Për romanin “Anja” të Ahmet Prençit

Nga Halil RAMA

Nëse, sipas shkrimtarit të mirënjohur Besnik Mustafaj, me vëllimin poetik të vitit 2016, “Udhë në pasqyrë”, poeti Ahmet Prençi” erdhi me një lloj tradite që ka letërsia shqipe, me romanin e tij të sapobotuar “ANJA” ai sjell risi në botën letrare, duke befasuar lexuesin e shumtë të tij. Kjo, jo vetëm për subjektin tepër interesant por dhe për gjuhën e pasur e mjetet shprehëse në karakterizimin e dy personazheve kryesorë të romanit, Anton Hila dhe Anja Steve: I pari, besnik i parimit për ta ngrysur jetën në vetminë e tij, ndërsa e dyta, një krijesë e magjishme franko-shqiptare që sjell pak Paris në Drinas, nga ku ngjizet dhe trashëgimtari i tyre me emrin e bukur ARBËR. Kësisoj, “Anja” është një risi në prozën e sotme shqipe, qoftë si subjekt dhe për karakterin e ndërthurjen e personazheve. Se në fund të fundit, edhe Antoni, i cili pas disfatës në dashuri në rininë e tij të herëshme, dhe që në mezin e moshës, kërkonte vetmi të përherëshme, më në fund e ka trashëgimtarin e tij.
Kështu, mesazhi që përcjell Ahmet Prençi tek lexuesi është ai i ripërtëritjes së jetës. Për këtë ai përdor magjinë dhe forma tjera të mbinatyrshme si element parësor të përmbajtjes, temës dhe vendosjes së personazheve,.

