Kur në Kinë adhuronin filmat e Shqipërisë

Nga Piro Milkani (rrëfimi “Kitara kineze” nga vepra “E pabesueshme, por e vërtetë”)

Kur u ktheva përfundimisht në Shqipëri përveç vapës se madhe të korrikut të vitit 1961 edhe gazetat i kishin nxehur dhe ashpërsuar tonet ndaj Bashkimit Sovjetik e vendeve të tjera të “kampit socialist” që, sipas shtypit po rrëshqisnin në rrugën e revizionizmit. Vetëm për Kinën e Mao Ce Dunit po flitej përherë e më shumë me simpati. Po ngjizej një miqësi e re “vëllazërore” me popullin kinez dhe pas pak filluan të shfaqën në Tiranë e qytete të tjera specialistët e parë kineze që kishin pa përjashtim të njëjtën veshje.

Më kujtohet se si u shfaqën edhe në oborrin e Kinostudios një ditë tri kinezë që ndoshta edhe për shkak të veshjes uniforme dukeshin për ne si trinjakë. Me çanta të mëdha ngjyrë kafe mezi e hidhnin shikimin ndaj nesh dhe pastaj zhdukeshin në sallën e projeksionit të filmave. Ky ritual përsëritej çdo vit dhe ne mësonim se ata jo vetëm i vizitonin filmat, por bënin dhe marrëveshje për t’i blerë filmat shqiptarë. Ne duhej t’u jepnim atyre një kopje filmi pozitiv, listë-dialogun e filmave dhe fonogramën e zërit. Kostoja?… 6,000 rubla për film.

Po pse gjithë ky interes?

Edhe Kina ishte ftohur me të gjithë vendet e kampit socialist, me përjashtim të Shqipërisë, Rumanisë dhe Jugosllavisë. Në kupolën e lartë të shtetit po përvijohej një luftë e ashpër midis komunistëve dogmatikë dhe liberalëve. Në grupin e parë marshalli Lin Biao dhe gruaja e Maos Çian Çini, ndërsa ne të dytin presidenti Liu Shao Çi dhe Ten Hsiao Pini, sekretar i përgjithshëm i partisë komuniste të Kinës. Me bekimin e Maos fitoi krahu konservator dhe humbën të tjerët. E gjithë kjo histori kulmoi në vitin 1966 kur filloi i ashtuquajturi “Revolucion Kulturor” që vetëm kulturor nuk ishte. Liberalët filluan të dënoheshin publikisht përmes Dacibaove që mbushnin muret e Pekinit dhe i shëtisnin nëpër qytet të shoqëruar nga Gardistët e kuq.

Me mijëra djem e vajza të indoktrinuar thellësisht nga krerët dogmatikë, kishin një uniformë ngjyrë ushtarake dhe nga një shirit të kuq në krahë. Sulmi u shtri edhe në fushën e artit e të kulturës dhe shumë artistë u dëbuan në komunat e largëta që të riedukoheshin në gjirin e fshatarësisë. Prodhimi kinematografik u ndërpre dhe u hoqën nga qarkullimi të gjithë filmat e prodhuara ato vite. Në kinematë e Kinës filluan të shfaqen vetëm filma shqiptarë, rumunë apo jugosllavë, të gjitha të dubluara në gjuhën kineze. Kjo gjë vazhdoi deri në vitin 1975. Numri i filmave shqiptarë i kalonte 25 tituj.

Shqiptarët e shumtë që ktheheshin nga Kina na informonin se filmat shqiptarë ishin tepër të pëlqyer dhe shumë batuta të personazheve të filmit citoheshin gjithë kënaqësi nga kinezët. Filmi është i destinuar për një publik të gjerë dhe shkalla e suksesit përcaktohej edhe nga numri i spektatorëve. Në rastin tone, filmi shqiptar po shënonte shikueshmëri të paparë.

