“Kam parë gjëra që ju humanët as nuk mund t’i imagjinoni”, 70 vitet e Rutger Hauer
70 vitet e Rutger Hauer: “Hollywood është një vend i qelbur. Je i kënaqur nëse ke rol në një film, fiton dhe ndoshta pallon çdo natë. Përndryshe, vret veten”
“Kam jetuar një vit si vagabond midis Pakistanit, Gjirit Persik dhe Sajgonit. Por për të kuptuar se do të mund të bëhesha actor, mu desh shumë kohë. U shtira si i çmendur për të mos bërë ushtrinë. Përplasjet e mia me Harrison Ford? Është një njeri që nuk e do jetën. Blade Runner? Një film epokal”…
Këmbët e zbathura, këmishën me katrore, një kompjuter. Merr recepsionin për t’i kërkuar një kapuçino dhe ata i sjellin dy. Të tjerë prishen në pjatancë. Në tavolinë një shishe Chianti, lëng frutash dhe birrë që qëndron nëpër gota, dy paketa Camel bosh, e treta në rrugën për t’u mbaruar. Rutger Hauer qesh, reflekton dhe herë pas here, midis një shfryrjeje dhe një onomatopeje, duke nënshtruar fluksin e ngadaltë e gushtit, bën pauzat e tij. Në dhomën e hotelit me pamje nga kopshti zoologjik në të cilin Dino Risi kaloi vitet e fundit të tij, replikuesi i Blade Runner e ka lënë jetën e vështirë prapa krahëve.
Në janar njeriu që pa gjëra të cilat humanët as nuk do të mund t’i imagjinonin, do të mbushë 70 vjeç. E shikon në sy dhe i beson; e shikon të rravgojë midis mimikës, karikaturave dhe kujtimeve dhe nuk e dyshon. Të shkrira lotët në shi dhe të fiksuar tatuazhet në shpatulla, sot Hauer qesh. Kthehet në një prej monologëve më të famshëm të historisë së kinemasë: “Doni t’ua recitoj?”, e shtyn në të folurit me veten: “Unë kam parë gjëra që ju humanët as nuk do të mund t’i imagjinonit / anije luftarake në flakë në afërsitë e bastioneve të Orionit… sigurisht që nuk e kam harruar.
Fjalë që duken sinteza e jetës time, përmbledhja e momenteve më të rëndësishme të mia. Prindërit e mi, Arend dhe Teunke, qenë aktorë. Dy intelektualë, dy bohemiennes. Shtëpia ime ishte një port detar, në të jetonim 29 veta, në një klimë libertare, origjinale. E vëzhgoja këtë botë dhe pyesja sesi ka mundësi, për tim atë e time më, gjithçka u dukej interesante përveç meje. Si do ta tërhiqja vëmendjen e tyre? Mërzitesha dhe ëndërroja arratinë.
E realizuat?
Kur isha adoleshent, në fundin e viteve Pesëdhjetë, e braktisa familjen për t’ia hipur një anijeje tregtare. Në shkollë isha katastrofë, kërkoja diçka më apasionuese sesa epopeja e Vilhelmit të II-të dhe e gjeta në det. Doja të shkoja drejt lirisë, të shpalosja velat, të thyeja kurrizin për 50 euro në muaj.
Prindërit të kundërshtuan?
Më lehtësuan. Unë isha një kafshë e egër, një ikanak i lindur dhe ata dy njerëz të hutuar, jo të këqij. Nuk bënë asgjë për të më ndaluar. Deti ishte një trashëgimi e lashtë. Paraardhësit e nënës time, shekuj më parë. Kishin lundruar. Një ditë nëna më tha: “Nëqoftëse do të nisesh Rutger, unë do të ndihmoj”.
Lodhje?
Më kishte paralajmëruar: “Në anije do të jesh i destinuar për të bërë punë me përgjegjësi të madhe. Do të përgatisësh mëngjeset, do të rrahësh vezët, do të rregullosh krevatet dhe do të lyesh muret e ndryshkura nga kripa e detit. Nuk kërkoja më shumë. “Do të jetë e mrekullueshme”, i thashë. Përgatita një çantë dhe pa e pasur kurrfarë ideje se çfarë do të bëja në jetë, mbylla portën pa pishman.
Patë botën?
Pakistanin, Gjirin Persik, Sajgonin. Një vit si vagabond, duke mësuar gjuhë të reja dhe duke i injektuar vetes një ndjenjë disipline që në bangat e shkollës refuzoja ta pranoja.