Një dashuri me “nekrologji” të parashkruar

Si prolog të ngjarjeve të romanit “ANJA” autori vendos disfatën e inxhinierit të talentuar Anton Hila në dashurinë për studenten e fizikës, vajzë e një aktori të famshëm, si dhe dy të rinjtë që e kishin përjetuar shumë keq diktatin prindëror të kësaj ndarjeje.
Ndonëse Eli mbeti në mendjen e tij, ashtu e re, e bukur, bjondina dhe elegantja simpatike e shkollës, Antoni, kurrë më, pas saj, megjithë disa flirtime rastësore me femra, nuk mendoi të krijonte familje me ndonjërën prej tyre. Autori e profilizon Anton Hilën, si një enigmë njerëzore mes atij pejsazhi të magjishëm, apo si “një tip i mistershëm”, në rrjedhën e ngjarjeve në vitet që kalonin, e kur secili prej tyre (Ai dhe ish – e dashura studente) udhëtonte me pasaportën e vet shpirtërore.
Si djalë i kulturuar dhe bukurosh, aventurat e dashurisë me vajza të bukura ishin një pjesë romantike e jetës së Antonit, ku drama dhe melodrama nuk kuptohen si gjini letrare, por si realitete pagjumësie të bukur…
Për ta bërë sa më bindës këtë personazh autori fantazon deri skena për tentativë vetëvraseje pas dështimit me Elin, duke i nxjerrë përpara lokomotivës së trenit, lypësin, që pasi i jep dhjetëlekëshin, i rrëfen dramën e tij të dashurisë…, e megjithatë ai e donte jetën.
Kësisoj gjejmë në këtë roman portretizime e përshkrime brilante të ngjarjeve e rrethanave, të përjetimeve të dashurisë së dëlirë, por dhe të përjetimeve dramatike, deri sa tek Anton Hila shfaqet franko-shqiptarja Anja Steve, (me nënë shqiptare e me baba francez).
Të skeduara e përshkruara si rrëfime ngjarjesh e episodesh prej më shumë se tri dekadash, autori Prençi, sjell mjeshtërisht realitetin e qytetit të Drinasit ku po ndërtohej një vepër e rëndësishme energjitike, drejtues teknik i së cilës ishte inxhineri Anton Hila (ashtu si edhe peisazhin mahnitës të fshatit ku ai ka ndërtuar vilën e ku po kalonte vitet e fundit të jetës së tij).
Duke perifrazuar autorin Prençi: “Ndonjëherë në jetë, një takim krejt i rastësishëm mund të shndrrohet në ngjarje të rëndësishme, në një pikë kthese të jetës tënde, e cila mund të ndryshojë gjithçka…”. Kështu ndodh edhe me personazhet e këtij romani. Anja që ka ardhur për pushime në qytetin e vendlindjes së nënës së saj “brenda vetes, me instiktet e një princeshe pa oborr mbretëror, ndjente shpalljen e një sfide për princin e panjohur”. Ndërsa Antoni, ndonëse vetmitar i deklaruar, trajtohet në roman si “Mbreti në rrjetë”.
Nëse për Antonin, dështimi në dashurinë e parë kishte mbyllur shtigjet e një lidhje tjetër afatgjatë, tek Anja, dashuria me Mishelin, të cilit i kishte falur virgjërinë, i përkiste së kaluarës, që nuk duhej bërë pengesë për të ardhen (Ajo qe një ndjenjë e konsumuar dhe e “arkivuar” në muzeun e harresës), për Antonin, ajo erdhi krejt rastësisht si krijesë e magjishme e zbritur nga qielli, enkas për një vetmitar si ai…. Pikërisht, Ai që e kishte konsideruar martesën si burgun shpirtëror që kishte krijuar me vullnetin e vet njerëzimi përmes normave, parimeve, moralit, institucioneve, feve deri dhe tek gjykatat…me Anjën “ra brenda”, si i thonë. Dhe në këtë rast, autori fantazon aq bukur saqë sipas tij: “Po të kishte patur rastin Klinton të njihte bukurinë franko-shqiptare, të ngjizur aq magjishëm tek Anja, ai me siguri do të kishte dhënë dorëheqjen nga posti i lartë, duke divorcuar edhe vetë Hilarin, për t’u martuar me Anjën”… Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe, kur autori Prençi na paraqet në portretin e Anjës vajzën ku ishin bërë bashkë të gjitha: inteligjenca, pasioni, bukuria dhe sinqeriteti.
Ndërsa Anja kërkonte pak Paris në Drinas…., për Antonin, tashmë në mesin e malit të moshës, (që për më optimistët konsiderohet mosha 50-vjeçare), ndërmarrja e një lidhje serioze dhe afatgjatë me një femër, duket si një ftesë për ecje alpine…. Kësisoj, Ahmet Prençi me romanin e tij na afron shumë pranë me personazhet. Ai i përgatit ato për një ngjarje të madhe dhe, sa më pranë saj janë ato, aq më i rreptë është sprovimi i tyre dhe më dramatik përcaktimi.
Ndërsa gjatë atij përjetimi magjik gjatë pesë ditëve në Drinas dhe në plazhin e qytetit bregdetar i ishte shprehur vajzës franko-shqiptare se: “Ti je një krijesë e magjishme Anja! Të dërgoi Zoti tek unë për të më thënë se unë jetoj, se mund të dashuroj përsëri. Ti më binde se jam në gjendje të dua përsëri….”, largimi i saj për në Francë, pa i thënë “lamtumirë”, do të ishte, siç e shtjellon më tej autori: “Një dashuri me ‘nekrologji’ të parashkruar”.
Teksa syrin e brendshëm të mendjes e qarkullonte hera-herës në pyllin e kujtimeve, përfytyrimeve dhe vizioneve për të nesërmen, Anja ia kishte trazuar Antonit psikikën dhe prishur krejt ritmin e përditshmërisë…

