Mid’hat Frashëri, ndër shkreptimat më të dritshme të mendimit shqiptar

Albert Vataj

Mid’hat Frashëri është prej atyre penave dhe mendjeve të ndritura të përkatësisë sonë identitare, i cili, bashkë me Fishtën dhe Konicën, por edhe të tjerë, patën guximin të flisnin hapur dhe të godisnin fort, të tregoheshin rreptësisht të drejtë në pamëshirën e deklarimeve për shqiptarët, në një përpjekje, më shumë gjasë të dështuar, për të ndikuar sadopak në mirësimin e sjelljeve dhe dobishmërinë e punëve për kombin, më shumë se për veten.

Mid’hat Frashëri me recetën e tij të ashpër për shërimin e mëndjes dhe shpirtit të shqiptarëve, bëri shumë armiq, vrenjti shumë surretër, la shumë koka mënjanë, turfulloi shumë pëshpërima, prishaqejfi jo pak zuzarë, deshti dhe urrejti si një zemër që kërkonte të prehej në një gjoks që ishte gati t’i vihej derteve të kombit, siç burra dhe gra të tjerë që u flijuan për mëvetësi dhe dritën e dlirësisë.

Ai, Mid’hat Frashëri, i përket atyre kapaciteteve intelektuale, ikja e të cilëve të shënonte një humbje për Shqipërinë e shqiptarët. Ai iku më më 3 tetor 1949, por testamenti që la ishte ajo shprëblesë e hyjshme që gjithkënd ndër ne e bën të ndihet i përulur në besim të virtyteve dhe vlerave të nalta, të atyre aspiratave që shënjohen në faqe të dritshme të historisë sonë.

Qëndroi dhe iku si një shqiptar i madh, duke na lënë amanet:

“Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.”

“Nuk di se ku do të vendoset Instituti; po, në qoftë se goditetë pakëzë jashtë qytetitë, do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të math dhe një qiparis. Më duketë sikur do të jem ruajtësi i Institutit, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij”.

Ai dhe shumë mëmëdhetarë të tjerë, patën, lanë dhe dhanë gjithçka kishin që shqiptaria të jetë, të lartësojë me lavdinë; e të shkumes, të tashmes dhe të ardhmes, duke qenë dhe mbetun te çdonjëri që flet dhe jeton shqip, një amanet si një grusht dhé që e mbajmë nën krye dhe e marrim me vete kudo fati na thërret. Po, për të qenë dhe mbetur amanetçarë të veprave të mira në dobi të asaj përkatësie, e cila të ndihet e përfaqësuar dhe e krenuar prej nesh.

Kjo ndërmendje për Mid’hat Frashëri, për këtë atdhetar të ditur dhe dritur, është mirënjohje por edhe ndjenjë përgjegjësie, ndoshta jo për të bërë sa bëri ai dhe të tjerë atdhetarë për shqiptarinë, por për tu përpjekur që duke bërë sa të mundim të jemi të të njëjtës udhë që ata bënë.

 

SHKARKO APP