Koherenca dhe mesazhet aktuale të romanit “polakja”
Vepra e re letrare e Xhevat Mustafës, me vlerë për lexuesin dhe bibliotekat tona
Nga Halil RAMA
Pas romaneve “Zë i prerë” (1993) dhe “Mëkatet e vetmisë” (2008) si dhe librit “Duke kërkuar Europën” (2012) (me analiza, komente dhe opinione), publicisti, prozatori dhe diplomati i njohur Xhevat Mustafa sjell për lexuesin romanin e tij të tretë “Polakja”. Kjo vepër letrare e këtij autori është e gjitha një performancë moderne, që të imponohet që në faqet e para dhe në vijim, deri në faqen 314, me subjektin dhe përmbajten e veçantë si dhe me formën e bukur artistike të rrëfimit, të ndërtimit, të gërshetimit të linjave e të kapërcimeve kohore.
Ngjarjet zënë fill në qytetin e Gdnaskut, në veriperëndim të Polonisë, vend ku më 1987, në Katovicë, një qytet jugor, ishte zhvilluar një mbledhje e shefave të partive komuniste të vendeve të kampit socialist, e cila ishte drejtuar nga lideri sovjetik Mikhail Gorbaçov. Është shkruar e thënë se pjesëmarrësve u ishte shpërndarë një platformë veprimi në rast revoltash popullore politike e në periudhën e tranzicioneve politike, një kopje e së cilës i kishte rënë në dorë edhe Sekretarit të Parë të PPSH, Ramiz Alia.
Autori ka ekspozuar në këtë roman këndvështrimin e tij ndaj zhvillimeve të vrullshme në qytetin bregdetar të Gdnaskut, ku u diplomuan shumë studentë shqitarë në Akademinë e Flotës Detare të këtij qyteti, gjatë viteve 1950-të deri në në vitin 1961. Si publicist, si krijues e diplomat karriere, Xhevat Mustafa gërsheton mjaft mirë përvojën e tij diplomatike me formimin e gjithanshëm letrar e gazetaresk. Kjo duket që në përshkrimin e ngjarjeve të vrullshme në kohën kur “Enver Hoxha po vraponte apo rrëshqiste pa u vetëpërmbajtur drejt plot-pushtetshmërisë së një diktatori, njëherazi klasik dhe unikal, në dukje partizan i një dogme dhe, thellë-thellë ideator dhe zbatues i një modeli sui-generis apo e një çorbe të shpikur prej tij”. Ishte koha, kur disa prej studentëve, në vetvete apo në biseda “sekrete” me njëri-tjetrin, nanuriseshin nga ideja dhe dëshira e qëndrimit në vendet ku po diplomoheshin, për të krijuar familje me vajzat që dashuronin, dhe njëkohësisht stepeshin, kur mendonin se moskthimi i tyre në Shqipëri mund të interpretohej si tradhti ndaj Atdheut e Partisë. Kjo akuzë nënkuptonte ndëshkime të rënda me burgosje, internime dhe ndëshkime të tjera politike për prindërit dhe pjestarët e tjerë të familjeve, praktikë që kishte vite që zbatohej”.
Për dy nga personazhet gjallues të romanit, studentët shqiptarë në Akademinë e Flotës Detare të Gdnaskut, Andon Jaze dhe Jani Kruja, në këtë vorbull ishte e qartë se dilema do t’ia linte vendin përgatitjes së plaçkave dhe të valixheve për kthimin në atdhe.
Dhe ndërsa diktatori Hoxha prishej me Hrushovin e Bashkimit Sovjektik dhe aleatët e tij të bindur dhe po miqësohej me Kinën, Andoni, “edhe pse nuk ishte racist, personalisht mendonte se ndërrimi i “vëllezrëve dhe motrave” nuk do të ishte njësoj si ndërrimi i kostumeve, fustaneve dhe ngjyrës së fytyrës apo të flokëve”.
E gjitha kjo përbën siparin e këtij romani, për të vazhduar më tej në retrospektivë, ku lëvrijnë marrëdhëniet dashurore të dy studentëve shqiptarë të Akademisë Detare të Gdnaskut me dy buroroshet polake. Mjaftojnë qoftë dhe trillet e përdorura në përshkrimin e këtyre marrëdhënieve për të kuptuar se Xhevat Mustafa e ka shkruajtur këtë roman më së pari me vizionin dhe ndjesitë e një artisti.
