Kremtohet 35-vjetori i rihapjes së Xhamisë së Et’hem Beut dhe rikthimit të lirisë së besimit
Albert Vataj
Rihapja e Xhamisë së Et’hem Beut më 18 janar 1991 shënoi një moment historik për Shqipërinë postkomuniste dhe për rikthimin e jetës fetare në vend. Ky akt u realizua pa lejen e autoriteteve të kohës, nga një grup nismëtarësh të guximshëm, mes të cilëve Xhavit dhe Iljaz Alimehmeti, Ramazan Rysheku, Ibrahim Balla, Mehmet Sinella, si dhe personalitete të tjera që morën mbi vete përgjegjësinë e ringjalljes së një simboli të ndaluar.
Xhamia e Et’hem Beut, një prej monumenteve më të çmuara të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore shqiptare, vijon të mbetet një simbol i fortë i qëndresës, besimit dhe identitetit historik të kryeqytetit. E ndërtuar në vitin 1820 dhe e pozicionuar në zemër të Tiranës, kjo xhami e shekullit XVIII u mbyll gjatë regjimit komunist, ashtu si të gjitha objektet e tjera të kultit në vend, duke u shndërruar në një dëshmi të heshtur të ndalimit të besimit për dekada me radhë.
Sipas Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, rreth 10 mijë besimtarë dhe qytetarë u mblodhën atë ditë rreth xhamisë, duke dëshmuar publikisht nevojën për liri besimi dhe rikthimin e së drejtës për adhurim. Pavarësisht kësaj grumbullese masive, policia nuk ndërhyri, duke e bërë këtë ngjarje një pikë kthese në historinë moderne të vendit.
Xhamia e Et’hem Beut dallohet edhe për vlerat e saj unike artistike. Afresket që mbulojnë pjesën e jashtme dhe portikun paraqesin motive natyrore si pemë, ujëvara dhe ura, elemente të rralla në artin islam, i cili tradicionalisht mbizotërohet nga zbukurimet gjeometrike dhe kaligrafia. Këto piktura murale e bëjnë xhaminë një rast të veçantë në arkitekturën fetare të rajonit.
Me rastin e këtij përvjetori domethënës, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi një aktivitet përkujtimor në ambientet e Xhamisë së Et’hem Beut, aty ku 35 vite më parë u dëgjua sërish zëri i ezanit pas dekadash heshtjeje. Aktiviteti përfshiu lexim Kurani, përjetime dhe dëshmi nga protagonistë të asaj periudhe historike, si dhe vlerësime për personalitete që kanë kontribuar ndër vite në shërbim të fesë, dijes dhe komunitetit.
Në vitin 2018, Xhamia e Et’hem Beut iu nënshtrua një procesi të plotë restaurimi, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, duke i rikthyer asaj shkëlqimin arkitekturor dhe funksionin e saj të plotë si monument kulture dhe vend adhurimi.
Xhamia e Et’hem Beut mbetet jo vetëm një pasuri e rrallë e trashëgimisë sonë kulturore, por edhe një kujtesë e gjallë e rrugëtimit të vështirë drejt lirisë fetare dhe shpirtërore në Shqipëri.\
KOHA JONË SONDAZH

