“Ka ndjekur “fillin e kuq” të politikës së Enver Hoxhës dhe ka keqformuar shqiptarët”, Fatos Lubonja analizon Kadarenë
Analisti i njohur, Fatos Lubonja në një intervistë ekskluzive për Gazetën Panorama ka zbërthyer veprat e Ismail Kadaresë dhe ka dhënë qëndrimin e tij për debatin që ka nisur pas botimit të librit të ish-kryehetuesit Qemal Lame, i cili ka treguar planet e Enver Hoxhës për të arrestuar dhe eliminuar shkrimtarin e njohur.
Në intervistën e tij, Lubonja ka analizuar veprat e Kadaresë nga “Frymëzimet djaloshare” e botuar në vitin 1954 deri në “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” e vitit 1989.
Lubonja thekson se Ismail Kadare ka ndjekur “fillin e kuq” të politikës së Enver Hoxhës dhe ka keqformuar shqiptarët. “Sipas meje, vepra e tij në versionin e asaj kohe, duke filluar nga “Frymëzime djaloshare” (1954), ku ka gjashtë poezi për vdekjen e Stalinit e deri tek “Ardhja e Migjenit në letërsinë Shqipe” (botimi i vitit 1989), ku godet në mënyrën më të egër figura që sot nderohen, si Konica, Fishta, Koliqi, ka ndjekur “si fill i kuq”- siç thuhej asokohe – politikat e Enver Hoxhës duke qenë shprehja më e plotë dhe më e arrirë nga pikëpamja letrare e ideologjisë nacional-komuniste të atij regjimi”, thekson Lubonja.
“Disidenca” e Kadaresë ka qenë gjithnjë një temë debati. Ju vetë nuk e keni mbështetur atë. Dëshmitë e sjella nga ish-kryehetuesi Lame, a sjellin ndonjë kontribut të ri në këtë drejtim?
Për të kuptuar raportin e Kadaresë me regjimin e djeshëm, mjaft të shohësh raportin me regjimin e korruptuar mafioz të sotëm. Kurrë s’e ka prekur, por veç e ka mbështetur dhe mjelë, siç ka bërë edhe me paraardhësin. Gjithsesi, gjykoj se disidencën e djeshme duhet t’ia gjejmë në veprën e asaj kohe dhe jo në operacionet plastike që ka kryer këta 30 vjet (vetë dhe me ndihmën e kirurgëve), jo vetëm mbi jetën, por deri edhe mbi veprën e tij. Lejomëni të zgjatem pak në këtë temë sepse kur flitet për Kadarenë, një pjesë merren me vlerësimet e njohjen në Perëndim, të tjerë me disa vepra e akte që e komprometojnë, ndërkohë që injorohet përmbajtja e veprës së tij në tërësi, që është tejet e rëndësishme, jo për disidencën apo bashkëpunimin me regjimin, por për të kuptuar kohën. Sipas meje, vepra e tij në versionin e asaj kohe, duke filluar nga “Frymëzime djaloshare” (1954), ku ka gjashtë poezi për vdekjen e Stalinit e deri tek “Ardhja e Migjenit në letërsinë Shqipe” (botimi i vitit 1989), ku godet në mënyrën më të egër figura që sot nderohen, si Konica, Fishta, Koliqi, ka ndjekur “si fill i kuq”- siç thuhej asokohe – politikat e Enver Hoxhës duke qenë shprehja më e plotë dhe më e arrirë nga pikëpamja letrare e ideologjisë nacional-komuniste të atij regjimi.