Krahas portretizimit artistik të dy polakeve, Anna dhe Jadwiga, si personazhet kryesore që përshkojnë romanin nga fillimi deri në mbarim të tij, autori përshkruan mjaft bukur qytetin e tyre të Gdnaskut në gjithë peisazhin socio-kulturor të tij. Ky qytet-port, me bukuritë natyrore, me historinë e pasur si mollë sherri dhe me luftra për të mes Polonisë dhe Gjermanisë, me inteligjencën e tij artikstike e shkollore, si edhe e gjithë Polonia, hyjnë natyrshëm në gjeografinë e përshkrimit. Kuptohet se përshkrimi i Durrësit është bërë edhe më me shumë detaje shprehëse dhe dashuri.
Të njohurit e miqtë e Janit dhe të Andonit, së toku me plot bashkëkohës, herë në Gdansk e herë në Durrës, popullojnë po natyrshëm lagjet e kujtesës dhe të fantazisë së autorit. Përditshmëria e aktivitetit brenda e jashtë qytetit të Durrësit, vështirsitë e një pune gjithsesi të pavlerësuar, vetë jeta e Andon Jazes dhe Jani Krujës, të kuadratuar në ecejaket rutinë, po edhe me fundin e tyre tragjik, lënë gjurmë emocionuese në kujtesën e lexuesit.
Ishte koha kur, si në gjithë kampin socialist të Lindjes edhe në Poloni, pas vrasjeve dhe zhdukjeve masive të burrave, mes tyre edhe të shumë hebrenjve, kishte superioritet të ndjeshëm të pjesës femërore të shoqërisë. Në këtë realitet studentët shqiparë të Gdnaskut kishin shansin për të qenë të pëlqyer dhe të kërkuar nga plot vajza polake dhe për aventura kalimtare apo për lidhje serioze me ndonjërën prej tyre,…por që, fatkeqësisht, fundin do ta kishin tragjik.
Portretizimet e thjeshta dhe të ngrohta të Annës e Jadwigës, të shkurtëra dhe të qëlluara, me pamje nga larg apo në ambiente intime, fokusohen tërësisht në angazhimin njerzor për të mbajtur gjallë familjet e tyre. Po kështu edhe partnerët shqiptarë të tyre; Andoni që “bënte kujdes të fliste një polonishte korrekte gjuhësisht, përpiqet që me lakuriqësinë e shprehjes, të mendimit dhe të ndjenjës së tij, ta bindte Annën se jo të gjitha dashuritë janë të vërteta, dhe prandaj jo të gjitha martesat janë të forta dhe jetëgjata”. Kësisoj, përballë insistimit të Andonit, “Annës së martuar me dashuri me kitaristin polka, Marekun, po i shteroheshin me shpejtësi forcat për të mos u gremisur në krahët e studentit shqiptar nga Durrësi”, nga marrëdhënia jashtëmartesore me të cilin ngjizet dhe fëmija i tyre i vetëm, Feliksi.
Por pas izolimit total të Shqipërisë nga bota, pas viteve ’60, kjo dashuri dhe ky fëmijë do të mbeteshin pengu i jetës së Andon Jazes, i cili gjatë jetës studentore “kishte mësuar shumë shpejt gjuhën e syve të vajzave polake”…dhe kishte arritur ta bindte polaken Anna se “….pendesa është fare e papërfillshme përballë mëkatit”.
Linja tjetër e romanit janë marrëdhëniet dashurore dhe fundi tragjik nëpër burgjet e diktaturës i polakes Jadwiga, me trup e bukuri marramendëse, dhe bashkëshortit të saj, Janit, që e pësoi vetëm e vetëm pse s’pranoi urdhërin e nomenklaturës për t’u divorcuar me polaken, mësuese muzike. Përballë kalvarit e genocidit të pashembullt, “ndoshta ajo vetë mund të kishte dëshirë për të mos mbetur mollë përjetësisht e ndaluar për meshkujt e tjerë që e dëshironin”, por kurrësesi të mos binte viktimë e përdhunimit çnjerëzor të hetuesit famëkeq, Qemal Hanxhari.
“E gjithë qënia e tij mbarte dhe shprehte egërsi, ligësi, pabesi. Ai nuk dinte të qeshte dhe se zgërdhihej, vetëm kur i shihte viktimat e torturave të tij të mbuluara nga gjaku dhe të ulërinin deri në kupë të qiellit. Për të thonin se gjatë luftës partizane ishte përzgjedhur në skuadrën e pushkatimti të Brigadës për ekzekutimin e robërve të luftës…Ngashërehej kur ua këpuste fare pa mëshirë kryet pëllumbave, lepujve të vegjël, këlyshëve të porsalindur apo pak ditësh të maceve e qenve…Qemal Hanxhari i shërbente verbërisht dhe kafshërisht karrikeve që i dhuroheshin…”.
