“Ndryshe”, portreti dhe lakuriqësia në tablotë e Pashk Përvathit
Historia e pikturës që në zanafillë hedh hapat e parë të saj, duke grricur mbi sipërfaqet shkëmbore të shpellave imazhe nga jeta e përditshme. Njeriu paleolitik mundohet të riprodhojë nëpërmjet linjave grafike vetveten. Një nga objektet më të lashta dhe simbolike të gjetura janë statujat antropomorfe, të gdhendura në gur, njohur gjerësisht si Venerat (Veneri). Imazhe padyshim domethënëse për rrugëtimin e qenies njerëzore deri në ditët tona. Imazhe si dëshmi e gjallë e së kaluarës së largët, por që ndër shekuj kanë arritur të sjellin si një të tërë NJERIUN, atë të vërtetë, larg falsiteteve dhe mbingarkimeve stilistike, apo idealizuese drejt së bukurës me çdo kusht.
Rëndësi të veçantë në këtë lexim si pjesë e gjinive të pikturës është edhe portreti, apo figura të cilat kanë luajtur një rol parësor në shëmbëlltyrën e realitetit të çdo kohe, por që me hijeshinë e tyre kohën e kanë kthyer pakohë. Portreti dhe figura janë dy gjinitë artistike të panjohura deri më tani të piktorit peizazhist Pashk Përvathi, i cili ndonëse i joshur përjetësisht pas natyrës, pikërisht tek ajo arriti të zbulojë bukurinë e një tjetër natyre, asaj njerëzore […].
Portreti është përgjithësisht paraqitja e një personi të caktuar me të gjitha veçantitë tipizuese të tij. Sigurisht që portreti nuk mund të jetë asnjëherë riprodhimi i përpiktë i një personi, sepse në realizimin e tij mbi kanavacë, apo çfarëdolloji suporti tjetër, gërshetohen ndjesi, emocione, përjetime, shije dhe përgatitje vetjake të piktorit, gjë, e cila e ngre portretin në një tjetër stad perceptimi. Gjinia e portretit dhe figurës shpërfaqet si një hapësirë e re lëvrimi nga piktori Përvathi, ai tenton të kapë karakterin e fizionomisë së personit, aq sa në to, në të kundërt nga gjinia e peizazhit që jemi mësur ta shohim krijimtarinë e tij artistike, përpiqet të thellohet në hollësira, të cilat modelojnë veçantinë karakteriale të individëve të ndryshëm të portretizuar.
Portreti në pikturën e Pashk Përvathit nuk është një rastësi, por një kërkim disa vjeçar, i cili në qendër të tij vendos një kulturë, bashkësi shoqërore, përkatësi identifikuese, ku gati portreti i tyre kthehet në “simbol”… – është portreti folkloristik i romëve, një portret, ku intuita dhe imazhi tipizues dhe përgjithësues përcakton një mimikë të caktuar. Mimika dhe fizionomia si dy elementët kyç në zbërthimin e një portreti. Dhe portreti si njolla ngjyrore, ku sado paraqitja paraprake nuk ngjason me subjektin individual, janë pikërisht të pranishëm elementë të tjerë të cilët të udhëzojnë drejt një përshkrimi mbi një bashkësi shoqërore të caktuar, duke na ndihmuar në identifikimin e subjektit të trajtuar nga piktori falë veshjeve, ngjyrës së lëkurës apo elementëve të tjerë dallues.
Piktori Përvathi ashtu si në gjininë e peizazhit, nuk mbetet “skllav” i imitimit me përpikmëri të portretit, por niset nga dy elementë thelbësorë për modelimin e tij; paraqitja e rregullt e linjave tipizuese dhe kërkimit për të kapur shprehinë psikologjike të individit në ato çaste. Sepse për t’u theksuar është se; piktori të gjitha portretet të cilat i ka realizuar që në vitet e hershme të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve sot Universiteti i Arteve dhe deri në ditët tona, janë portrete dhe kompozime figurale që ai i ka pikturuar për së gjalli, në kontakt real me modelin. Kjo ka bërë që në këto vepra të ndjehet vërtetësia karakteriale, luajaliteti grafik i dritëhijeve dhe gjendja psikologjike në secilin portret dhe kompozim figural.
