NATËN ME HËNË

Nga: Dino Buzzati
Përktheu: Zija Çela

Asaj i shpëtoi në gjumë një rënkim i lehtë.

Ndanë kokës së krevatit tjetër, ulur në divan, ai vazhdonte të lexonte në dritën e mbledhur të një llambe të vogël. Ngriti sytë. Ndërkaq, gruaja fërgëlloi, shkundi kokën si për t’u çliruar prej diçkaje, hapi qepallat dhe ia nguli shikimin burrit me një shprehje habie, si ta shihte për herë të parë. Pastaj, iu përvijua një buzëqeshje e lehtë.

– Ç’pate, e dashur?

– Asgjë, nuk di përse, ndiej një farë pezullie, ankthi…

– Je e lodhur nga udhëtimi, kjo është e zakonshme, por ke edhe pak ethe. Mos u bëj merak, e dashur, nesër: të shkuara e të harruara!

Ajo s’foli disa çaste, duke e vështruar gjithnjë me ngulm e me habi. Për ata të dy, që vinin nga qyteti, heshtja e asaj shtëpie të vjetër fshati ishte me të vërtetë e shurdhët. Ai bllok i mbyllur qetësie sikur mbarte një pritje të fshehtë dhe vetë muret, trarët, orenditë, gjithçka aty sikur e kishte mbajtur frymën.

– Karlo, – tha pastaj ajo, butësisht, – ç’po ndodh në kopsht?

– Në kopsht?

– Të lutem, Karlo, sa nuk je shtrirë ende, do të ishte mirë të hidhje një sy. Kam përshtypjen sikur…

– Sikur dikush është atje? Hajde fiksim, hajde! E kush të thotë mendja se mund të jetë në kopsht këtë çast? Hajdutët? – Dhe ai qesh. – Hajdutët kanë nuhatje të fortë, ata nuk humbin kohë duke u ardhur rrotull karakatinave të vjetra, siç është kjo farë shtëpize.

– Oh, të lutem, Karlo, dil t’i hedhësh një sy.

Burri u ngre. Hapi dritaren e kanatet e jashtme, vështroi dhe mbeti i shtangur. Pasdite kishte pasur shtrëngatë dhe tani, në atmosferën e një pastërtie të pabesueshme, hëna që po perëndonte e ndriste në mënyrë të magjishme kopshtin e heshtur, të tulatur e të shkretë, sepse bulkthat dhe bretkosat ishin pjesë pikërisht e heshtjes.

Ai ishte një kopsht i thjeshtë: një lëndinë e rrafshët, me një këmbësore guralecash të bardhë, që formonte një rreth dhe shpërndahej në drejtime të ndryshme: anëve, kishte bordurë lulesh. Por, megjithatë, ishte kopsht i fëmijërisë së tij, një copë e dhimbshme e jetës së tij, një simbol i lumturisë së humbur, dhe gjithmonë, netëve me hënë, i dukej sikur i fliste me aluzione të zjarrta e të pazbërthyeshme. Në lindje, në kundërdritë e në hije rrjedhimisht, ngrihej një gardh prej shkozash të prera hark, në jug një gardh i ulët prej bushi, në veri shkalla që të çonte në perimore, në anën perëndimore të shtëpisë. Gjithçka pushonte në atë mënyrën frymëzuese e të mrekullishme, me të cilën natyra fle nën dritën e hënës dhe që askush s’ia ka dalë kurrë mbanë ta shpjegojë. Ndërkaq, si gjithnjë, spektakli i kësaj bukurie të brishtë që, sigurisht, mund ta sodisësh, por duke e ditur se asnjëherë s’do të mund ta bësh tënden, atij i ngjallte një dëshpërim të thellë.

– Karlo! – thirri Maria nga krevati, e shqetësuar, vrojtuese ndaj shtangies së tij. – Kush është atje?