NJOHËS I MIRË I LETËRSISË,
MUZIKËS DHE KINEMATOGRAFISË BOTËRORE
Nëpërmjet përshkrimit të ngjarjeve dhe portretizimit të personazheve, Xhevat Mustafa evidentohet në këtë roman si njohës i lerësisë, kinematografisë dhe artit e muzikës botërore. Kështu, nuk është rastësi që ai perifrazon romanin “Ana Karenina” të Tolstoit “me një kurbë në ngjitje zhvillimi dhe tensioni dhe një fund befasues, pa hapy and-in e zakonshëm në shumicën e romaneve të tjerë”….Dhe kësisoj ai shprehet për lidhjen jashtëmartesore të Andonit me Annën se “Ema Bovaritë dhe Anna Kareninat jetojnë edhe në këto kohë dhe se ia vlen të rrezikohet të dashurohesh me to”. Më tej, Viki, shoqja e saj e ngushtë që këmbëngulte që “Anna të ndjente keqardhje për Romeon e saj shqiptar të përtej gjysmës së shekullit të 20-të” …Apo çasti kur panë në kinema filmin francez “E kuqja dhe e zeza”.. dhe kur “truri i punonte me tension të paprovuar, dhe zemra po i rrihte sikur donte t’i çante kraharorin….”. Ndërkohë, bashkëshorti i saj Mareku, një natë, pas një seksi të nxehtë, më shumë me shaka e kishte kërcënuar se mund të bëhej edhe Otello, po të dyshonte se ajo shkonte me një tjetër… Gjithsesi, Mareku mund t’ia falte Annës, duke justifikuar vetveten se tradhtia bashkëshortore mund të kishte lindur bashkë me Evën dhe Adamin dhe se ai nuk ishte as i pari, as i vetmi dhe as i fundmi viktimë, jo në mbarë botën, por as në pallatin ku jetonin”. Në këtë roman gjejmë edhe mjaftë referenca të tjera të autorit për letërsinë, muzikën, kinematografinë botërore, si “Frekuentimi i mbrëmjeve shthurëse ku kërcenin lirisht dhe me ritëm të shpejtuar valset dhe mazurka si dhe meloditë e vallëzimeve të reja amerikane, të zhanrit “rock and roll”, apo “Kërkesa e mësueses së muzikës Jadëiga për drejtorin e shkollës që t’i sillnin një piano, që informacionet për Bethovenin, Mozartin, Shopenin, Listin, Shtrausin, mund t’i ilustronte edhe me pjesë muzikore nga këto kolosë të muzikës botërore”…..(Por drejtori, që përballë kësaj zonje me trup e bukuri marramendëse ishte shprehur se “Për ty do të zbrisja edhe hënën në tokë!”….nuk nguron ta porosisë : “nxënësve tanë folu më pak për atë Shopenin tënd dhe mësoju më shumë këngë për Partinë tonë dhe për shokun Enver Hoxha….E dyta, mos vish funde me gjatësi mbi gjunjë e fustane me dekolte shumë të hapur….”.
Ndërsa si gazetar, autori i këtij romani, jo pa qëllim ka skalitur dhe portretin e ish kolegut të burgosur politik, Petritit, që kishte punuar në Radio Tirana dhe që një ditë ishte shprehur para bashkëvuajtësve në burg se “ndjej tmerr kur mendoj se paturpësisht dhe pashpirtmërisht na ka detyruar Enver Hoxha të gënjenim në reportazhet dhe emisionet tona për jetën e lumtur që bëjmë ne shqiptarët dhe per ferrin, ku jetojnë popujt në vendet kapitaliste”. Është koha kur regjimi po eliminonte pareshtur intelektualët më të shquar dhe po i mbushte zyrat me askushë apo me njerëz me formim të varfër….kur intelektualët burgoseshin se “ëndërronin për më shumë orë pa zhurmues të stacioneve televizive italiane, për më shumë liri për puthje dashurie në rrugë, trotuare, bar-restorante, në drama e filma dhe jo vetëm në stolat e parqeve e lulishteve, mes errësirës së natës dhe nën vështrimet masturbuese të disa pleqve maniakë…Apo, jo rrallë, edhe nga ndonjë sy e vesh i spiunëve vullnetarë apo me pagesë të Sigurimit të Shtetit, që gjendeshin edhe ku nuk i mendoje dhe prisje, në disa raste edhe në një krevat bashkëshortor, ku njëri nga partnerët tradhëtonte tjetrin në emër të besnikërisë dhe devotshmërisë ndaj Partisë dhe Pushtetit Popullor”… Shembulli më sinjifikativ janë polakja Jadwiga dhe intelektuali shqiptar Jani Kruja.