LETRAT E ANJËS SI RISI NË PROZËN E AHMET PRENÇIT

Mesazhin e ripërtëritjes së jetës autori Ahmet Prençi e përcjell aq bukur nëpërmjet letrave të Anjës, që vijnë në sintezë me dashurinë e saj të zjarrtë për Anton Hilën. Janë letra që përshkruajnë dashurinë e zjarrtë dhe përbetimin e saj për të rritur e vetme trashëgimtarin e ngjizur në Shqipëri, të pagëzuar me emrin Arbër. Pa patur pranë atë që e konsideronte “vetmitarin e përjetshëm”, që e dashuroi dhe e dashuronte marrëzisht. Dhe në këtë kontekst autori shtjellon mjeshtërisht filozofinë e tij se “Gjithë dramat e kanë në gjenezën e vet dashurinë e verbër”. Siç del në këtë roman befasues, “pa Anjën, inxhineri Anton Hila, ishte uji apo vepra e betontë…Për aq ditë sa ndenjën bashkë, ajo paskësh kaluar nëpër të, nëpër këtë turbinë njerëzore, si një lëng magjik jete, si një erë me oksigjen përtëritës. Kështu, Ahmet Prençi, si një arkitekt i vërtetë ligjërimesh të këndshme, ndërthur dy linjat që të çojnë tek një roman shumë i arrirë dhe mjaft tërheqës për lexuesin. Nëpërmjet një procesi të gjatë e të nderlikuar krijues, ai dëshmon aftësinë për të treguar realitete të perceptuara dhe përjetime si realizim artistik në romanin “ANJA”.

Të kesh respekt për kohën, është respekt për veten

Një mesazh tjetër që përcillet në romanin “Anja” është respekti për kohën si respekt për jetën. Për këtë mjafton të perifrazojmë sërish autorin Prençi në rrëfimin e lumturisë pa kufi që përjetuan dy personazhet kryesorë. “Anja gjykoi se vlerën e kohës e japin veprat dhe jo minutat. Me një grusht kohë (aq ishin ditët e marrëdhënies me Antonin) ajo u mbush plot energji dhe pozitivitet, lumturi dhe kënaqësi…Epo, kot nuk paskan thënë, se çfarë sjell minuti nuk e sjell ora. Për herë të parë në Shqipëri ajo kishte provuar dashurinë rrufe, siç ndodh gati në çdo restorant të Nju Jorkut, ku me shikimin e parë zgjedh partneren që të pëlqen, shijon një pije të shpejtë, dhe po aq shpejtë mund të përfundosh duke bërë seks, në kthinat e errta të restorantit, apo në rastet më komode edhe në hotele…E pastaj, secili me vrap në punën e vet, pa ia mësuar as emrin njëri-tjetrit”. Në rrëfimin e këtyre ngjarjeve autori i trajton kohën dhe gjeografinë si dy armiq të dashurisë…..
Ndërsa aktin e saj final, rritjen pa praninë e Antonit të djalit të tyre me emrin Arbër, autori e lidh aq bukur me faktin që “Në adoleshencën e saj, Anjës ia kishte zgjuar krenarinë për ‘gjenin shqiptar’, një shkrimtar nga Shqipëria, Ismail Kadare…”.