Burri mbylli dritaren, duke lënë të hapur kanatet e jashtme dhe u kthye:

– Askush, e dashur. Ka një hënë të çuditshme. S’më ka ndodhur të shoh ndonjëherë një paqe të tillë.

Ai mori librin dhe u ul përsëri në divan.

Ora ishte njëmbëdhjetë e dhjetë.

Pikërisht në këtë çast, në skajin juglindor të kopshtit, nën hijen që lëshonin shkozat, kapaku i një kapanxhe të fshehur në bar filloi të ngrihej pa zhurmë, me hope, duke u zhvendosur nga njëra anë dhe duke liruar grykën e një galerie të ngushtë, që humbiste në nëntokë. Një qenie e murrme dhe shulake doli me një kërcim dhe zuri të vraponte furishëm lakadredhas.

Varur në një kërcell, një karkalec njomëzak prehej i lumtur; barku i tij i butë dhe i gjelbër fërgëllonte hirshëm me ritmin e frymëmarrjes. Çengelat e merimangës së zezë iu zhytën me tërbim në kraharor dhe ia bënë copë. Trupi i tij i vogël duke shkrehur këmbët e prapme, u përdrodh vetëm një herë. Çengelat e tmerrshme tashmë ia kishin shkulur kokën dhe po rrëmonin brenda barkut. Kafshimet gjallëruan lëngun abdminal, që vrasësja filloi ta lëpinte me babëzi.

E përfshirë nga ëndja djallëzore e të ngrënit, ajo nuk pa ndërkaq një siluetë të errët, të stërmadhe që i afrohej nga prapa. Duke shtrënguar ende me çengela viktimën e saj, merimanga e zezë u zhduk përgjithnjë mes nofullave të thithëlopës.

Por gjithçka, në kopsht, ishte poezi dhe qetësi hyjnore.

Një shiringë helmuese u ngul në mishin e butë të një kërmilli që rrugëtonte drejt perimores. Ndërsa koka po i bëhej tym, ai arriti të përshkonte akoma dhe dy centimetra, pastaj pa se këmba nuk i bindej më dhe kuptoi se ishte i humbur. Ndonëse vetëdija i qe errësuar, ai ndjeu nofullat e vemjes sulmuese që këpusnin me harbim llokma nga mishi i tij, duke gërmuar shpella të tmerrshme me atë trup të bukur, të lljamur e llastik, për të cilin ishte aq krenar.

Në dridhjen e fundit të agonisë së tij turpëruese, kërmilli pati ende kohë të vërente, me një rreze ngushëllimi, se vemja e mallkuar u gjuajt nga fushnja e një merimange-ujk, e cila e shqeu në çast.

Pakëz më tej, një idil i vërtetë. Me fenerin e tij dritëndërprerës, ndezur në maksimum, një xixo po i vinte rrotull dritës së ngulitur të një xixëllonje të re, shtrirë gjithë molisje në një fletë. Po apo jo? Po apo jo? Ai u afrua, e provoi me një përkëdhelje, ajo s’bëri naze. Orgazma e dashurisë e bëri xixon të harronte se deri në ç’pikë mund të ishte skëterrore një natë me hënë. Tamam në çastin që po përqafonte shoqen e vet, një bubuzhel i praruar ia çau barkun tejetej me një goditje të vetme. Feneri i tij i vogël vazhdonte të belbitej luftës, po apo jo?, edhe kur sulmuesi e kishte gëlltitur tashmë për gjysmë.

Ndërkohë, as katër pëllëmbë më tej, një zallahi e egër. Por gjithçka u rregullua në pak çaste. Një masë e lëmuar, madhoshe, ra si rrufeja nga lart. Thithëlopa ndjeu një vrundull të kobshëm në kurriz dhe kërkoi të kundërvepronte. Më kot, një shkëputje e shpejtë nga toka dhe ajo po ngrihej në ajër, duke u lëkundur mes kthetrave të një bufi plak.