Rebel?
Nuk e di. Kisha lindur në një fshat të vogël, qesharak, në të cilin origjinaliteti dhe pavarësie shikoheshin me dyshim. Isha mospërfillës, refuzoja autoritetin e krijuar dhe i përgjigjesha me një pordhë çfarëdolloj gjëje që më propozonin. Udhëtimi pa destinacion më ndihmoi që të merrja në konsideratë hipotezën se për të arritur në ndonjë vend do të duhej të impenjohesha. Kur u ktheva në Holandë u regjistrova në një kurs teatri. Ditën punoja si elektricist, murator dhe karpentier për të paguar qiranë. Shikojini kallot nëpër duar, nuk gënjej. Ama për të kuptuar se do të mund të bëhesha aktor, mu desh shumë kohë.
Morali nga ndërmarrja?
Nuk besoj në morale, sidomos në moralet a posteriori. Kur dikush pretendon të të diktojë një universal, të jeni i sigurtë se gënjen.
Atëhere në çfarë besoni?
Në rrugëtimet individuale. Secili ka të tijin. Jo ndryshe nga sa më kishte ndodhur në bangat e shkollës, në kurset e teatrit gromësija papushim. Zërat baritonë të mësuesve, jeta që rridhte jashtë klasave. Mërzia. Teori, teori dhe sërish teori. Shikoja shokët e mi dhe pyesja veten se mos vallë po më mashtronin. Me forcën e pikëpyetjeve lidhur me perspektivat e ardhshme, u zgjova nga realiteti. Fletëthirrja për shërbimin ushtarak, e ardhur në mesin e viteve Gjashtëdhjetë, qe një goditje.
Ushtari Hauer.
Në vitet Gjashtëdhjetë institucionet ushtarake kishin tendencën e rrezikshme e formimit të njerëzve për t’i dërguar në front. Çdo uniformë duhej të bëhej një John Wayne i përkryer dhe pavarësisht se stimulimi i fizikut nuk më bezdiste, Wayne nuk do të bëhesha kurrë. Isha i tmerruar nga ideja se çdo dy orë, njëlloj si në parodi, do të mblidheshim të gjithë në rresht, përpara një zotërie të ngurtë që jepte urdhra të pakuptimta me zë të lartë dhe në mbrëmje, në të njëjtin formacion vetëm për meshkuj, diskutimet do të silleshin rreth birrës, bythës, pi… dhe sportit. Më kapte një asfiksi. Marrja frymë dhe përkëdhelja e ëndrrës për t’u arratisur u transformuan me shpejtësi në të njëjtën ndjenjë. Në këtë pikë, hartova një plan.
Çfarë plani?
Atë të shtirjes si i çmendur. Do të bëhesha budalla. T’i detyroja të largonin nga ushtria holandeze një element të pabesueshëm, një burim rreziku për vetë shokët e tij të kazermës.
Ia arritët?
Nuk qe e thjeshtë. U përgatita me një mikun tim aktor. Studioja grimasat, përgjigjet, kohët e reagimit. Natën përpara se të nisja çfaqjen, miku më këshilloi që të flija një orë për t’u paraqitur si i dërrmuar dhe t’i jepja një lustër vërtetësie çmendurisë.
Si shkoi?
Bëra maksimumin. Fillova që të ngatërroja flamujt kombëtarë dhe grada të përgjigjesha keq, të bëja fytyra të habitshme dhe të qeshja në koincidencë të një imitimi. E detyrova komandantin që të më dërgonte tek psikologu. Aty filloi një ndeshje shahu e gjatë dy javë. Nuk ishin të bindur se isha vërtet i çmendur, fizikisht isha shumë mirë dhe ju nënshtrova ju shumë provimeve të qelbura. Kur me liruan, për një moment, nuk e besova. E dija se po luaja të tashmen. Kisha frikë se ma lexonin në mendim dhe mund të më zbulonin. Kështu, në momentin e lajmit, u bëra si i befasuar dhe sikur më vinte keq: “Zoti Hauer, jeni një qytetar i lirë”. Fillova të ulërija, të godisja me grushta tavolinën, t’u përgjërohesha që të mund të qëndroja: “Nuk keni të drejtë ta bëni, maskarenj! E dua vendin tim, nuk mund të më pengoni që t’i shërbej!”. Një rrezik i kalkuluar. 10 minuta më pas isha jashtë kazerme. Qe mjaft argëtuese. Si e gjithë jeta ime.
