Kur Edit Durham protestonte: “Larg duart nga Shqipëria!”
Nga Fran Gjoka
Duke shëtitur këto ditë nëpër rrugët e Tiranës, befas takova mikun tim të vjetër shkrimtarin tashmë të njohur nga lexuesi Viron Kona. Ecte në trotuar disi i shkujdesur, i menduar, me vështrim nga mali i Dajtit, i cili për momentin ishte i zbardhur nga dëbora. Kam kujtime të bukura me këtë njeri, me të cilin kemi kontribuar mbi 40 vjet në fushën e gazetarisë, veçanërisht në gazetën “Mësuesi” ku Vironi ka qenë njëri ndër redaktorët e njohur të saj. Por Viron Konën e kam njohur edhe në rini, kur lexoja tregimet e botuara prej tij në gazetën “Drita” dhe revistën “Nëntori” e ku ai dallonte si një emër premtues në letërsi…Në vitet e mëpastajme, ndonëse kalvari i jetës së tij pësoi zigzage, që shpesh e çuan në zgrip të jetës, përsëri nuk iu nda letërsisë, duke shkruar me vullnet e pasion disa vepra, që për mendimin tim do t`i mbeten si vlera letërsisë shqipe. Në mbi 40 librat e tij, dallohen ato për fëmijë me personazh Bubulinon e famshëm e që përbëjnë një cikël me rreth 15 vëllime, disa të përkthyera në Suedi, por dhe gjuhë të tjera. Bubulinon e njohin veçanërisht fëmijët, jo vetëm se ai u vlerësua me çmim të parë nga organizata botërore e fëmijëve UNICEF, duke u shpallur libri më i mirë për fëmijë në vitin 2006, por sepse ky personazh ka zënë vend të veçantë te fëmijët. Ai është një hero i tyre.. Ndërkohë që mua më kanë mbetur në mendje edhe romanet për të rritur të Viron Konës “Drithërimat e yjeve”, “Dëgjoma zemrën, Budapest!”, “Yje mbi Bosfor”, “Delfini i dy deteve drejt aventurave të reja”, “Dardi në gadishullin e vetëtimave”… Kolana e veprave të Viron Konës është po kaq vezulluese edhe me tregimet dhe novelat e tij, “Etje që shuhej”, “Pëllumbat”, “Mos m`i zbukuroni plagët!”, “Dielli është i imi!”, “Nëndetësja”, “Zonja nga Borasi”, “Pulëbardhat përbindëshe”, “28 djem plus një vajzë”, “Kontrolli i befasishëm i një inspektori”, “E fshehta e pyllit”… Ndërkohë që emri i tij spikat edhe në poezi, veçanërisht me vëllimin poetik “Thashë, të bëhem edhe unë poet!”
E kam njohur mirë mikun tim të vjetër, e kam ndjerë ngrohtësinë dhe dorën e tij edhe në vitet më të vështira, prandaj u gëzova pa masë kur e takova. Si gjithmonë në dorë mbante çantën e zakonshme të mësuesisë, një çantë disi e vjetër, por që gjithnjë mban thesare letrare. Kur u takuam, edhe ai provoi të njëjtën ndjenjë malli. Dhe, siç ndodh me shkrimtarët, e pyeta se çfarë po shkruante. Vironi, me thjeshtësinë e tij karakteristike dhe buzagazin e sinqertë, m`u përgjigj se këto ditë sapo kishte nxjerrë nga shtypi vëllimin më të ri me tregime “Rruga Mis Durham”.
E lexova shumë shpejt. Tregimet më rrëmbenin njëri pas tjetrit dhe thuajse nuk e ndjeva kohën, teksa brenda vetes subjektet origjinale dhe interesante, si dhe personazhet e tyre më buisnin në kokë, herë njëri dhe herë tjetri.
Libri nis me tregimin “Rruga Miss Durham”, që siç kuptohet bën fjalë për gruan e madhe angleze, që e deshi me shpirt e zemër Shqipërinë, që sakrifikoi, shkroi dhe e mbështeti gjatë gjithë jetës së saj. Madje, që në kopertinën e librit, përpara lexuesve tregohet veprimi i madhërishëm i kësaj zonje, e cila në 7 prill të vitit 1939, kur Italia fashiste sulmoi Shqipërinë, ajo, në moshën 76 vjeçare, doli e vetme në një nga rrugët e Londrës me një pankartë të madhe ku shkruhej: “Larg duart nga Shqipëria!”
