Një austriake “më shqiptare” se vet shqiptarët
Nën “magjinë” e librit, në sallën e teatrit të mbushur plot me të rinj u përmbyll edhe nata e dytë e aktivitetit “Netët e Letërsisë Austriake”, me kujdesin e IDMC-së , Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë dhe Ambasadës Austriake.
Autorja austriake Andrea Grill erdhi “më shqiptare” se vet shqiptarët duke përcjell përpara të pranishmëve pjesë nga vepra e saj. Me moderimin e shkrimtarit të njohur Lazër Stani, autorja Grill tregoi përpara publikut për ndikimin që ka patur kontakti i saj me Shqipërinë, me shkrimtarët tanë, në krijimtarinë e saj artistike brenda dhe jashtë vendit. Andrea, perkthyese dhe promovuese e kultures shqiptare ne Austri, tregoi mbështetjen që kishte mar nga ata, të cilët ndër të tjera e kishin ndihmuar për të njohur gjuhën shqipe, të cilën ajo e flet mjaft mirë, madje është edhe përkthyese e disa materialeve në disa vepra shqiptare.
Andrea lexoi për të pranshmit edhe një pjesë të tregimit të saj “Daja i verdhun”, një tregim që bazohej në një histori të vërtetë e mjaft frymëzuese. Diskutimi me autoren Grill u bë edhe më i gjallë, dhe interaktiv nga pyetjet e shumta të të rinjve në sallë, dhe sigurisht edhe përgjigjeve e saj tejet interesante, dhe jo pa humor.
E veçanta e natës së sotme ishte “Kuarteti i Leximit”, atë që ideatorja Jonila Godole e kishte konceptuar si një tavoline rrumbullake ku në të u ulën 4 autorë, kritike të njohur në vendin tonë, të cilët i paraqitën publikut 4 autorë austriakë me veprat e tyre përkatëse të botuara në gjuhën shqipe si Elfride Jelinek (Dashnoret), Rainer M. Rilke (Elegji Duine), Stefan Zweig (Bukinisti Mendel), Andrea Grill (Qaj e Qesh). Të katër autorët Jonila Godole, Agim Baci, Alda Bardhyli dhe Lili Sula njihnin mirë veprat e përzgjedhura dhe shkëmbyen këndvështrimet e tyre, shpesh të kunderta, mbi këto vepra të letërsisë bashkohore që janë sa të ngjashme aq edhe të ndryshme nga njëra -tjetra. Me anë të diskutimit ata sollën historitë e autorëve që i kanë shkruar, kohës kur janë shkruar, fabulës së tyrë, mesazheve të dukshme dhe ato të nënkuptuara, dhe ndikimit të tyre si tek vet ata, ashtu edhe tek publiku. Jo pa shkas secila vepër ishte e ndryshme nga njëra tjetra duke sjellë kështu për publikun edhe libër më poezi, edhe prozë, edhe tregime, edhe roman…
Ky format diskutimi në këtë formë interesante dhe mjaft tërheqese për publikun, vjen për herë të parë në aktivitete të tilla letrare, ku libri është “mishi dhe shpirti i tij”.
Aktiviteti “Netët e Letërsisë Austriake ” do të zhvillohet sërisht sot për publikun dashamirës të librit, në natën e tij të tretë përmbyllëse, 25 maj, por jo më të parëndësishme. Përpara të rinjve do të jetë autorja e njohur austriake Christina Maria Landerl e cila do të ndajë me publikun pjesa nga verpa e saj, dhe më pas nën moderimin e Drejtorit të Qëndrës “Stefan Zweig”, Klemens Renoldner do të flitet gjërësisht për shkrimtarin, dramaturgun, gazetarin dhe biografistin e shquar, Stefan Zweig, veprën dhe krijimtarinë e tij të gjërë e cila ka lënë jo pak gjurmë në letërsinë botërore.