Mark Shagall në Tiranë… miqësia e panjohur me një artist të famshëm shqiptar
Nga Kristaq Balli –
Në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) të Kryeministrisë qëndron hapur ekspozita e një prej artistëve më të mëdhenj të shekullit XX Marc Schagall – “Graviteti Magjik’’, ku janë paraqitur 180 gravura e grafika të përzgjedhura nga tre ciklet e tij më të njohura ilustruese per librat “Shpirtra të Vdekur” (Gogol), “Stuhia” (Shekspir) dhe “Fabulat” (La Fonten).
Mark Shagall (1887-1985) njihet si një artist figurativ modernist ruso-francez me origjinë hebraike nga Bjellorusia që lëvroi disa zhanre, si pikturën, ilustrimet e librave, vitrazhin(xhamin e ngjyrosur), skenografinë, qeramikën, tapicerinë dhe printimet e arteve të bukura. Mark Shagall konsiderohet si “mbijetuesi i fundit i gjeneratës së parë të modernistëve europianë”(Michael J. Lewis), si dhe “për shumë dekada ai është respektuar si artist hebraik i shquar botëror” (Wkp).
Talentin dhe inspirimin e tij paraprak e shfaqi me riprodhimin e ilustrimeve nga librat, por arti realist me të cilin ai filloi edukimin (1905) iu duk i papërshtatshëm për shijet e tij artistike. Nga viti 1906-1910 shkoi në Petersburg të Rusisë, ku vijoi studimet dhe përvojën e tij dhe, midis të tjerëve, pati rastin të njihej me piktorin Pol Gogen dhe të tjerë avangardistë, prej ku fillon edhe “…hyrja në rrymën e artit bashkëkohor…., aktivizimi në të cilin ka luajtur rol të dukshëm fillestar në jetën e tij”(Raymond Cogniat, historian).
1910-a e gjen në Paris, ku kubizmi ishte arti kryesor që dominohej ende nga pikpamja matarialiste e shek XIX. Shagall, me një vizion tjetër të sjellë nga një qytetërim rus ndryshe, synonte një art që del nga brenda jashtë, pra një invers i mënyrës kubiste të krijimit. Aty vijoi të studiojë dhe punojë në disa akademi moderniste dhe të njohë, sidomos në Luvër e galeri të tjera, autorë të tillë si Rembrandt, vëllezërit Le Nain, Karden, van Gogh, Renuar, Pisarro, Matisse, Gogen, Kurbe, Mile, Mane, Mone, Delakrua, etj. Ai mësoi këtu teknikën e ”guashit” të cilën e përdori për të pikturuar skenat bjelloruse. Ai u “saturua” në Paris me të gjitha rrymat e teknikat moderne pikturale, por veprat e tij nuk i ngjasonin asnjerës prej tyre, pasi ato ishin më pranë subkoshiencës poetike, metaforike që lindnin nga brenda dhe jo nga forma reale e jashtme fizike, ato ishin “piktura jologjike dhe fantastike” (Sweeney). Shagall nuk dëshironte që punët e tij t’i nënështroheshin ndonjë shkolle apo lëvizje të caktuar artistike, ai mëtonte gjuhën e tij personale të simboleve shprehëse. Sidoqoftë ai konsiderohet si një piktor që “flirtoi” me shumë stile radikale moderniste abstrakte, si kubizmin, fauvizmin, surrealizmin, simbolizmin, suprematizmin, duke u bërë një figurë e spikatur në të ashtuquajturën Ecole de Paris(Shkolla e Parisit). Identiteti hebraik i Shagallit ndërkalli në krijimtarinë e tij bashkërendimin e traditave të vjetra, folklorin, etnografinë hebreje, si dhe kujtimet, dashurinë dhe afeksionin për vendlindjen e familjen me stilet e artit modernist. Kritiku Guillame Apollinaire është shprehur se vepra e Shagallit është “supernatyrale”.
Në vitin 1914 ai çel një ekspozitë në Berlin, me 200 punime në vaj, guash, akuarele dhe vizatime, e cila pati një sukses të madh për të. Më pas ai shkoi në vendlindje, Vitebsk të martohej me të fejuarën e tij Bella Rosenfeld, ndërkohë që me fillimin e Luftës I Botërore, kufijtë u mbyllën. Aty lindi vajza e tyre të parë, Ida. Në vitin 1915 Shagall filloi ekspozimin e veprave në Moskë dhe më 1916 në Petersburg. Ato i sollën njohjen, famën dhe shitjen e shumë prej tyre në koleksionistë të pasur. Ai ishte 30 vjeç dhe ishte bërë shumë i njohur. Revolucioni i Tetorit (1917) e vendosi si komisar i arteve të Vitebsk, ku themeloi Kolegjin e Arteve të Vitebsk-ut, i cili u bë shkollla më e njohur e artit në Bashkimin Sovjetik. U zhvendos përsëri në Moskë ku krijoi veprat e mëdha murale për Teatrin Shtetëror Hebraik, të cilat u bënë pika referimi në historinë e teatrit.