Autori duke njohur jetën dhe veprimtarinë e jashtëzakonshme të kësaj gruaje të madhe, kap në tregimin tij një subjekt të thjeshtë në dukje, por interesant dhe emocionues. Rruga ku ai banonte quhej “Rruga Miss Durham”, por një ditë, një drejtues komiteti dogmatik e injorant, merr vendimin që ta ndërroj emrin e asaj rruge me një emër tjetër, duke menduar se ashtu i bënte jehonë sistemit monist. Në këtë linjë zhvillohet subjekti, por dhe zgjidhja e tregimit. Me një gjuhë të spikatur, me mjete dhe figuracion artistik, por edhe me bukuri e emocion, autori tregon se si banorët e kundërshtojnë ndryshimin e emrit të rrugës së tyre…
“ -Mirë emrin e lagjes, po të rrugës pse na i ndryshuat? – vërejti Todi, më i moshuari i lagjes.
-Kështu ka vendosur komiteti, – iu përgjigj prerë i deleguari.
-E di Komiteti se kush është Miss Durham? – pyeti me zë të lartë dhe i pakënaqur vëllai im i madh.
-E di komiteti, si nuk e di! – ia ktheu i nervozuar i deleguari. – Në atë komitet ndodhet edhe Cani, mësuesi i shquar i edukatës.
-Për cilin Can, thua ti, – ndërhyri Sadetja, shitësja e dyqanit të bukës. – Mos e ke fjalën për atë mësues Canin që, kur kalamajtë tanë shkojnë në shkollë pa detyra, ai i kap nga hundët dhe ua përdredhë siç bëjmë ne me fitilat e furnelës me vajguri?
-Tjetër Can kemi ne në komitet, o shoqja Sadete, – i ktheu i deleguari. – Cani ynë merret gjithë ditën me libra. Kur ne të tjerët i mbushim trastat me bukë dhe me ushqime, ai i mbush me libra. I zbrazë ato në shtëpi dhe i mbush prapë, nuk ngopet kurrë me libra ai, aq i ditur është…
-Pse, libra ha ai Cani i komitetit? – se kush tha dhe në mbledhje plasi gazi.
-Unë them të dëgjojmë se çfarë do të na thotë për atë zonjën angleze ky djali i ynë, – u hodh e tha Taqoja, këpucari i lagjes.
-Nuk vihen në diskutim vendimet e komitetit, – ngulmoi i deleguari.”
Dhe, më tej:
“-Sido që ta ndryshoni ju emrin rrugës sonë, – tha vëllai, – ne, në adresat e letrave dhe telegrameve, përsëri do të shkruajmë: rruga “Miss Durham”.
Dhe, vërtetë, në vitet në vazhdim, rruga përpara shtëpive tona quhej gjithnjë: rruga “Miss Durham”. Jo vetëm banorët, por edhe postierët që ndërroheshin herë pas here, atë emër përmendnin, madje shpesh herë nuk e përmendnin fare emrin e lagjes, por vetëm të rrugës, që gjatë gjithë kohës mbajti vetëm emrin e mikeshës së madhe të shqiptarëve, Zonjës Edit Durham.”
Mendoj se në këtë “kanistër” me tregime të bukura e tërheqëse dhe që përçojnë mesazhe mbresëlënëse për këdo që i lexon, përbën një bukuri të rrallë novela “Boksieri dhe Lilita e bukur”, ku autori tregohet mjeshtër i vërtetë si në thurjen e subjektit, në përshkrimin e tipave dhe karaktereve, në dialogët e thekur dhe plot lëng jetësor, e ku shfaqen personazhe të skalitur me shumë dashuri dhe origjinalitet. Novela tregon për boksierin e ri e të pamposhtur me emrin Teri dhe dashurinë e tij me bukuroshen Lilita. Subjekti rrjedh natyrshëm, plot skena të bukura e tërheqëse, që të mbajnë të mbërthyer fort pas leximit, njëra skenë më e bukur se tjetra. Janë shumë, por unë po e ilustroj përshtypjen time, veçanërisht me momentin kur djemtë e vegjël, që ëndërronin të bëheshin boksierë, kur mësuan për mosmarrëveshjen dhe ftohjen që u krijua mes dashurisë së Terit dhe Lilitës së bukur, “ndërhynë” në afrimin e tyre. Një dialog ngazëllues, me një tingëllimë sinqeriteti dhe lirizmi:
“-Ore, çuna, ju shohë që ndaloni përditë këtu përpara kopshtit tim dhe shikoni andej-këndej, kërkoni gjë?