E di që kjo tingëllon si krejt e kundërta e asaj që predikohet, por le t’i marr me radhë disa nga ngjarjet/temat kryesore të letërsisë së kohës të diktuara nga lart, për trajtimin e të cilave “në frymën e partisë” Kadare edhe është paguar si shkrimtar profesionit që nga vitet ’60: Propagandimi i Luftës Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga Partia, që ka qenë miti themelues i pushtetit të komunistëve (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Nëntori i një kryeqyteti”, “Shqiponjat fluturojnë lart”). Prishja me Bashkimin Sovjetik, lufta kundër revizionizmit, Shqipëria si kështjellë kundër imperializmit dhe social-imperializmit (“Dimri i madh”, “Përbindëshi”, “Kështjella”); Lufta kundër zakoneve prapanike (“Dasma”), goditja e grupeve armiqësore (“Koncerti”, “Pashallarët e kuq”, “Emblema e dikurshme”), Prishja me Kinën (“Koncerti”). Shtojuni këtyre poezitë dhe poemat për ndërtimin e socializmit, me ëndrra industriale, hidrocentrale të Partisë, deri me qenin e kufirit që mbron kufijtë; shtojuni këtyre edhe faktin se, siç e ka pohuar edhe vetë, askush si ai nuk ka shkruar më hidhur nëpër këto vepra për ata që konsideroheshin armiqtë e partisë, klasat e përmbysura; shtojuni këtyre shkrimet e vazhdueshme te ‘Drita’, me pseudonimin Gent Arbana, ku godet figurat më të shquara të letërsisë botërore të shekullit XX dhe do të t’iu dalin dhjetëra mijëra faqe që mjaftojnë e teprojnë për ta cilësuar Kadarenë “luftëtar konsekuent për çështjen e Partisë dhe të popullit”, siç e cilëson Ramiz Alia. Një vend të veçantë meritojnë veprat e ashtuquajtura historike si “Kush e solli Doruntinën”, ato mbi periudhën osmane si “Kështjella”, “Qorrfermani”, “Pashallëqet e mëdha”, “Pallati i ëndrrave”, “Ura me tri harqe” apo edhe më pas si “Viti i mbrapshtë” e “Dosja H”.
Edhe këto vepra, te të cilat e ka çuar nevoja për t’u ikur tematikave bajate të ndërtimit të socializmit – veçanërisht pasi filloi të botohet në Perëndim, ku me ekzotikën e tyre ishin shumë më tërheqëse për lexuesin perëndimor,- janë konform me komponenten nacionaliste të ideologjisë së regjimit, të trashëguar nga nacionalromantizmi i Rilindjes, por të aplikuar në një kohë tjetër, jo në emër të lirisë, por të përdorimit nga një pushtet shtypës. Edhe libri “Pallati i ëndrrave”, që meriton të komentohet më vete, për shkak se interpretohet edhe si metaforë e një regjimi totalitar, e ka të fortë komponenten nacionaliste të asaj ideologjie.
Si dhe veprat e tjera mbi periudhën osmane, edhe ai i shërben propagandës së regjimit në demonizimin e asaj periudhe, si pesë shekuj errësirë që lanë në prapambetje shqiptarët, të cilët megjithatë, paradoksalisht, në frymë nacionaliste, përshkruheshin sipërorë kulturalisht ndaj “turqve” dhe gati gjithmonë në kryengritje. Pra, ashtu sikurse në veprat dedikuar luftës dhe socializmit, edhe në librat me temë historinë shqiptare të mëhershme takohemi vazhdimisht me “gënjeshtrën e madhe” – siç e quan Solzhenicini ideologjinë – sepse edhe ato e kanë manipuluar shqiptarin, duke e bërë të jetojë lavdinë e një bote virtuale (heroizmin e popullit tonë ndër shekuj) pa përshkruar historinë e vërtetë, çka do t’i jepte instrumente për të parë dhe kuptuar mjerimin e botës reale që jetonte – që ka qenë detyrë e rëndësishme e shkrimtarit dhe intelektualit europian të shekullit XX, veçanërisht pas tragjedisë së Luftës II, që shkaktoi mbi popujt europianë ideologjia nacionaliste.
Lidhur me “Pallatin…” mund të shtoj se, edhe sikur të mos ishin fare veprat që përmenda e të tjera që nuk i përmenda, do të mjaftonte letra dërguar “Le Monde”-it me rastin e vdekjes së Enver Hoxhës për ta komprometuar peshën tejet të ekzagjeruar, që i është dhënë këtij libri si provë e disidencës së Kadaresë.
***
Kur reflektoj mbi veprën e Kadaresë, nuk mund të mos pohoj se i vlerësoj gjuhën dhe faktin se ajo i ka ndihmuar shqiptarët të pasurojnë mjetet shprehëse me stilema dhe të zhvillojnë fantazinë letrare. Por kjo nuk mund kurrsesi të baraspeshojë dëmin që ajo ka sjellë në (keq)formimin e njeriut shqiptar. Krahasimi që mund të bëj është ai me shkollimin në kohën e Enver Hoxhës.
