“Myrtis”, vogëlushja e Greqisë së Lashtë tërheq vëmendjen e publikut në Tiranë
Mbyllet ekspozita “Myrtis: Ballë për ballë me të shkuarën” në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD). Kjo ekspozitë kaq e veçantë u vizitua nga 2005 vizitorë, shumë prej të cilëve ishin nxënës të shkollave të ndryshme të Tiranës, që zhvilluan një orë mësimi ndryshe në ambientet e kryeministrisë.
Spas agjencisë telegrafike shqiptare, kjo javë do të vijojë me një tryezë të rrumbullakët me fokus shëndetin mendor, duke bërë bashkë profesionistët dhe specialistët më të mirë të kësaj fushe. Ky aktivitet vjen në kuadër të datës 10 tetor, Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor. “Myrtis” përçoi tek publiku një mesazh të vjetër e shumë bashkëkohor në të njëjtën kohë. Me historinë e saj, ajo sjell paqen dhe nevojën e luftës ndaj sëmundjeve që prekin fëmijët. Myrtis është vajza e Greqisë së lashtë që vjen në botën moderne për t’u takuar me të gjithë bashkëmoshatarët e saj edhe në këtë qytet, duke na kujtuar detyrimin që kemi ndaj brezit të ri, për kujdesin dhe luftën ndaj sëmundjeve që prekin ata.
E veçanta e kësaj ekspozite ishin jo vetëm përfytyrimet e piktorëve grekë dhe jo vetëm rreth saj, por edhe “lodrat” e kësaj vajze që erdhën për të gjithë bashkëmoshatarët e saj në Tiranë.
Të dhëna rreth historisë së Myrtis…
Myrtis është një vajzë 11-vjeçare, e cila vdiq në mënyrë tragjike nga epidemia e tifos që pllakosi Athinën e lashtë dymijë e pesëqind vjet më parë. Për arkeologët dhe historianët, fytyra e kësaj vajze të vogël ka sjellë në jetë një aspekt shumë të rëndësishëm të historisë greke dhe u ka dhënë përgjigje shkaqeve të humbjeve të jetëve të shumë athinasve. Tetë vite të shkuara ajo u kthye në një “Mike të Kombeve të Bashkuara” dhe tashmë “është ringjallur” për t’u bërë një zë i fuqishëm në parandalimin e sëmundjeve që prekin fëmijët.
Të dhënat nxjerrin në pah faktin se, pavarësisht përpjekjeve shumë të mëdha për reduktimin e vdekshmërisë te fëmijët dhe në luftën kundër malaries dhe sëmundjeve të tjera, çdo vit mbi 6 milionë fëmijë humbin jetën përpara se të arrijnë moshën pesëvjeçare. Sëmundjet që mund të parandalohen përmes vaksinimit vazhdojnë të jenë sërish shkak që 1.5 milionë njerëz të humbin jetën çdo vit nëpër botë. Aksesi në mjekësi dhe në shërbimet e kujdesit shëndetësor është një e drejtë themelore e njeriut. Çdo individ duhet të marrë trajtimin e nevojshëm për të gëzuar një jetë të shëndetshme dhe produktive.