-Jo, na bie rruga këndej, prandaj, – i thashë unë pa i hequr sytë prej saj, aq e freskët dhe e bukur ishte. Veçse, poshtë syve të kaltër i dalloheshin qartë rrathë të hollë, të zinj, që, siç kisha dëgjuar, tregonin vuajtje dhe pagjumësi. “Edhe Lilita duket e shqetësuar, njëlloj si Teri”, – thashë me vete. Edhe Dania me Veron, ashtu si unë, kishin mbetur si guhak përpara bukurisë së saj.
-Po sytë, përse m`i keni qepur në fytyrë sikur jeni përbindësha të vegjël? – na shkundi nga hutimi zëri i Lilitës.
-Po ja, – guxova unë, – duam t`i heqim, por… nuk i heqim dot.
-Ashtu është, nuk i heqim dot, -thanë me sinqeritet edhe Dania me Veron.
-Ah, ju paska hutuar bukuria e kopshtit! S`keni faj se, babai e ka bërë kopshtin kaq të bukur, sa të gjithëve u mbeten sytë aty. Kurse trëndafilat, eh, janë më të bukurit në botë, apo jo?
-Trëndafili më i bukur je ti! – tha Dania me plotë gojë.
-Uaa! – qeshi Lilita me të madhe, – Ore, kaq i vogël dhe…! Ore, si guxon ti…?- Pastaj, duket diçka mendoi, sepse, duke na hedhur një vështrim prej çapkëneje, na pyeti: -Mos jeni ata vogëlushët e boksit juve?
-Po, ata jemi, – thamë me krenari,- dhe, nuk jemi vogëlushë, por boksierë, – duke thënë këto fjalë, secili nga ne drejtoi trupin dhe nxori gjoksin paska përpara, ashtu siç na kishte mësuar trajner Teri.
-E çfarë i pëlqeni boksit juve, nuk shikoni se ç`damka të shëmtuara ju ka lënë në fytyrë?
-Ato që ju i quani damka të shëmtuara, për ne janë medalje, që i kemi marrë në beteja të vërteta boksi?
-Ore, kush ju ka mësuar juve të flisni kështu?
-Na ka mësuar trajneri ynë, Teri.
-Ah, e mora vesh. Edhe atë krahasimin që më bëtë mua me trëndafilin, nga ai e keni dëgjuar. Po, çfarë tjetër keni dëgjuar për mua nga trajner Teri? Hë vogëlushë, shprehuni! – pyeti ajo dhe picërroi sytë në pritje të përgjigjes.
Ne pamë njëri – tjetrin. Fola unë:
-Trajner Teri na ka thënë që “Lilita, ia kalon nga bukuria, edhe diellit që lind mbi Kaninë, edhe diellit që perëndon në Sazan…!”