Sot ka shumë që flasin në terma pozitive për atë se regjimi zhduku analfabetizmin. Por ata harrojnë se nëpërmjet atij shkollimi u ndërtua ‘njeriu i ri’, që nuk mësoi të mendojë, por vetëm të mbushë kokën me dogma që rezultuan tragjike dhe se të vjelat e hidhura të një shkollimi kësisoj po korren gjatë këtyre 30 vjetëve. Mua më ka intriguar vazhdimisht pyetja: Si ka mundësi që në veprat e tij Kadare ka derdhur aq talent e fantazi, ndërkohë që autori nuk ka besuar në ato që ka shkruar- gjë që e vëren edhe në shumë shkrimtarë e artistë të asaj kohe. Kam pasur parasysh edhe përgjigjen “Mut deshën, mut u dhashë”, që u ka thënë Lasgushi ca miqve kur bëri një poezi për partinë (që ia kërkuan), kur i thanë se ishte shumë e dobët. Si mund të frymëzohesh nga gjëra që nuk i beson? Përgjigjen e kam gjetur te Hegeli kur thotë: “Arti nuk mund t’i dorëzohet fantazisë së ndezur; ai ka nevojë për imagjinatën e një njeriu me mendje të mprehtë dhe me zemër të madhe”. Sipas meje, Kadareja e shumë të tjerë me më pak fantazi se ai e kanë përdorur fantazinë vetëm racionalisht, në funksion të ideologjisë, propagandës, karrierës, pa bashkëpunuar fare me zemrën, e cila u mungon krejtësisht në vepër.
Për të qenë i sigurt se “Emblema e dikurshme” flet për sabotatorët e naftës, e mora ta lexoj edhe një herë këto ditë. Me çfarë fantazie sarkastike përshkruhet një personazh topograf, i cili tërë jetën është paguar nga “klasat e përmbysura” për të varrosur në tokat e tyre të konfiskuara shishe e objekte të ndryshme, që do t’i ndihmonin këta një ditë të identifikonin pronat e tyre. U kujtova se këtë lloj sarkazme e ka përdorur në shumë vepra si “Dimri…”, “Nëntor i një kryeqyteti”, “Përçmimi” etj.
A i buron kjo nga ndonjë ndjenjë e përjetuar, pra nga zemra? Jo, për mua aty mungon krejtësisht ndjenja, prandaj dhe mendimi i vërtetë që niset gjithmonë nga përvoja e ndjenja personale. Rrëfimi është i stisur me fantazi, por mbetet një ilustrim letrar i propagandës së demonizimit të armikut. Dhe këtu i kthehem përsëri kulturës së manipulim-simulimit që, duke aplikuar një kategori ekzistencialiste, do ta quaja diktatura e maskës. Edhe në vende demokratike, maska e imponuar apo e veshur me vullnet për t’u pranuar nga të tjerët nuk të lejon të ndërtosh një jetë dhe vepër autentike, që ndjek thirrjet e brendshme, të zemrës, duke të çuar në imitimin e modeleve.
Le më në diktaturë si e jona, ku sundonte tipikja e përcaktuar nga ideologjia në formën e heroit pozitiv dhe negativ. Prandaj, personazhet e Kadaresë, si të të gjithë realizmit socialist, janë pa zemër, nuk të ngjallin asnjë empati. Në këtë kuptim, vepra e Kadaresë nuk ka dalë dot nga maskat e imponuara nga “gënjeshtra e madhe”, përkundrazi, i ka ushqyer ato me fantazinë e tij. Dhe ja ku vërejmë se maskat e së djeshmes merren e ripërdoren nga Rama i sotëm kundër “ballistëve të lodhur”, që “hanin pula” me të njëjtin stil sarkastik, ku mungon imagjinata e “mendjes së mprehtë” dhe “zemra e madhe”, që po t’i kishte, do ta bënin të mendonte se regjimi i të atit komunist u hoqi fëmijëve, nipërve e mbesave të kategorisë që përqesh edhe të drejtat më elementare. Por, të kuptohemi, edhe ky pushtetar i sotëm nuk është se ka ndonjë përçmim të ndjerë, kur shprehet kështu ndaj kësaj kategorie.
Ai kërkon të manipulojë mendjet e militantëve të partisë së tij me ato stereotipa, që edhe gjyshërit dhe baballarët e tyre i kanë aplikuar pa menduar e pa ndierë. Kemi mbetur te “njeriu ideal i regjimit totalitar”, i cili “nuk është komunisti i bindur”, por ai tek i cili është zhdukur “dallimi midis falses me të vërtetën” sepse është zhdukur mendimi autentik që buron nga zemra.