Me të dalë jashtë?
Nuk e kisha zgjidhur krejtësisht problemin tim. Brenda institucionit, qoftë për shkollë teatri apo për ushtrinë, ndjehesha keq. Nuk e kujtoj asnjë fytyrë të vetme të mësuesve të mi, por për njerëzit që më kanë ofruar një punë apo për qytetet e shkelura për t’i takuar, kam një kujtesë të përkryer fotografike. Për vajzën time, 50 vjet më pas, është e njëjta gjë. E çorganizuar, nuk arrin të qëndrojë. Nuk është faji i saj, babai nuk ua ka mësuar bazat.
Si kaluat nga teatri në televizion?
Prej një koincidence të pabesueshme. Gjatë provave takova disa aktorë që përgatiteshin të nisnin një seri televizive, “Floris”. Më ftuan në xhirime dhe shumë përpara se të kisha një rol, mbeta si i magjepsur. Mendova: “Po kjo është vërtet e bukur! Dua të provoj të bëhem aktor”. Fola me menaxherin, nuk u pëlqyem. E shikova në sy dhe e kuptova se ai e bënte zanatin e tij për vetveten dhe për asnjë tjetër. Pavarësisht qëndrimit të ashpër, më pranuan.
Floris, seria juaj e parë televizive, pati ndonjë rezultat të mirë?
Qe një kujdes i jashtëzakonshëm. Transmetohej të dielën dhe në momentin e shfaqjes vendi bllokohej i tëri. Megjithëse nëpër rrugë njerëzit më ndalonin, fenomeni mbetej i kufizuar brenda kufijve kombëtarë dhe unë doja të ikja, të kisha diçka më të madhe. Ajo që kisha më dukej shumë e vogël.
Nuk u kënaqët.
Siç ndodh nganjëherë, pata një tjetër goditje fati. Në vitin 1973 Paul Verhoeven më ofroi një rol prej protagonisti tek “Turk’s Fruit”, i marrë nga një libër shumë i shitur që trajtonte tema universale. Çlirimi i seksit, dhimbja, dashuria që venitet, sëmundja.
Edhe filmi shkoi mjaft mirë.
Një triumf i vërtetë. Tri milion spektatorë vetëm në Holandë. Nominim për Oscar si filmi më i mirë i huaj. Në një minutë, dukej se bota kishte shpërthyer mbi fytyrën time. Nuk doja ta humbisja këtë rast dhe në të njëjtën kohë nuk arrija të kuptoja se ky rast më kishte takuar pikërisht mua. Isha kaq i pagdhendur, i egër, i papërgatitur. Isha i lumtur dhe i trazuar. Qemë krahasuar me “The Last Tango”, krahasonin Paul me Bernardo Bertolucci dhe Marlon Brando me mua. Gjithçka me një film të vogël të prodhuar nga një vend i vogël dhe i eksportuar kudo. Nuk arrinim në kohë të pyesnim se ku ishte shitur se lista e vendeve rritej: Austri, Itali, Gjermani, Francë. Një delir i vërtetë. Pastaj Paul Verhoeven xhiroi “Robocop” dhe “Basic Istinct”.
Për të parin e dy filmave, pa u menduar shumë, mendoi për ju. Brenga?
Asnjë. Robocop nuk ishte bërë për mua dhe nuk arrij të mendoj asnjë aktor në botë që do të kish mundur të interpretonte më mirë se Michael Douglas rolin e tij tek “Basic Istinct”. Për më tepër, veçanti vendimtare, Paul nuk ma propozoi kurrë. (Qesh).
“The Wilby Conspiracy” me Sidney Poitier e Micheal Caine nuk mjaftoi për ta pushtuar Hollywood, i përqafuar vetëm falë shumë të dhunshmit “Nighthawks” i vitit 1981.
I vitit 81? Të sigurtë? Ka kaluar kaq shumë kohë? Ta hajë dreqi. U dëfreva shumë. Interpretoja një terrorist të pamëshirshëm, në një qytet që shumë vite më pas do të goditej egër prej tij.
Tek Nighthawks ju ishit mjaft i keq.
Nuk kam pasur kurrë fikë për të interpretuar një të keq. Luaja me Sylvester Stallone, qemë antipode me role, por së bashku ndjeheshim shumë mirë. Në skenën finale, përballemi për të vrarë njëri tjetrin.
“Do mbesë në këmbë vetëm njëri”, apo jo?