Ndërkohë që lufta kishte mbaruar, por kishte filluar kriza ekonomike, më 1922 ai vendos të rikthehet në Francë. Duke pritur vizën ai shkruan autobiografinë e vet “My Life”. Në Paris shkon në vitin 1923, duke bërë një ndalesë në Berlin për të marrë punët e lëna aty në ekspozitën e 10 viteve më parë, por nuk gjen asgjë. Ato ishin djegur, kishin humbur, ishin shitur apo vjedhur, ashtu si edhe në Paris dhe kështu, ai e fillon punën nga e para. Krijon një biznes për ilustrimin e një serie librash me teknikën e gravurës, si “Shpirtra të Vdekur” të Gogol-it, “Biblën” (Testamentin e Vjetër) dhe Fabulat e La Fontenit, punon më 1924 në Britani, ndërsa më 1926 hap ekspozitën etij me 100 punime në Reinhardt gallery, Nju Jork, SHBA. Ilustimi me 105 figura i Biblës zgjat me ndërprerje për 30 vjet.
Lufta II Botërore, pushtimi nazist i Francës dhe politika antisemitiste e qeverisë kukëll të Francës e detyroi Shagallin “të zgjohej” nga rreziku që i kanosej. Me shumë vonesë, më 1941, me ndihmën e përfaqësimit diplomatik të SHBA-ve në Francë ai u shpëtua dhe u dërgua bashkë me gruan e tij Bella në SHBA, po ashtu edhe vajza Ida me bashkëshortin e saj në një vapor emigrantësh, që kishin marrë me vete edhe një pjesë të veprave të Shagallit. Fillimisht klimatizimi i tij me opinionin kritik, përderisa edhe anglishten nuk e fliste, ishte jo aq i asimilueshëm dhe i globalizuar, por shpejt u kuptua se arti i tij nuk ishte vetëm tradicional e folklorik ruso-hebraik, por ekspozitat e tij gjatë këtij viti në Nju Jork dhe Çikago u “…shpërfaqën si kontribute që nuk ishin takuar më parë…”(Henry McBridge, art critic). Po ashtu skenografia dhe kostumografia e baletit “Aleko” me muzikë të Çajkovskit bazuar në poemën narrative “The Gypsies” (Ciganët) të Pushkinit, më 1942 në Teatrin e Baletit të Nju Jorkut dhe në Teatrin Metropolitan u vlerësua si një sukses i merituar dhe Shagalli u brohorit si heroi i mbrëmjes. Gazeta “The New York Herald Tribune” shkruante ato ditë që vepra e Shagallit ”…është kthyer në një ekspozitë të dramatizuar të pikturave gjigande…Ajo tejkalon çdo gjë tjetër që Shagall ka bërë në shkallë këmbaleci dhe është një përvojë befasuese, e një lloji të vështirë për t’u supozuar në teatër.”
Në vitin 1944 gruaja e tij Bella ndërroi jetë papritur nga një infeksion virusal. Pas një viti ai u dashurua dhe bashkëjetoi për shtatë vjet me Virginia Haggard me të cilën patën edhe një djalë, David McNeil.
Shagall kthehet përfundimisht në Francë në vitin 1948. Pas ndarjes me Virginian, ai martohet më1952 me Valentina (Vava) Brodsky, nje biznesmene kapelesh me sfond hebraik, të cilën ia sugjeroi vajza e tij. Gjatë kësaj kohe ai pikturonte dhe njëheresh bënte skulpturë, qeramikë, vazo, pjata dhe kana dekorative, si dhe murale të mëdha, dritare me vitrazhe, mozaikë dhe tapiceri.
Në vitin 1963 ai mori sipërmarjen e tavanit të ri për Operën e Parisit (Palais Garnier), një ndërtesë madhështore e shek XIX, monument kombëtar. Shagall e realizoi atë për një vit. Sipërfaqja e saj ishte 220 m2 dhe piktura peshonte 200 kg. Tavani, një kryevepër që i dedikohej artistëve të shquar ishte një kryevepër dhe një kontribut për kulturën franceze. Gjatë fjalës së tij në inaugurimin e tavanit Shagalli shpjegoi kuptimin e veprës së tij: “Në pikturën time dua të reflektoj, si një pasqyrë në një buqetë, ëndërrat dhe veprat e këngëtarëve dhe muzikantëve, për të kujtuar lëvizjen e ngjyrimeve që stolisin audiencën poshtë dhe për të nderuar kompozitorët e mëdhenj të operës dhe baletit…Unë e ofroj këtë vepër si një dhuratë mirëmjohjeje për Francën dhe Shkollën saj të Parisit (Ѐcole de Paris), pa të cilën nuk mund të jenë as ngjyra dhe as liria.”