***
Siç e shihni, në këtë intervistë jam përpjekur të kapërcej rastin ‘Lame-Kadare’ dhe të theksoj idenë se problemi kryesor nuk është ajo çka kemi bërë apo nuk kemi bërë në atë regjim, por mënyra e gabuar se si u jemi qasur atyre.
Po e mbyll duke tentuar të shtjelloj se si, sipas meje, do të duhet t’i qasemi së kaluarës tonë, historisë sonë, në mënyrë që ta shkruajmë atë pa e përsëritur. Në një ese të tij të famshme mbi dobinë dhe padobinë e historisë, Niçe shkruan: “Vetëm nëpërmjet forcës maksimale të së tashmes mund ta interpretoni të kaluarën. Vetëm nëpërmjet tensionit të fortë të cilësive tuaja më fisnike do të gjeni tek e kaluara atë që është e denjë të njihet”. Thelbi i kësaj ideje qëndron në atë se ne vërtet kemi nevojë ta njohim historinë, por kjo njohje duhet të na diktohet nga problemet e nevojat themelore të jetës sonë në të tashmen dhe jo për t’u tërhequr prej tyre për rehati apo kuriozitete bosh. Ndër këto, nevoja, ajo më kryesorja, sipas Niçes, është ajo e çlirimit nga shumë vargonj (kulturorë, vlerash) që kemi trashëguar nga e kaluara. Prandaj dhe historinë duhet ta shohim sipas tij në mënyrë “kritike”.
“Nëse historia nuk mund të veprojë në praktikën e jetës sonë të së sotmes kundër burgut të ri në të cilin ndodhemi, duke na ngjallur energjitë subversive kundër aktualitetit ndrydhës e nënshtrues, atëherë është e padobishme”, thotë ai. Këto ide i ka rimarrë edhe Ëalter Begnamin gjysmë shekulli më vonë. Personalisht, mendoj se vuajtja më e madhe që duhet të ndiejnë në të sotmen intelektualët është nënshtrimi ndaj një regjimi oligarkik injorantësh, mendimshtypës dhe lirishtypës, që ka zëvendësuar regjimin e nomenklaturës së djeshme. “Cilësitë e tija më fisnike” do të duhet ta bëjnë intelektualin të përjetojë “tensionin” e fortë brenda vetes, kundër këtij nënshtrimi për çlirimin e vetes e veçanërisht të rinjve. Leximi e shkrimi prej tij i historisë do të duhej të ngjallte “energjitë subversive” kundër këtij nënshtrimi të ri. Këto do të ngjalleshin nga zbulimi se mekanizmat që i kanë çuar njerëzit në vuajtjen e sotme e kanë origjinën në atë trashëgimi të djeshme, në mënyrën e të jetuarit, në modelet njerëzore e kulturore, në shumë pseudovlera të adhuruara të asaj kohe, që e kanë penguar shqiptarin të bëhet person që mendon e mban përgjegjësi. Në këtë kontekst, duke lexuar librat e shumë autorëve të memuaristikës sonë, nuk mund të mos ngresh pyetjen: Cili është problemi, nevoja dominante që e ka shtyrë autorin të shkruajë për të kaluarën e tij e tonën? A e ka shtyrë ndonjë vuajtje nga “burgu i ri”, nga i cili kërkon të çlirohet dhe të çlirojë shoqërinë? Absolutisht jo. Qasja e memuaristikës së simulimit dhe manipulimit nuk niset nga këto vuajtje e shqetësime, por nga nevoja që ka elita e djeshme për të legjitimuar pushtetin e sotëm. Dhe kjo e ka çuar në mbushjen e historisë me vetëmburrje e heroizma që nuk shpjegojnë dot as nënshtrimin e vuajtjen e djeshme dhe as atë të sotmen. Që të heqim qafe prangat e së sotmes, na duhet një qasje tjetër ndaj së djeshmes, ku rrëfimin e heroizmit tonë të rremë ta zëvendësojë njohja e mekanizmave të nënshtrimit tonë të vërtetë, brenda vetes sonë më së pari, e pastaj duke e ndarë këtë njohje me të tjerët e duke kërkuar së bashku instrumentet e çlirimit./panorama