–Aha, aha, aha, – ia shkrepi ajo të qeshurit, duke i hedhur flokët prapa. –Aha, aha, aha, – qeshte Lilita e bukur, kurse natyra u gjallërua krejt, në qiell u shfaqën të gjitha ngjyrat e ylberit, teksa një erë e lehtë që nisi të fryjë e mbushi ajrin me zëra pranveror. Një tufë zogjsh u ngritën fluturim duke rrahur krahët në qiellin e ndritshëm…”
Dhe bashkëbiseda e tyre si e rastësishme vijon natyrshëm, teksa lexuesi ndjenë dëshirën ta vazhdojë leximin me padurimin e zbulimit të batutave, dialogëve dhe mesazheve mbresëlënëse, që vijnë më pas e ku ngjarja herë duket se futet në një labirint pa zgjidhje dhe herë shfaqet në një fushë plot diell, ajër të shndritshëm dhe lule…
Thuhet se në moshë të tretë njeriu shkon më shpesh në vendlindje, e cila me kujtimet dhe bukurinë e saj ia zgjat jetën, kurse për Viron Konën kjo thënie është bërë reale edhe te vëllimi në fjalë e ku një sërë tregimesh kanë për bazë fëmijërinë, vendlindjen, mjediset ku ai është rritur dhe ka luajtur fëmijë, ku ka kaluar rininë, e ku kujtimet vijnë si fllade erërash pranverore e, që të shkruara me art e kulturë, tashmë mjeshtërore, marrin një vlerë e emocion të veçantë. Nisur nga thënia e Leon Tolstoit se “Historia nuk fsheh asgjë”, shkrimtari Kona pasqyron në tregimin “Dita e tollonit” gjendjen e rëndë ekonomike të kohës së monizmit, kur njerëzit zinin radhë që në mesnatë për një shishe qumësht apo disa kokrra vezë dhe që fatkeqësisht me gjithë sakrificën edhe këto nuk mundnin t`i siguronin dot. Tregimi ka dialogë tronditës mes fëmijës dhe nënës. Me gjithë hallin, asaj i duhet ta mbajë me kurajë fëmijën:
“-O ma, po ne kur do t`i marrim vezët? Ata të rrugës tjetër i kishin marrë. Goni dhe Titi po shqepeshin duke ngrënë: edhe vezë të ziera, edhe të skuqura në tigan, edhe të rrahura në pjatë, me sheqer. Mua më pëlqejnë më shumë vezët e rrahura dhe me shumë sheqer…
-Po, o shpirt, ja po afron edhe dita e tollonit të vezëve edhe për ne. Nesër, ditë e hënë, është dita e tollonit të gjizës dhe djathit, pasnesër dita e sallamit, pastaj vjen e mërkura që kemi tollonin e kafesë, e enjtja e gjalpit, e premtja dita e mishit të derrit, e shtuna s`ka tollon, kurse e diela…?
-Dita e tollonit të vezëve, – u hodha unë, -Sa kokrra do marrim ne, o ma?
-Si dhe herë të tjera bir, plot 10 kokrra. Dhe çfarë kokrrash: të mëdha, të bardha borë, njëlloj si vezë fshati.
-Pse, më të mëdha janë vezët e fshatit?
-Më të mëdha dhe më të freskëta. Po, edhe ato të fabrikës të mira janë…”
Ose:
“Disa çaste heshta. Lart në qiell dukej hëna e cila udhëtonte e qetë mes reve dhe yjeve.
-O ma, shiko sa çudi! Edhe hëna atje lart në qiell, vezës i ngjanë!
-Po, o shpirt, po ajo nuk është jona, është e Zotit.
Disa çaste heshta duke menduar për hënën. Sa mirë do të ishte sikur vezët të ishin aq të mëdha sa ç`është hëna! Nuk do të kishte nevojë të blinim shumë vezë, mjaftonte një dhe hanim e ngopeshim të gjithë…Ehe, ehe, – qesha me vete me krahasimin që më shkoi në mendje. Pastaj iu ktheva përsëri nënës:
-Edhe hëna, o ma, ditën e tollonit del?
-Eh, jo, ajo del më shpesh, veçse herë e plotë, herë si drapër, herë e ngrënë…
-Pse, kush e ka ngrënë hënën, o ma? Ai që e ka ngrënë ka qenë me fat të madh, kush e di se sa është kënaqur!
-Ç`thua?!-tha nëna dhe qeshi,-Nuk e ka ngrënë askush hënën, o bir, po ashtu i thonë…”
Teksa tregimi mbyllet me një sarkazëm të thellë demaskuese të sistemit të dështuar monist, të cilën autori e pasqyron me disa dialogë, që të tronditin dhe të bëjnë që të mos i harrosh dot disa skena të dhimbshme të jetës së njeriut të thjeshtë.
“-Tani, hedhim sheqerin! – tha nëna dhe, pasi i hodhi tre lugë të vogla sheqer na u drejtua ne të vegjëlve: -Do t`ju japë secilit nga një lugë dhe do ta hani vezën me radhë, një herë njëri dhe një herë tjetri deri sa ta mbaroni. Por, mos u grindni, mirë?