Një kontribut madhor në krijimtarinë e Shagallit përbëjnë veprat e tij pikturale në vitrazh, sidomos dritaret e mëdha dekorative të shumë objekteve religioze dhe institucioneve të tjera sociale. Ndër to, dritaret e kishës në Assy (1956), katedrales Metz (1958-60), sinagogës së Qendrës Mjekësore Hadassah të Universitetit Hebraik në Jerusalem (1960-61), që konsiderohet vepra e tij më e madhe në fushën e vitrazhit, dritarja e titulluar “Paqja” në godinën e Kombeve të Bashkuara (1964), dritarja e Xhon D. Rokfeller në Kishën e Potantico Hills, Nju Jork (1967), dritaret e katedrales Fraumunster në Zyrih të Zvicrës (1967), dritaret e kishës së Shën Stefanit në Mainz, Gjermani (1978), 12 dritaret e kishës Gjithëshenjtorët, Tudeley, Mbretëri e Bashkuar (1963-1978), dritarja e katedrales Chichester, West Sussex, Mbretëri e Bashkuar (1978),etj janë mishërim i punës së tij kolosale artistike deri në moshën 90 vjeçare.
Po ashtu, muralet, setet teatrore, kostumet dhe tapiceria dekorative, skulptura, qeramika e pikturuar mbeten vlera të paçmuara artistike të një prej artistëve figurative modernistë më të talentuar, më prodhimtarë, më të kompletuar e më të evidencuar botërisht të artit viziv.
Ekspozitat dhe eksponatet e tij permanente janë të shumta në Paris, Moskë, Petersburg, Novosibirsk, Stokholm, Londër, San Francisko, Nju Jork, Filadelfia, Çikago, Colorado, Mont Real, Romë, Luksemburg, Berlin, Danimarkë,etj.
Mark Shagall mban titullin si Qytetar Nderi i Jeruzalemit, ka marrë Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit (Francë), etj.
Për të thuhet se nqs ju e pyesni Shagallin t’ju shpjegojë pikturat e tij, ai do të përgjigjej: “edhe unë pothuajse nuk i kuptoj ato. Ato nuk janë letërsi, janë vetëm një aranzhim i imazheve që më pushtojnë mua…”
Por cili ishte artisti i famshëm shqiptar me të cilin është miqësuar Shagall? Një vit pasi Shagall ishte kthyer përfundimisht nga SHBA në Francë, më 1949, fotografi virtuoz shqiptar Gjon Mili, i cili punonte për revistën amerikane shumë të njohur edhe ndërkombëtarisht, “LIFE”, ndërmori një inkursion pune drejt rivierës franceze për të fotografuar disa prej piktorëve dhe artistëve të tjerë që jetonin përgjatë saj. Ky rajon i bukur e frymëzues ishte shndrruar në një lloj “qendre artistike” ku jetonin e punonin edhe artistë të tjerë të famshëm si Matisse (pranë Saint Pal-de-Vence) dhe Picasso (në Vallarius). Ndërkohë Shagall jetonte në Côte d’Azur. Duke jetuar pranë njeri-tjetrit ata shpesh punonin bashkë, kishin një lloj rivaliteti midis tyre edhe pse vepra e tyre ishte qartësisht e ndryshme. Sidoqoftë, ata nuk u bënë kurrë miq të ngushtë e për një kohë të gjatë. Sipas zonjës së Pikasos, Françoise Gilot, bashkëshorti i saj kishte respekt të thellë ndaj Shagallit, sidomos për aftësinë e ndjeshmërisë së ngjyrave dhe dritës.
Me sa duket, Gjon Mili e kishte parashikuar e planifikuar në udhëtimin e tij në Francë në verën e vitit 1949 takimin e tij me këtë treshe piktorësh komshinj dhe realizimin e seteve fotografike për ta, më i vështiri, por më sensacionali nga të cilët rezultoi ai me Pikason.
Takimi i Gjon Milit me Shagallin duket se është bërë në studion e piktorit, ku Mili ka shkrepur një seri prej afro 10 pamjesh, portrete, situata gjatë punës, disa vepra të piktorit, të cilat ishin të destinuara dhe u botuan në revistën “LIFE”, që nuk “kërcasin” shumë si ambicje artistike, por që për Shgallin mbeten një dëshmi vizive në të 60-at e tij, kur ai ishte ende shumë vital dhe prodhimtar në disa zhanre të artit pamor modern. Ilustrimet e shkrimit janë disa prej fotove të Gjon Milit të realizuara me këtë rast. Ato pasqyrojnë portretin fizik, por edhe atë psikologjik të Shagallit, një artist në pamje i thjeshtë, jo ekstravagant, por ambicioz e i përqëndruar në punën e tij më se 70 vjeçare e sistematike, eksperimentuese e në kërkim të vazhdueshëm të zhanreve e nënshtresave të shumta të pikturës moderniste të shekullit XX, të gërshetuara me traditën ekzistencialiste e spiritualiste të kultures së përkatësisë të tij hebraike, e cila i dha një konotacon shumë origjinal e të sukseshëm artit dhe krijimtarisë së tij pamore, që do ta vendoste atë në panteonin e piktorëve më prodhimtarë e më të suksesshëm evropianë të shekullit të kaluar, ashtu si edhe fotografin shqiptar Gjon Mili, i cili, siç shkruan edhe vetë në kujtimet e tij të botuara e ruajti miqësinë e tij me Shagallin pafundësisht.