INSTITUCIONI I KULLËS

Një gjetje mjaftë interesante e autorit është origjina e personazhit kryesor, nga fshati me emrin Saukull. Ndonëse kishte lindur, ishte rritur e shkolluar në kryeqytet (si edhe jashtë vendit), Anton Hila ishte i dhënë edhe pas origjinës. Vetëm një herë në moshën 20 – vjeçare ai kishte qenë në këtë fshat, nga “kishte mësuar sa rëndësi ka fjala e dhënë, sa domethënëse janë marrëdhëniet mes vëllezërve në familjen tradicionale…kishte fiksuar (memorizuar) mirë gjërat më të shenjta të të parëve tanë: fjalën e dhënë, nderin, besën, mikpritjen, mirënjohjen, besimin, punën, sakrificën, vetëpërmbajtjen, ekuilibrin, respektin etj”.
Si njohës gjer në perfeksion i historisë dhe traditës, autori Prençi e paraqet kullën si simbolin që nuk kishte qenë thjeshtë një vend strehimi apo banimi, por një institucion unik etno-kulturor, një ngrehinë shpirtërore dhe një tempull besimi dhe lirie…
Nisur nga bagazhi jetësor, por veçanërisht në ligjërimin filozofik, autori A.Prençi sjell për lexuesin një roman që hyn me dinjitet në fondin e artë të letërsisë shqipe. Ligjërime të tilla si: “Spërkatja e themeleve me gjak glorifikonte simbolikën e sakrificës njerëzore për shpirtin hyjnor”, apo se “Kullat ishin parzmoret e gurta të fshatit përballë luftrave qindravjeçare” dëshmojnë për një autor që njeh mirë historinë dhe traditën e vendlindjes së tij. Këto i gjejmë qoftë dhe në përshkrimin e institucionit të “Odës” ku: “…nuk lejoheshin kurrësesi fjalët në vesh ose biseda të ngushta që nuk i dëgjonin të gjithë burrat e pranishëm në dhomë. Flitej me radhë dhe dëgjoheshin të gjithë…”
Po ashtu, autori na e paraqet personazhin kryesor të romanit, si studjues të vëmendshëm të veprës së At Shtjefën Gjeçovit, i cili përmbledh të gjitha normat e sjelljes në Kanunin që mban emrin “Kanuni i Lek Dukagjinit”, ku janë të sistemuara një seri dokesh, ligjesh e rregullash të Veriut, që përcaktojnë mënyrën e funksionimit të jetës së shqiptarëve në qindra vjet.
Ndërkohë, në kontrast me institucionin e kullës në Malësi, në romanin “Anja” gjejmë arkitekturën e shtëpive në Jug, shtëpi me çati, të tilla që rronin shumë dhe nuk i rrezikonin as rrebeshet e ujit të vjeshtës, as pesha e borës së dimrit, apo e rrasave të gurit.

KOHERENCA ME REALITETIN E SOTËM
Në një tjetër këndvështrim, autori Prençi na e paraqet heroin e veprës së tij, si intelektualin e virtytshëm që s’pajtohet me të keqen. Këtë e gjejmë në rastet kur “Antoni kritikonte pa rezerva nisma e qëndrime të të gjitha palëve, që sipas tij ishin populiste dhe jo efektive për shoqërinë….”
Me një frazeologji interesante, në ekzaminimin perfekt që iu bën qeveritarëve të korruptuar e të inkriminuar, ai sjell krahasime me vende me demokraci të zhvilluar ku kurrësesi nuk mund të depërtojnë në instanca qeverisëse njerëz me të shkuar kriminale. Kjo sipas tij edhe për faktin se “Amerika që është shkalla më e përparuar e lirisë dhe njeriut të lirë, bën kujdes që, para se të zgjedhë Presidentin e vet, kontrollon dhe e bën publike çertifikatën shëndetësore të kandidatëve. Jo si në Shqipëri, që një i çmendur mund të bëhet kryeminisër, president, deputet etj…”.
Po në këtë optikë e trajon autori zhvillimin e ngjarjeve kriminale që ndodhin në vendin tonë, si dhe këndvështrimin e tij për dinjitetin njerëzor, të shprehura këto mjaftë bukur në profilin e shokut të fëmijërisë, prokuror Sandrit, i cili nuk nguron t’i tregojë ligjin edhe ish-prokurorit të përgjithshëm (Alfons Gurrës), të akuzuar për lidhjen e tij me persona të inkrimunar, nga të cilët kishte përfituar shuma marramendëse.
Ndërsa plagët e rënda sociale që përjeton shoqëria shtjellohen mjaftë artistikisht qoftë dhe vetëm në rrëfimin e Vasilikës, pas krimit makabër të Janit që vret bashkëshorten, grekun dhe vetveten. Autori i jep kështu koherencë veprës së tij letrare edhe në përshkrimin e marrëdhënieve me shërbyesen e tij, Vasilikën, në hotelin ku ishte vendosur në Drinas. Një grua kjo, që ndonëse i ishte përkushtuar familjes, që kishte shërbyer si veterinere e lartë, kishte përfunduar e braktisur nga djemtë, pas divorcit me të shoqin që e la atë për një vajzë të re.
Nëpërmjet Vasilikës ai rrëfen edhe rastin e bashkëshortëve Jani e Margarita në kërkimin domosdoshmërisht të trashëgimtarit që s’po e ngjiznin edhe pas shumë vitesh martesë. Dhe kur Margarita, për të realizuar këtë ëndërr të Janit, tenton një skenë seksi të fshehtë me tregtarin grek, vjen edhe rasti fatal: krimi makabër që kryen Jani duke i vrarë ata të dy si dhe vetveten.
Po në këndvështrimin e ripërtëritjes së jetës gjejmë në roman edhe rrëfimin brilant të rastit të prokuror Sandrit, i cili ndonëse vuante mosngjizjen e një fëmije me bashkëshorten e tij, në adoleshencë kishte lënë shtatzënë bashkëshorten e operativit të sigurimit, e cila e kishte joshur atë në shtëpinë e saj, brenda krevatit bashkëshortor. Janë këto trille magjepsëse që e bëjnë mjaftë tërheqës romanin e Ahmet Prençit. Kjo del qoftë dhe në qasjen e autorit për rastet kur: “Jani që vrau Margaritën, por dhe shoku i tij Prokuror Sandri, ishin vërbuar nga institikti i trashëgimit dhe i riërtëritjes gjenetike, që është misioni i çdo çifti dhe finalja e çdo ndërveprimi seksual”.