I mir ishte ai, por pikërisht në finale i kujtoj një të vërtetë që është e vlefshme në jashtëzakonisht shumë raste: “Në fund të fundit unë dhe ti bëjmë të njëjtin zanat të fëlliqur, ai që ndryshon është vetëm objektivi”.
Pak kohë më pas Ridley Scott ju thirri për “Blade Runner”. “Askush”, tha, “do ta kishte pritur ndonjëherë një rezultat të ngjashëm”.
Nuk qe kaq romantik. Nuk më thirri Ridley, por shefi i gjetjes së aktorëve. Ishte gjithçka mallkueshmërisht profesionale dhe e organizuar, përtej çfarëdo imagjinate dhe viktima e zellit të shumë natyrisht që ishe ti.
Impakti me Hollywood?
Hollywood është vetëm emri i një segmenti të papërfillshëm të një qyteti me më shumë se 20 milion banorë. Një vend i ndyrë, një cirk për turistët, një lloj Disneyland. Je i kënaqur nëqoftëse ke rol në ndonjë film, të del emri nëpër gazeta dhe ndoshta pallon çdo natë. Në rast të kundërt, vret veten. E keni idenë sesa njerëz kanë vdekur duke kërkuar të kenë fat në Los Angeles, sesa janë zbehur në mes të rrugës.
Shumë?
Nuk i gjykoj sepse të jesh i pasigurtë, të humbësh dhe të mos dish atë që dëshirohet në Hollywood është gjëja më e thjeshtë e botës, por po, jashtëzakonisht shumë. Unë kam qenë me fat sepse Hollywood është një vend që pranon vetëm dy lloje finalesh. Ose suksesin, ose rënien. Rrugë të mesme nuk parashikohen.
E ndjeni se i përkisni?
Jeni të çmendur? Unë i përkas vetëm vendit ku ndodhem dhe ndjehem i lumtur.
Tek “Blade Runner” punuat me Harrison Ford. Thuhet se raportet tuaja kanë qenë të komplikuara.
Nuk qenë raportet tona të komplikuara, i komplikuar ishte ai. Ka pasur probleme me të gjithë. Probleme me mua, me Ridley, me filmin, me reputacionin e tij. Nuk arrija ta kapja, pasi Harrison një qendër nuk e ka. Nuk e do jetën, nuk njeh asgjë, nuk di asgjë. E kishte me vetveten të gjitha ditët, emetonte një energji negative. Dukej se ecte me marsh prapa. E kundërta ime.
I ashpër.
Ishte aq negativ sa që imagjinova se ndoshta ishte nën efektin e ndonjë droge, por, për hir të së vërtetës, nuk e kam kuptuar kurrë se për çfarë substance bëhej fjalë. Ai ishte heroi, por në atë rol gjendej shumë keq.
U grindët në xhirime?
Punuam sëbashku për 4 apo 5 ditë maksimumi, pjesën më të madhe të kohës të ndarë nga një mur. Herapsëhere Harrison ishte brenda murit të fiksionit dhe shumë shpesh brenda murit personal të tij.
Filmi propozonte edhe skena të rrezikshme. Një herë duhej të xhironit natën, dy kaskadorë u dëmtuan dhe atëhere provuat të hidheshit ju. Pavetëdije, çmenduri apo gjë tjetër?
Atrecuesi donte që të hidhesha nga një pallat në tjetrin. Më pyeti: “E bën dot?”. “Kështu jo”, ju përgjigja. Pastaj i shtova: “Por nëqoftëse ma afron pallatin me një metër, ndoshta po”. Filmi ishte xhiruar në studios dhe pas dy orësh zhurme dhe rrëmeti, pallati ishte spostuar me të vërtetë. Kështu që u hodha. Asgjë kushedi se çfarë heroike apo e rrezikshme. E dija se e kisha fizikun e përshtatshëm për provën. Doja të tentoja dhe pasi jam stërvitur mbi një trampolinë për pak kohë, ia arrita. Tek “The Hitcher”, vite më pas, më eci shumë më keq. Duke kërcyer nga një makinë në ecje e sipër, kam thyer një dhëmb me kondakun e pushkës.
Ju keni xhiruar më shumë se 100 filma. Ju vjen keq të kujtoheni sidomos për një film?
Aspak. Jam i lumtur që jam bërë një eveniment kolektiv. Të jesh i kujtuar për diçka epokale, është më mirë sesa të jesh i harruar dhe është e bukur që të ndodhë për një film që në qendër të poetikës së tij ka temën e identitetit.
