Martin Camaj, një vullnet qiellor që na shpërbleu me urtësi dhe zemërbardhësi
Nga Albert Vataj
Martin Camaj ishte padyshim një vullnet qiellor që na shpërblen bujarisht me urtësinë e asaj mendjeje të dritshme dhe zemërbardhësinë e atij hiri të lartë. Askush nuk do ta besonte se një i lindur “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’”, do të arrinte të bëhej një emër i rëndësishëm në historinë e letërsisë dhe albanologjisë. Djali i Kolë Camës, njëherësh bari dhe bujk dhe nënës Tereza nga Prekali domosdo do të ishte një përjashtim fatlum. U lind më 13 korrik 1925 në Temal të Dukagjinit, atje ku luten “për qiell e për dhé” sepse më i epërmi vullnet, në skajet e këtyre caqeve ngjizet. Ai zu të fluturojë kur edhe qiellit i vunë gardhe dhe shpresën e fshehën si ëndrrat. Iku në kërkim të lirisë dhe gjeti misionarin e vlerave që e bënë të pavdekshëm.
Martin Camaj i përket një plejade përkushtuesish me mish e me shpirt, për të vënë në themelet e vetëdijes sonë kombëtare një gur të qenësishëm, të dëshmimit të pasurisë shpirtëror dhe gjuhësor. Pena dhe puna, zemërbardhësia dhe urtësia, pasioni dhe përkushtimi, ishin jo vetëm cilësitë veçuese të këtij personaliteti të pashoq të letërsisë dhe albanologjisë, por edhe ai kontelacion yjesh që do të lindte këtë zë të zëshëm të traditës dhe pasurisë sonë kombëtare.
Fikja e një ylli
Më 12 mars 1992, sot 27 vite më parë, fryma e tij do të këputej. Do të shuhej një prej pishtarëve më kulmues të shqipshkrimit, poezis dhe prozës. Një zemër e tretur duke shndrit do të ndalonte për të lënë si testament, vullnesën e mirë të endur me përkujdesën që diti vetëm ai.
Martin Camaj me mbylljen e syve, u fashit edhe ëndrra e flakëruar në njëmijë diej përmallues, për shkelur në tokën amë. Atij i’a mohuan atdheun, i’a privuan dheun dhe shkrepin, dhimbjen dhe amanetin, por kurrkush dhe kurrqysh nuk e vuri nën fre dritimin që feksi ai ndër shqiptarë dhe yshtja e pashoq që u ngas për njëmendësimin e njohjes dhe pranimit të veprës së tij dhe dialektit geg, që ai lëvroi me parmendën e rëndë të mërgimtarit.
Camaj, megjithëse në të gjallët e tij nuk i’u dha e drejta të shkelte në Shqipëri, për asnjë moment, nuk e shqiti nga gjoksi shpirtin e lënduar dhe plagën lënguese të të mohuarit. Në dheun e marrun borxh, ku dhe u tret mishi dhe prehen kockat e tij, ai si një Sizif u ngjit majës së përfaqësimit të shqipes. Një prej mëtimeve ngadhënjyese dhe vetëmohuese, pamëdyshje mbetet lëvrimi i gegnishtes dhe arbërishtes. S’andejmi ai arriti të dëshmonte botërisht mbi atë vlerë që vete ka të mbrujtur shqipja dhe shqiptarët. Shërbesa që i bari gegnishtes, e pse jo dhe arbërishtes, mbeten në kryeradhën e gjitha përpjekjeve të mahershme dhe të tashembasshme. Ngritja dhe trajtimi i tyre në rrafshin shkencor, e dëshmon masmiri këtë. Ngulmi i papramun për të mëtuar gjithseçka të mirë, e për ta shtruar në një sofër, larushinë e dialekteve, si vlerë gjuhësore, e dallon atë dhe e rreshton në rendin e etërve të shqipshkrimit.
Martin Camaj edhe pse u përndoq, u përjashtua, u anatemua, dhe e gjitha kjo, jo dhe aq se ai ishte arratisur, apo kishte blasfemuar ndaj kujt, por prej tekstshkrimit gegnisht, të cilën ai e mylmeu, e pasuroi dhe e lëvroi mjeshtërisht. Me gjithë këtë ai nuk e flligu gojën, nuk e helmoi shpirtin, dhe shërbesës ogurmirë nuk i’a vuri damkën, e cila mund të gjehej e përligjur te ndokush tjetër, por kurrqysh jo tek ai. Duke dëshmuar mendimtarin e epërm, merr ndonjiherë rol atnor dhe këshillues, për të gjithë ata që kishin në dorë shqipen dhe i’a deshën t’mirën asaj. Ai nuk bari asnjë herë dallime e dasi, nuk e shikoi shqipen vetëm të toskëve dhe të gegëve, por të shqiptarëve dhe për këtë ai mëton: “Besoj se duke ecë krahas gegnishtja dhe tosknishtja e shkrueme apo letrare, si dy mortra të mira, pa ja pré rrugën njana-tjetrës, kanë me viju mâ me fryt të gjêjnë pikat e përbashkta, si mbas një zhvillimi normal. Kjo rrugë âsht e domosdoshme të ndiqet poqese dëshirojmë që novela e romani shqiptar të mbërrijnë në sferat e një stili të kulluet artistik”.
Ai kur shton kësisoj, ka parasysh dhe naltësimin që ka një komb që pranon diversitetet dhe nuk priret hakmarrës e linçues prej qëllesave anatemuese, me nda dhe me veçu, përkundrazi.
Kinse, vërejmë shpërthimet krijuese të patëdyta në letërsi, që lejuan ngritjen e kreshtave, anipse u endën në avelmenin e dialektores. Për të ardhur masanej te trualli ynë, dhe veçmas te shkrimtaria e Fishtës, Mjedës, Koliqit, Shantojës, Prenushit, Haxhiademit, Konicës, Nolit, Poradecit, Kutelit, Asllanit, e shumë të tjerëve, që lindën e u lartësuan, pa hyqmin e shqipes së njësuar, standardit, siç i thonë. Duke mos patur tavan mbi kokat, ata krijuan atë thesar, të cilin me krenari mudn ta pagëzojmë si testament të vlerave të njimendta të letërsisë shqipshkruese.
Camaj rendi pareshtur dhe sfidues duke shkruar dhe lëvruar gegnishten. Vepra u rrit me të, dhe ai e gjalloi përbrenda vetes çdo faqe të saj në një marrëdhënie njësimi. Ata dhanë dhe morën prej njëri-tjetrit shumëçka, por në kryerend mëvetësuan, motivin e ngulmit për t’u ngjit në më lartat kjartësi, prejnga nuk do të mund ta zbriste ndokush a diçka. Mveshur prej kësaj magjie dhe ngadhnjimi, Martin Camaj bëri me dije se: “Jeta ime âsht nji luftë për gegnishten, një luftë për mbijetesën, frymën e qenies, të dikurshmen dhe ardhmninë, një luftë jo me mbetë gjallë, por me ruejt të pastër fillin e amës së gjuhës dhe artit, mbi të gjitha me shpëtue shpirtin krenar të shqiptarit”. Bash njikshtu i bzani zemra dhe ia ligjëroi penda, këtij kolosi të mendimit dhe letrave shqipe deri më 12 mars 1992, sot 27 vite më parë kur hapi i tij ndali, shpirti mori udhën e përjetësisë dhe emri u skalit me shkronja të arta në historinë e lëtërsisë dhe albanologjisë.