Pas bustit, Çabej edhe në italisht

Nga korifeu i gjuhës shqipe, Eqrem Çabej tek Bashkim Shehu, Gëzim Qendro, Virgjil Muçi, Jeton Neziraj dhe autori më i ri, Saimir Muzhaka, janë emrat e autorëve që do të përkthehen në gjuhë të huaj, falë Fondit për Përkthimin nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj, një nga programet e rëndësishme të Ministrisë së Kulturës.

Vepra e Çabejt “Në botën e arbëreshëve të Italisë”do të botohet në gjuhën italiane nga shtëpia botuese Edizioni Controluce, në përkthimin e Silvia Stortit, ndërsa Rubettino Editore merr përsipër t’u japë zë dy botimeve të rëndësishme “”Loja, shembja e qiellit” të Bashkim Shehut dhe “Kinostudioja “Shqipëria e Vjetër”, shkruar nga studiuesi Gëzim Qendro, ndarë nga jeta vetëm pak muaj më parë.

Shtëpia Botuese  Plethora Editions do të botojë në gjuhën greke dramën e autorit kosovar Jeton Neziraj, “Fluturim mbi teatrin e Kosovës”, një nga veprat jetëgjata në skenat evropiane, ndërsa Salento Books dhe Besa Editrice veprat e autorëve Saimir Muzhaka e Virgjil Muçi,  fitues i çmimit “Kadare 2018” në gjuhën italiane.

Fondi për Përkthimin nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj është themeluar në vitin 2015. Falë tij janë mbështetur 11 përkthime të veprave të autorëve si Fatos Kongoli, Luljeta Lleshanaku, Bashkim Shehu, Ridvan Dibra, Stefan Çapaliku, Ardian Vehbiu, Mira Meksi, etj.

Gjatë këtyre tre viteve janë vënë në dukje dhe vlerësuar për bashkëpunimin përkthyesit e huaj si Esperanza Roces Gonzales, Evelyne Noygues, Caterina Zuccaro, Lucia Paprckova, Anna Couthures, Valentina Notaro, etj../atsh/

SHKARKO APP