Megjithatë, asgjë nga këto s’ta kapte syri. Gjithçka në kopsht ishte poezi dhe qetësi hyjnore.

Festa e madhe e vdekjes kishte filluar në muzg. Tani ishte në kulmin e harbimit. Dhe do të vazhdonte deri në agim. Kudo kjo nuk ishte veçse masakër, torturë, vrasje. Neshterë që shkallmonin rrashta, çengelë që thyenin këmbë e rrëmonin në rropullitë, darë që shkulnin kafkullat, ngulje shtizash, bluarje dhëmbësh, gjilpëra që injektonin gjithfarë helmesh e mpirjendjellsësh, lëngje gërryese që e shkrinin për së gjalli prenë. Që nga banorët më të vegjël të myshqeve; krimbat, qeniet mikroskopike, amebat, deri te larvat, merimangat, bubazhelat, dyzetkëmbëshat, po, po, deri te kokëzogëzat, akrepat, thithëlopat, urithët, bufët, ushtria e pafund e xhelatëve mizorë, bënin kërdinë në atë plojë, duke vrarë, shqyer, copëtuar, përpirë. Ashtu si në një qytet të madh, çdo natë, dhjetëra mijëra keqbërës, të etur për gjak e të armatosur deri në dhëmbë, dalin nga strofkat e tyre, futen në shtëpitë dhe therin njerëz në gjumë.

Atje poshtë, në fund të kopshtit, Karuzoja i bulkthave sapo heshti papritur, i kollofitur keqas nga një urith. Ndanë gardhit, e thërrmuar nga dhëmbi i një bubazheli, llambushka e xixëllonjës shuhet. Kënga e gargaliqit, ndrydhur nga një bollë, kthehet në ngashërim. Dhe flutura e vogël nuk arrin të taftojë më flatrat përkundër xhamave të dritares së ndriçuar: me krahët dhembshurisht të rrudhura, ajo përpëlitet e burgosur në stomakun e një lakuriqi nate. Tmerr, ankth, pikëllim, agoni, vdekje për mijëra e mijëra krijesa të tjera të Zotit, ja se çfarë është gjumi i natës në një kopsht tridhjetë me njëzet metra. Dhe, po ashtu, në fushën përreth, gjithmonë përtej maleve me farfurimën prej qelqi nën dritën e hënës së zbehtë e misterioze. Dhe në botën mbarë e njëjta gjë, cep më cep, me të rënë nata: rrënim, shfarosje, kasaphanë. E kur nata tretet dhe dielli lind, fillon një kërdi tjetër, me të tjerë gjakësorë të paskrupuj, por me të njëjtin tërbim. Kështu ka qenë gjithmonë, që nga origjina e vjetër, kështu do të jetë përgjatë shekujve, deri në fundin e botës.

Maria nuk gjen rehati, lëviz e mërmërit në krevat. Pastaj, e trembur, zgurdullon sytë prapë.

– Karlo, sikur ta dije çfarë makthi të llahtarshëm kalova: pashë ëndërr sikur jashtë, në kopsht, po vrisnin dikë.

– Qetësohu pra, e dashur. Ja, për një grimë do të shtrihem edhe unë.

– Mos u tall me mua, Karlo, po edhe tani, nuk di përse, më duket sikur në kopsht diç po ndodh.

– Ç’të mbeti mendja aty…

– Të lutem, Karlo, mos më kundërshto, hidh përsëri një sy jashtë.

Ai tund kokën dhe qesh. Ngrihet, hap dritaren e vështron.

Bota prehet në një qetësi të fikët, mbytur nga drita e hënës. Gjithnjë ajo ndjenjë e magjepsjes, gjithnjë ajo molisje miste-rioze.

– Fli e qetë, e dashur, frymë të gjallë nuk ka përjashta, kurrë s’më kanë zënë sytë një paqe të tillë. /Nga libri “Gruaja me flatra”/Revista “Akademia”/

SHKARKO APP