në Islamin e hershëm” (2017) nga Shahab Ahmed, gjeneratat e para të muslimanëve nuk e vunë në dyshim incidentin.
Vetëm gradualisht, me zhvillimin e disa doktrinave lidhur me pafatësinë e profetëve, historia u bë e pamundur për t’u pranuar. Edhe Ibn Tejmije, dijetari i famshëm islamik i shekullit të 14-të dhe paraardhësi intelektual i selefizmit, e pranoi vërtetësinë e tregimit të vargjeve satanike.
Ruzhdi nuk ishte personi i parë me origjinë myslimane, që ka pasur dyshime rreth fesë. Por, ai ndoshta do të jetë i fundit, të paktën për disa kohë, që i shprehu në mënyrë kaq të qartë në formë letrare, sepse në fakt nuk ka gjasa që dikush të botojë sot ‘Vargjet Satanike’.
Marrë me shkurtime nga “Aeon.co” – Bota.al