Në frymën e bashkëkohësisë, interpretimi që piktori Përvathi i bën portretit është ajo e një leximi vetjak të individit, duke mos e braktisur asnjëherë identitetin e tij artistik në interpretimin e së vërtetës reale. Kjo ka shpërfaqur vlera të mirëfillta artistike që individin e protretizuar e sjell gjithmonë e më shumë larg natyralizmit real. Një veçanti, e cila nisi që në fillimet e shekullit të XX në artet pamore nga artistë të ndryshëm si: Gustav Klimt, i cili i rrethoi figurat apo portretet e tij me forma gjeometrike, gati abstrakte, Henri Matisse rriti fuqinë shpërthyese të ngjyrave të ndezura, të ashpra, gati ulëritëse, Pablo Picasso arriti të shpërbëjë format natyrale për ta rindërtuar portretin dhe figurën njerëzore nëpërmjet formave gjemotrike, duke krijuar kubizmin…
Në këtë mendësi modelohet edhe portreti në pikturën e Pashk Përvathit, i cili mbetet dekorativ, i freskët dhe pa shumë ngarkesa hollësirash brendishë. Ai kërkon te portreti të shpërfaqë më shumë dhe me çdo kusht gjendjen e brendshme të individit sesa t’i kushtojë vëmendje aspektit të jashtëm […]. Për piktorin kjo është liria absolute, e cila e çon atë drejt lirisë interpretuese dhe jo robërisë imituese […]. Një tjetër aspekt që bie në sy janë kompozimet e thjeshta me pak objekte në sfond, gati të zbrazta, të qeta, duke mbajtur në plan të parë pastër e shndritshëm portretin apo trupat lakuriq femëror, falë lojës grafike të dritëhijes së theksuar dhe ky aspekt tregon më së miri se piktori ka kllapitur mrekullisht mahnitshëm dritën plot jetë e gjallëri të Mesdheut. Pra, një dëshmi e ndjeshme si përkatësi e një vendndodhjeje gjeografike, klime dhe atmosfere të patjetërsueshme. Qëndrimi i subjekteve është herë brenda një skeme klasike të të pozuarit, herë risjell në vëmendje qendrime nga piktura e Rilindjes italiane dhe herë spontane, duke përjetësuar çaste intime të modeleve, sepse në këtë zhanër artistik mbizotëron prania e seksit femëror, si joshja universale per antonomasia e piktorit […].
Sigurisht, sporadike janë edhe portrete meshkujsh të realizuara në fillimet e piktorit Përvathi, lehtësisht të lexueshëm për nga trajtimi stilistik dhe tonal natyralist me të cilën i ka pikturuar, ku ndjehet fryma akademike e periudhës së pikturës së Realizmit Socialist para viteve ‘90. Në vitet e fundit perpos portretit, ku në disa prej tyre vërehet një lloj ndrojtjeje me kokën të ulur poshtë apo me shikimin e përhumbur të hedhur gjetkë, si e si për të shmangur syrin vrojtues të piktorit dhe më pas të ekspozuara brenda një muzeu syrin vëzhgues të spektatorit. Lakuriqësia është ajo që na shpie në tjetër përmasë. Në hapësirën zero, reale me vërtetësinë e kohës sonë, aty, ku brishtësia e një femre zbulohet nga kënaqësia për të pozuar përballë një piktori dhe përjetësuar hiret e saj mbi kanavacë, ashtu si në tablotë mbresëlënëse të Jean Auguste Dominique Ingres. Ngjashmëri qendrimesh, të cilat risjellin në kujtesën tonë vepra si: “La Source”, “La Grande Odalisque”, “La Baigneuse Valpinçon” dhe grup-lakuriq “Le Bain Turc”.
Në këndvështrimin antropologjik lakuriqësia e sjellë nga Pashk Përvathi, shpërfaq një marrëdhënie të brishtë midis qenies njerëzore dhe fatit të tij, rastësisë kohore dhe çështjes sociale, lirisë dhe skllavërimit të femrës. Të gjitha këto aspekte rrëzojnë njëherazi paraqykime, ndasi përjashtuese, përbuzje dhe poshtrime ndaj seksit femëror, aq më tepër kur ajo shfaq haptazi pa ndrojtje pjesët intime të trupit të saj, duke e sjellë atë brenda një hapësire të një kohe të pakohë. Hapësira e një kanavace si parabola e një skene, ku në qendër të saj vendoset BUKURIA femërore. JOSHJA dhe EROTIZMI i japin një tjetër përmasë lakuriqësisë në veprat e Përvathit, aq sa zhduken përgjithmonë gjykimet moraliste, për t’i lënë vend leximit poetiko-filozofik si në “Origjinën e botës” të Gustave Courbet. Lakuriqësia si provokim, por lakuriqësia edhe si edukim ndaj së bukurës femërore, e cila tingëllon me ngjyrat ulëritëse si një “mallkim” proto-darwinist në zemër të bashkëkohësisë tonë të shthurur dhe tejskajshmërisht larg nga virtytet e shëndosha të një rendi të trashëguar antropologjik-zakonor […]. Piktori Përvathi tenton t’i shkëpusë modelet e tij larg idealizimeve dhe linjave të përsosura trupore. Ai kërkon të përditshmen, të vërtetën, duke përjetësuar skena reale dhe të natyrshme në qendrimet e tyre, për të arritur në sintezën e ndjeshmërisë së tij mbi kanavacë.
“Të vizatosh nuk do të thotë të riprodhosh thjesht linja […] vizatimi nuk ka të bëjë thjesht në lënien e një gjurme: vizatimi është edhe shprehi, forma e brendshme, ndjesi, modelim. Çfarë mbetet tjetër? Vizatimi përmbledh tre të katërtat e asaj çfarë përbën pikturën. Nëse do të duhej t’i vërtetoja të tjerëve aftësitë e mia, padyshim atë do ta dëshmoja nëpërmjet vizatimit me dritëhije të portreteve dhe figurës njerëzore…”, J. A. D. Ingres.
Por, fundja ky është Pashk Përvathi NDRYSHE jo në kodin e tij stilistik interpretues, sesa të ngjitur në apogje mes portreteve dhe kompozimeve figurale lakuriq në veprat e tij.
Ph. D. OLTSEN GRIPSHI
(Historian & kritik arti)