Në Kosovë, projekt i ri për aktorin e madh Aleksandër Moisiu
Shkrimtari gjerman Rüdiger Schaper, që ka shkruar biografi për aktorin me origjinë shqiptare me famë botërore Aleksandër Moisiun, u prit sot në takim nga zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Kosovës, Rexhep Hoti.
Me këtë rast, zëvendësministri Hoti, i shprehu mirëseardhjen dhe gatishmërinë e MKRS-së për ta përkrahur autorin gjerman edhe në bashkëpunimet e tjera.
Ndër çështjet që u diskutuan në këtë takim është një projekt që pritet të shqyrtohet nga ana e MKRS-së. Ky projekt parashikon botimin e një vepre të re për Aleksandër Moisiun, ku do të përfshihen 51 letërkëmbime mes aktorit dhe të dashurës së tij Sonja Wiber, në fund të jetës së tij, rreth viteve 1934-35.
“Këto letërkëmbime janë të pabotuara dhe do të jetë në interes për lexuesin shqiptar t’i ketë në dorën e tij”, tha Hoti.
Gjithashtu, në kuadër të botimit janë parashikuar të përfshihen një studim i autorit Schaper për Moisiun, fotografi të pabotuara më parë dhe një pjesë artistike në fund të botimit, e cila edhe do të mund të vihet në skenë. Gjithashtu në kuadër të projektit, në Prishtinë, do të realizohet edhe një ekspozitë me fotografi të Moisiut.
Autori gjerman Schaper, u shpreh se ndjehet i kënaqur që ndodhet në Kosovë, tek populli i Aleksandër Moisiut.
Ai falënderoi zëvendësministrin Hoti për pritjen dhe për gatishmërinë për bashkëpunimin e mëtejshëm në realizimin e projekteve të planifikuara.
Libri i autorit Schaper “Aleksandër Moisiu Trieste – Berlin – Nju Jork. Një legjendë aktrimi” është përkthyer në shqip nga Feride Berisha, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese PA dhe Qendrës Multimedia, i përkrahur nga rrjeti Traduki.
Pjesë nga ky botim do të lexohen sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës në shqip e në gjermanisht, ku pjesëmarrës do të jetë edhe vetë autori i librit, Schaper./k.s/