Mirëpo, problemi është nëse filmi shqiptar ndikoi për mirë a për keq, në ato vite të trazuara, në mentalitetin e tyre aq më tepër kur këto filma i pranonin edhe gardistët e kuq me librin e citateve të Mao Ce Dunit në dorë. U desh të kalonin shumë vjet për të gjetur përgjigjen e duhur. Pas vdekjes se Maos ndodhi e kundërta, në pushtet u rikthyen liberalet ndërkohë që marshalli Lin Biao vdiq në një aksident të dyshimtë ajror e “banda e të katërve” me në krye Çian Çinin u dënuan me burgime të gjata. Edhe pas këtyre ndryshimeve, për çudi, filmi shqiptar vazhdonte të kishte popullaritet.

Kur pata rastin të vizitoja Kinën në vitin 2004 zbulova se filmat shqiptarë vazhdonin të shiteshin ne formatin DVD, ndërkohë që kineastët e rinj kinezë përgatisnin ciklin “Magjia e filmit” me rastin e njëqindvjetorit të kinemasë kineze. E në këtë cikël do të përfshiheshin edhe pesë emisione speciale njëorëshe për “magjinë e filmit shqiptar”.

Kinezja shqipfolëse Hualu, që kishte studiuar në Shqipëri ne vitet 60-të çdo ditë më tregonte ndonjë të re për filmat shqiptarë. Filmi që kishte pasur sukses të madh ishte “Ngadhënjim mbi vdekjen”. Ai ka marrë mbi 300 milionë spektatorë. Sipas kineastit shqiptaro-amerikan Tomas Logoreci, filmi e mbajti rekordin botëror deri në vitin 1992 kur ia kaloi filmi amerikan “The Fugitive” me Harrison Fordin e Tomy Lee Jones. Për kureshtje kërkova në Uikipedia dhe zbulova se filmi amerikan kishte inkasuar 183 875 720 dollarë në Amerike dhe 368 875 750 dollarë në botë. Dukshëm Logoreci ngatërron dollarët me numrin e spektatorëve.

Kur gardistët e kuq të dehur nga indoktrinimi urrenin veçanërisht intelektualët dhe artistët” borgjezë”. Ata bastisnin shtëpitë e tyre dhe shkatërronin çdo gjë që ishte borgjeze e reaksionare. Thyenin pianot, diku edhe duart e pianistëve dhe gjithë veglat muzikore.

– Veçse një ditë – më tregonte Hualuja, ata po shkatërronin çdo instrument ne shtëpinë e një muzikanti. Kur njeri prej tyre rrëmbeu një kitarë për ta thyer, muzikanti guxoi të ndërhyjë. Prisni u thotë ai gardistëve. Po kitara në duart e komunistit shqiptar Perlatit, në filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen” mund të quhet vegël reaksionare kur ai këndon melodinë e filmit?… Këtu gardistët u hutuan keq dhe pyetën shefat e tyre lart. Urdhri ishte i menjëhershëm: kitara nuk është instrument reaksionar, ndaj nuk duhet të shkatërrohet. Sot, falë kësaj ndodhie, në Kinë ka më shumë se dy milion kitaristë.

Shkrimtarja disidente kineze Chang Chung në librin e saj “Mjellmat e egra” përmes historisë së tri grave, gjyshja, nëna dhe vajza jep një pasqyrë të thellë realiste për ato që kanë ndodhur në Kinë në shekullin e kaluar. Në librin e saj “Kohë e pamjaftueshme” Helena Kadare citon nga libri i saj këtë pasazh: Në ato vite për ne filmat shqiptare ishin një pasqyrë e Evropës që ëndërronim.

Zhang Yimou, regjisor, skenarist, aktor dhe drejtor fotografie është një ndër kineastët me të shquar jo vetëm për kinemanë kineze. Ai është fitues i Ariut të Artë (Festivali i Berlinit), Luanit të Artë (Festivali i Venecias) dhe regjisor manifestimit mbyllës të Lojërave Olimpike në Athinë 2004 dhe regjia për hapjen dhe mbylljen madhështore të Lojërave Olimpike në Pekin 2008.

Në një intervistë për revistën amerikane Variety, 68-vjeçari Zhangu pohon se ai u impresionua së tepërmi kur si adoleshent pa një film shqiptar dhe vendosi të bëhej kineast.

Pas një pune shumëvjeçare shefja e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Pekinit Cheng Hua Feng para disa muajsh mbrojti doktoraturën me veprën studimore “Filmi shqiptar ne Kinë”.

SHKARKO APP