Çfarë ju magjepse në film?
Ajo që më ka pëlqyer gjithmonë tek “Blade Runner”, janë nivelet e shumta e leximit të tij. Ideja në bazë është e thjeshtë: “Unë nuk e di se kush je dhe dua absolutisht ta zbuloj”. E harrojmë gjithmonë se kush jemi. Nuk i japim vetes kohën e nevojshme për ta kuptuar. Tek “Blade Runner”, Ridley provonte që të jepte një përgjigje.
A patët raport të mirë me të?
Të shkëlqyer. Sapo vendosëm një kontakt, gjërat ecën për mrekulli. E pyesja papushim për Roy Batty: “Çfarë dëshiron që të dalë nga personazhi im?”. Ai më sugjeronte që të mos e vrisja mendjen. “Mos mendo”. Herë të tjera i bëja propozime për modifikime roli dhe ai më thoshte: “Ok, le ta provojmë”. Maksimumi. Diskutimet e vetme qenë filozofike: respektivisht skenarit nuk besoja se në përplasjen përfundimtare midis humanëve dhe androidëve, duhej të majmunizohej epika e Bruce Lee apo e Superman. Kishte diçka më të thellë, më të fshehur, më të brishtë. Ridley ishte dakord dhe unë praktikisht në finalen e filmit ndjehem mjaft i përgjegjshëm.
A është e vërtetë se ideja e fluturimit të pëllumbi qe e juaja?
Kontribuova. Çfarë kishte më të bukur sesa të mbaje në dorë një pëllumb dhe pastaj të fluturoje nga duart e një replikuesi që tenton në mënyrë të dëshpëruar t’i ngjajë një qenieje njerëzore? Gjithsesi, në film dhe për filmin, dhashë gjithçka.
Thonë se ju ziheni shpesh. Me regjisorët dhe me kolegët. Sepse dhënia e një, pavarësisht talentit, korrespondon gjithmonë me një rrezik.
Marinari nuk mund të ecë gjithmonë kundër valëve, nganjëherë edhe duhet t’i përballojë anash. Duke provuar që të jetë dinak. Deri në një moment të caktuar të jetës, ajo që thoni, ka ndodhur. Kam notuar kundërrrymë duke luftuar me egon, pastaj, nga viti 1985, jam çliruar. Qysh atëhere jam njeri tjetër.
Qëndron bashkëshortja juaj, Ineke Ken Take?
E njoha në vitin 1967, u martova me të në 1985. Ajo qëndron gjithmonë.
Ju jeni monogam dhe jeni me të njëjtën femër prej 30 vjetësh. Një qëndrim që është në kundërshtim me mitologjinë e ndërmarrjeve tuaja.
Besnikëria nuk është e lehtë, por nëqoftëse zgjidhet, bëhet një copë rrugë së bashku dhe ndjehesh mirë, kjo copë rrugë bëhet një udhëtim pa stacion arritjeje.
Ju keni punuar me shumë regjisorë italianë. Wertmüller, Tessari, Ferrara, Olmi. I preferuari juaj?
Ermanno, një mjeshtër i vërtetë. Me Scott, një prej dy regjisorëve të jetës time absolutisht. Një njeri me inteligjencë superiore, i aftë që të nxjerrë thelbin tim më delikat. Për “The Legend of the Holy Drinker” me Ermanno u takuam në Paris. Ai nuk e fliste një fjalë anglisht. Më pushtoi për 2 minuta duke me ngritur një kurth. Më propozoi që të merrja pjesë në një film aksion. E shikova në sy dhe ja kapa bllofin.
Jeni takuar 25 vjet më pas tek “The Cardboard Village”.
Ka qenë sikur ato vite të mos kishin kaluar. Shpresoj që të xhirojmë shpesh një tjetër film së bashku. Ermanno, nxito, nuk kemi shumë kohë. (Qesh).
Ndjeheni i plakur, Rutger?
Ju dukem i plakur? Pa një valixhe dhe një skenar për të lexuar nuk do të rrija të qëndroja. Sekreti i aktorit në thelb është i njëjti.
Cili?
Të bëjë të besueshme atë që interpreton. Të mbushë një sallë me njerëz që emocionohen. Vlen vetëm kjo. Kusuri, besomëni, janë budallallëqe.
(Malcom Pagani dhe Federico Pontiggia për “Il Fatto Quotidiano”)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA / bota.al