DILEMA: BURRI APO GRUAJA?!
“ANJA” është ndoshta romani i parë ku autori Ahmet Prençi ngre në prozë akuzën ndaj Vatikanit, si dhe ndaj klerikëve të mëdhenj, për poshtrimin që i bëjnë femrës. Kanë peshë të rëndë pikëpytjet e tij: pse nuk doli njëherë tym nga Vatikani që të njoftojë zgjedhjen e një Pape femër?!…Apo, pse nuk pati një imam grua?!!!
Autori, nëpërmjet fjalës artistike shpjegon se si, “matriarkati kishte vdekur shekuj më parë, ndaj fuqia e burrave shfaqej kudo: në politikë, fe, ushtri”.
Po pse feja?!,-shtron pyetjen autori. Pse ky poltron ku ulet Zoti dhe mirësia nuk i kishte dhënë femrës atë që meritonte. Pse kurrë në historinë e Vatikanit nuk u pa një grua përkrah klerikëve me uniformën e zezë? Pse Vatikani nuk kishte diku në listë një grua në krye?!..Ata peshkopë, ata njerëz me fytyra gipsi që vetëm dinë të shqiptojnë bukur fjalën “Amen”, kurrë nuk menduan se janë aq të barabartë sa murgeshat e shumta që kishin në krah… Dhe po aq tronditës konkluzioni i autorit se: “Jo vetëm kaq, por edhe shenjtërimin e Nënë Terezës, ata burra me rraso të zezë e bënë pas vdekjes, kur ajo meritonte të shpallej së pari shenjtore e mirësisë e paqes njerëzore…”.
Edhe në botën myslimane, e njëjta gjë. Pse asnjëherë në botën islame, imam, nuk ka arritur të jetë një femër?!”. Në këtë mënyrë, si askush tjetër, Ahmet Prençi guxon ti konsiderojë teoritë fetare si “limonata” për mendjet e dobëta…
Konceptet filozofike të Ahmet Prençit për vazhdimësinë e jetës, për familjen dhe shtetin e së drejtës, të shprehura aq qartë në romanin “Anja, e bëjnë këtë një vepër letrare që sjell risi në prozën e sotme shqipe.

SHKARKO APP