-Mirë, o ma, mirë! – thamë ne dhe, ndërsa nisëm të futnim me radhë lugët në pjatë, dëgjonim nënën që po thoshte: -Ja, shpejt vjen java tjetër dhe, e hëna nis me ditën e tollonit të gjizës dhe të djathit, e marta dita e tollonit të sallamit, e mërkura dita e…”
Duke përdorur figura artistike mjaft shprehëse dhe emocionale, veçanërisht metafora, metonimi, epitete dhe krahasime të bukura, shkrimtari ka arritur të vizatojë në veprën e tij personazhe të spikatur që mbeten gjatë ne mendjen e lexuesit. Të tillë janë veçanërisht: Petroja, te tregimi “Fëmijët janë si zogjtë”; Gize pirati, te tregimi “Fuçia”; Fotoja, te tregimi “Gjoba”; kapiten Liku, te tregimi “Breshka spiune”; Lipja, te tregimi “Xhaketa prej stofi”; Ridi, te tregimi satirik “Guri”…Sado e thjeshtë qoftë një fabul, në penën e Viron Konës, ajo transformohet në një ngjarje dhe tregim interesant. Kjo ndodh, sepse Kona e ka prezantuar veten si shkrimtar i formuar, me një pasuri përshtypjesh dhe vëzhgimesh nga jeta e përditshme që e njeh mirë. Siç shprehet sociologu i njohur shqiptar Gëzim Tushi: “Letërsia e Viron Konës, është e ngjizur me kurbën e kalvarit të tij jetësor. Vironi i ka provuar në jetë të gjitha punët, nga ato më të vlerësuarat në shoqëri, në të cilat ai ka spikatur si vlerë shoqërore e njohur, deri në punët që në mënyrë të pamerituar e kanë çuar në zgrip të jetës. Ai ka provuar të jetë edhe në Olimp edhe në Ferr. Kurba e jetës së tij, fillon nga aulat e larta të administratës shtetërore e deri punëtor i thjesht krahu, madje në emigracion”. Ai njeh edhe ambientin shoqëror, njerëzit, gjendjen e tyre shoqërore dhe ekonomike, preokupimet dhe dëshirat e tyre. Mbi këtë bazë janë ndërtuar tregimet më të mira, duke kritikuar të këqijat e kësaj jete njerëzore mjaft të lodhur, që edhe në ditët e sotme nuk po gjen qetësi. Tek tregimi “Fëmijët janë si zogjtë”, autori parashtron para lexuesit kujdesin që duhet treguar për mirërritjen e fëmijëve, duke theksuar se jo gjithmonë përkujdesja e tepruar, e ashtuquajtur intelektuale, është efektive…Peshkatari Petro e merr djalin e të afërmit intelektual për në Nartë të Vlorës, ku ndryshimet shëndetësore të fëmijës, që deri atëherë vinte me shëndet të dobët, qenë të menjëhershme. Në mënyrë mjeshtërore dhe si një rrjedhje të natyrshme, shkrimtari në dallgët e frymëzimit na ofron fragmente dhe skena të tilla, që na bëjnë të mendojmë ndryshe për gjëra për të cilat kemi qenë të sigurt pak më parë dhe se mësimet më të mira t`i jep jeta dhe njerëzit me përvoja dhe halleshumë, ata që përleshen çdo ditë me jetën:
Dhe, ndërsa Petroja vijonte të fliste, unë s`po e mblidhja dot veten nga ai gufim ndjenjash të bukura, nga ato fjalë plotë jetë dhe gjallëri e që, më shumë se gjithçka, ngjasonin me një shkulmë pranvere. Ai peshkatar i thjeshtë, me sy ngjyrë ulliri, vetëm në pak çaste, më dha fare natyrshëm ca nga ato mësimet e çmuara, që njeriu i merr në jetë si pa kuptuar, pa bujë e zhurmë, fare qetësisht, ashtu siç vijnë në natyrë flladet dhe erërat, siç çelin sythet, gonxhet, lulet…I përfshirë në këto ndjenja që më kishin prekur thellë dhe më kishin mbushur plot e përplot zemrën, gati nuk e dëgjova Petron kur po thoshte:
-Pas pak ditësh kemi karnavalet, do ta marrim prapë djalin atje. Vajzat dhe ne i kemi dhënë fjalën, do të luajmë, do të këndojmë dhe do të kërcejmë me maska…Karnavalet po karnavale, e di ti…Pastaj, do të shëtisim edhe nga Kavalona dhe buzë gjolit me biçikleta, do shkojmë nga Zvërneci, nga manastiri, nga Skrofotina… Do shkojmë edhe nga punishtet e vajit dhe të verës, por, edhe atje ku bëhen shportat, kanistrat…
Talenti i shkrimtarit Kona, si tregimtar i sprovuar, shprehet në pasqyrimin e trazirave shpirtërore të njerëzve të thjeshtë të gjendur përpara realitetit të egër të shoqërisë në ndryshim. Kështu tek tregimi “Fuçia”, autori merr përsipër të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve në një moment të caktuar, kur djemve të lagjes u ka ardhur në majë të hundës me veprimet e “të fortit” të lagjes, Gizes. Fëmijët i punojnë një rreng dhe i japin një mësim të mirë këtij njeriu të pashpirt, duke e zbutur “të fortin e lagjes” dhe duke shpëtuar nga presioni dhe arroganca e tij. Njerëz të pushtetshëm edhe sot e kësaj dite “bëjnë ligjin” në shoqëri, ndaj them se me të drejtë autori në hyrje të këtij tregimi nënvizon me disa vargje të tij: “Mos iu përul kurrë “të fortit”,/shpinën ta shndërron në urë,/
po u frikësove,/ai të shtyp, mbi ty bënë rrugë”.
Një tregim që ka lënë mbresë të veçantë tek unë është tregimi “Gjoba”, ku shfaqet me bukuri të pashoqe humanizmi dhe dashuria mes njerëzve, respekti për vlerat dhe veprat e mira… “Ne uruam një lindje të shëndetshme dhe u larguam. Ditën tjetër unë mora në telefon nga zyra dhe më thanë se gruaja kishte lindur…
-…Djalë! – plotësoi fjalët e mia polic Sadedini, i cili, kur unë tregoja, ai sa s`mi përpinte fjalët dhe dukej tepër i mallëngjyer, ndërsa këmbente herë-herë shikime me birin e tij.
–Ja ku e keni, – vijoi ai i qeshur, duke treguar të birin, – edhe emrin Shpëtim ia vumë në kujtim të asaj ngjarje…Ju ma shpëtuat djalin, gruan…Çfarë takimi i mrekullueshëm…!
-Shtrënguam duart me njëri – tjetrin dhe s`po e mblidhnim dot veten nga emocioni.
-Kaq është Shqipëria, e vogël, fare e vogël, asgjë nuk kalon pa u ndjerë…
Babë e bir buzëqeshnin. Ishin vërtetë momente që të linin pa fjalë, por, fundja, ç`duheshin fjalët…”
Përbëjnë një tufë interesante tregimet me subjekt shkollën e ku personazhet kryesorë janë nxënës, mësues, prindër dhe marrëdhëniet që krijohen mes tyre. Autori, duke qenë shkrimtar, por njëherazi edhe pedagog, prind, drejtues shkollash nëntëvjeçare dhe të mesme, drejtor për shumë vite i gjimnazit të njohur “Ismail Qemali” të kryeqytetit apo inspektor në Ministrinë e Arsimit, tregon me një stil tërheqës artistik dhe pedagogjik ngjarje që mbeten në mendje për vlerat e mëdha ideore, emocionale, estetike dhe edukative. Të tillë vijnë tufa e tregimeve “Detyrë më bukur e Kreshnikut”, “Mësues, pse e ke hequr kollaren?”, “Kishim vepruar drejt”… Mund të themi se edhe me veprën e tij më të re, Viron Kona jep kontribut të çmuar në zhvillimin dhe pasurimin e letërsisë sonë, duke vazhduar traditat më të mira të mjeshtërve të letërsisë shqiptare dhe duke shfaqur një origjinalitet letrar, që meriton vëmendjen dhe respektin e lexuesve.