KATOVICA NË ROMANIN E XHEVAT MUSTAFËS
Duke e marrë në tërësinë e tij, mund të konkludojmë se ky roman është radiografi e së shkuarës komuniste të Shqipërisë, por edhe prognozë e zhvillimeve të këtij çerekshekulli. Këtë e shpreh më së miri rrëfimi i polakes Jadwiga, e cila pas lirimit nga burgu dhe dëbimit në Poloni, u tregonte shoqeve se: “Atje në Shqipëri, në kushtet e ferrshme të burgut pësova një krizë nervore, por mendërisht isha krejt normale….Atje m’i kanë shkulur si me pinca të gjitha ndjenjat dhe instinktet e femrës….Ndërsa, im shoq, Jani Kruja, kishte marrë një tuberkuloz, që siç thoshte edhe vetë, nuk e luftojnë dot as antibiotikët më të fortë.” Dhe pas ’90-tës, Jani Kruja do të shprehej se: “deformimi i demokracisë kishte nisur qysh në hapat e saj të parë. Edhe pse nuk gjendej një tekst origjinal, nga qytetarët bëhej çdo ditë e më e lexueshme apo e lakuriqsueshme se gjithshka në Shqipërinë e pas viteve 90, pak a shumë si në Rusi, Poloni, Rumani, Bullgari, Hungari, Çeki…. “Katovica” zbatohej sipas një skenari largpamës për transferimin apo trashëgimin e pushteteve dhe të pasurive, nga baballarët tek bijtë e bijat, nuset e dhëndurët, nipërit e mbesat…”. Autori e paraqet këtë skenar qoftë dhe nëpërmjet portretizimit të personazhit negativ, hetuesit famëkeq Qemal Hanxhari, i cili në këto vite arrin të pasurohet marramendshëm, ndërsa djali i tij bëhët deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Është vërtetë rrënqethës takimi i Jadwigës pas shumë vitesh, kur vinte ti bënte homazh tek varri Jani Krujës, me hetuesin Qemal Hanxhari…..që sipas saj “nuk ishte ndëshkuar as nga shteti mbi tokë dhe as nga Zoti në qiell”. Dhe pikërisht ky përdhunuesi i saj i dikurshëm në qelitë e burgut, tashmë pas 30 vitesh i pohon asaj krenarisht: “Ky është hoteli i tim biri, një nga biznesmenët e mëdhenj, deputet i partisë më të madhe opozitare, që së shpejti vjen në pushtet!”. Gjejmë kështu në romanin “Polakja” të Xhevat Mustafës rrëfime befasuese, që të prekin në shpirt dhe që të ngjallin ndjenja e mendime të thella.
Pa hyrë në detaje të subjektit, me qëllim që të mos zbehim kureshtjen e lexuesit, do të thoja se romani “Polakja” është një sprovë e forcës emotive të shprehjes, e një bukurie tërheqëse shkrimi, si dhe e një stili të krehur mirë, konçiz e kontemporan. Romani në fjalë, më ka pëlqyer jo vetëm për gjuhën e zgjedhur, larg estetizimeve dhe përshkrimeve të zgjatura dhe pa vlerë, për stilin e bukur të rrëfimit, sintaksën poetike të përdorur me vend, metaforat e shumta dhe funksionale, për frazeologjinë e pasur e të larmishme, por edhe për mënyrën si është ndërtuar struktura dhe kompozicioni, për format si janë harmonizuar linjat kryesore me detajet dhe hollësitë dhe për digresionet e përdorura me mjeshtëri.
Mjeshtria e autorit shprehet dukshëm sidomos në portretizimin plot ndjenja, lirizëm e poetizim të polakeve Anna e Jadwiga, duke të shtyrë të mendosh se i ka “dashuruar” nga larg, edhe pa i njohur dhe se synon që të mos i mbajë për vete, por me ato të dashurohen edhe lexuesit.
Esenca e romanit “Polakja” është e lidhur me ambicjet e autorit Xh.Mustafa për të shprehur artistikisht realitetin dhe natyrën në kuptimin më të gjërë si dhe vetë njeriun si pjesë e tyre. Mbi të gjitha ky roman mbart vlera për koherencën dhe mesazhet aktuale, që përçon artistikisht tek lexuesi.